Tiranën e marr hua e bëj timen

fb_img_1464690632420.jpg

E shajmë dhe e rishajmë. Ka pluhur, rrugët gjithmonë në rregullim e sipër, makinat  e padisiplinuara . . . këmbësorët dhe më keq! Ka akoma sigurisht . . . por kam qejf t’ju them gjërat që pëlqej. Tirana ka atmosferë, po të rrëmujshme, por plot jetë. Kafenetë e bukura, të çdollojshme janë plot e përplot. E di e di . . . ka kritika dhe për këtë disa bezdisen se ka njerëz që e shtyjnë jetën kot nga një tavolinë tek tjetra. E di e di . . . vjen nga papunësia . . . Por a ke menduar sa bukur është se Tirana i ofron edhe të varfrit mundësinë për të dalë? Mundësinë për të shijuar një muhabet, një gazetë, një libër, një takim me shoqe. Atmosfera që krijohet është kaq festive. Ulu ndonjëherë vetëm, merr një libër bëj sikur lexon. Është estradë. Do gjesh një çift që zihet pa pikë turpi në mes të lokalit. Dy çuna njomcakë me gazetën e hapur për të gjetur punë të shkretët. Dy pleq me republikë që mburren, zëri i tyre bubullues mbulon edhe muzikën pop në sfond. Të duket vetja spektator dhe aktor! Sa më pëlqen të shoh njerëzit nga dritarja, shikon paradokse, por ka jetë. Jetë herë e vështirë, e padrejtë ama jetë. 

Më pëlqen Tirana sepse je një hap nga aktivitetet artistike, shumë shpesh të arritshme. Teatri, opera, koncerte . . . nuk ka veç shfaqje të rëndomta. Gëzoj qytetin që . . . e marr hua e bëj timin. Gëzoj shëtitjet e pafundme. Gëzoj rrëmujën shumëngjyrëshe të tregjeve . . . xixa, ngjyra, mall kinez, plastikë, cohat turke. Pse jo, era e qofteve, era e petullave, kokoshkave. Muhabetet që hapen rastësisht . . . për çudi gruaja në autobus të tregon gjithë hallet e saj vetëm në kohën e një stacioni. Gallatë!

Tirana të lodh por unë e dua! Tirana ka atmosferën e duhur për mua.

Nëse ju pëlqen mos harroni të bëni Like. Ky blog është publik pra mund ta bëni share si të doni e sa të doni. ☺

Shumë faleminderit!

 

Adoleshente e mençur!

Para disa ditësh pata kënaqësinë të njihja një vajzë nga fundi i adoleshencës. E ëmbël, e ndrojtur, e dëlirë si pak. Mendova se vajza të tilla ishin sosur . . . Mjerisht kur ke një të ri përpara, të vjen natyrshëm të mendosh se duhet ta ndihmosh. Po, futesh në rolin e të gjithdijshmit. Fillon me leksione të gjata, të mërzitshme. Nejse, ndërsa flisnim ajo këputi një fjali mbresëlënse. Duke folur për shoqërinë tha:

image

-Që të gjesh shoqe të mirë duhet të jesh shoqe e mirë e vetes-

Sa e habitshme! Mua më janë dashur vite që ta kuptoja e ta pranoja. E po kaq vite që të arrija të bëhesha shoqe e mirë me veten. U ndjeva lehtësisht xheloze që ajo e dinte këtë që 18 vjeçe ndërsa mua më është dashur të pres e të vuaj ca . . .
Mësova se gjithmonë mund të mësosh edhe nga më të rinjtë. Mësova se nuk duhet të kem mendjen të jap leksione por dhe të dëgjoj . . . e të marr nga të rinjtë.
Ç’mendoni për thënien?