Udhëtim fotografik – “Carte des Vins”

Kam një lidhje të veçantë me gjërat. Nuk ka të bëjë me çmimin apo me bukurinë por me vlerën e tyre shpirtërore. Kam trashëguar nga gjyshi këtë dosje. “Carte des vins” në frëngjisht, si një meny verërash. Ka qenë nëpër duart të gjyshit dhe të babait më vonë. Tani e zotëroj unë.

Zbulova se kjo meny është përdorur nga gjyshi që merrej me tregti. Firma e verës ishte Charles Heidsieck  prodhonte shampanjë. U habita kur pashë se akoma prodhon  shampanjë!

Pjesa e brendshme e dosjes daton 1919. Dhe prezanton firmën më së miri.

Sa herë e shoh mendja ime ëndërrimtare bën një udhëtim . . . shpesh pa kthim . . .


Advertisements

Sot bie shi 

Shiu s’pushon jo.

Shiu s’lodhet.

Ndërsa unë po.

Qullë . . . shoh nga qielli.

Sikur të pushonte, sikur të lodhej.

Shoh nga qielli përsëri.

E s’ka gjë le të bjerë. . .

Më mirë, kështu

s’do shoh lotët.

Shiu s’pushon, s’lodhet.

Unë po, u lodha të derdh lotë.

E kështu-kështu…

Sot dua të ndaj me ju këto vargje modeste. Të shkruara për dikë që dua shumë…

E kështu-kështu…

Sa doja të të kisha afër

me sigurinë e buzëqeshjes tënde.

Do t’ia mbyllte sado pak

gojën vetmisë.

Do të doja të heshtnin kujtimet

qofshin ato të qeshurat . . .

sidomos ato.

Të bija rehat nga kumbimi

i zërit tënd të lumtur.

E di, ti  flutur,

ia zbukuron ditën

të tjerëve . . .

Unë rri pres thërrimet

e mbetura nga dita.

Eh jo, jo . . . s’ke faj. . . as unë.

Është prap goja e vetmisë

që më kafshon . . .

dhe s’ngopet.

Më ndjek kudo.

Herë se dua të jem larg nga

njerëzit e gabuar,

herë se s’i kam afër

të duhurit.

                     Shoqes sime

Ta pimë një kafe

Në Tiranën tonë kafja është fillimi dhe përfundimi. Unë sigurisht pi kafe dhe bie lehtë pre e shijes së kafesë në kafene. Atje ku ne banoret e këtij qyteti e ndalim kohën për ca minuta . . . ose orë . . . ç’rëndësi ka. Disave mund t’u duket çudi. Në fakt ta shtysh një filxhan kafe për një orë do një çik talent. Talent i lindur që kërkon shumë praktikë. Aroma e kafesë ka aromën e miqësisë. Ka shijen e ujdive. Kafja pihet me shumë por të ngjit veç me disa. Rituali i përditshëm do kohën e vet. Ndalohet nxitimi. E urrej nxitimin. E dua kafen. Kafja ka shije takimesh dashurie. Kafja ka nxehtësinë e polemikave. Atje qahen hallet, zgjidhen . . . ose harrohen. Bluarja e kafesë ngjason me bluarjen e esencës njerëzore e cila shtrydhet nën presion dhe del . . . kryevepër. E shtrydhur, e fortë apo e hollë sipas muhabetit ajo përshtatet.