Udhëtim fotografik -Radio e vjetër 

Sa e vështirë mund të jetë të gjesh pjesë këmbimi të radios së vjetër? Që kaq e vjetër pastaj nuk është… Megjithatë, llambat, pjesët mekanike duken prej një bote tjetër.Të  shkruarat lexohen kinezçe…shenjë e një historie të hidhur. Druri që  e mbeshtjell është modest gati i papërfillshëm. Ndersa po  përpiqej ta rregullonte,  monto-çmonto, gishtërinjtë shtypën fort telat e zverdhura e fap në korent. Radjoja gumëzhiti! Dha shenjë jete. Për një çast ashtu si Radjoja gulçoi në korent, gulçoi dhe zemra. Rrotullonte më kot butonat me shpresë të  gjente këngen e preferuar të rinisë.  Apo për çudi emisionin e fëmijve, përallën e darkës. Tak u fik!

Oh…mbase pjesët e këmbimit do ti gjejmë dhe radioja e vjetër do fillojë të këndojë përsëri…pak ashtu me të keq…Por ec e mbushja mendjen atij …se fjalët,  kënget …nuk përkojnë më me zemrën fëmijë.

Ftohtë, shumë.

Është shumë ftohtë. Duket nga avulli që del nga goja ndërsa flasim. Gishtërinjtë mpihen, veshët s’ndihen, hunda ngrin. Këmbët dru. I ftohti nuhatet, aroma e drurit të djegur. Tymnajat shfryejnë shfryej dhe unë se oxhak nuk kam. I ftohti mjerisht lexohet, në faturat e energjisë. Ai peshon, se shtohen shtresat dhe rrobat. Dhe rëndon dimri rëndon.

Ne nuk e ndjejmë dhe shumë sepse jemi akullnaja vet. Jemi ajsberg që ecim. Të gjithë të ngrirë disa të buzëqeshur, të tjerë të përlotur por të ngrirë. Zemra e zvogëluar gati kubet. Ç’qenka ky dimër shpirtëror? Ku nuk paska zjarr të ngrohë njerëzit e mpirë nga indiferenca. E cila ëmbël-ëmbël në formë piklash ka ardhur e pastaj ka zaptuar gjë e send. Ka zaptuar gjak e mish.

E urrej të ftohtin se kë më kujton…