Bora 

Bora e këtyre ditëve më kujtoi këto vargje që kam postuar një herë…

Bora

E bukur borë e bardhë, e pastër. 

E butë, e kadiftë.
Hipokrite bora, poshtë fsheh plehra, baltë.


Dy fytyra ka bora.
Të gënjen me lojëra naive, fsheh gropa të pabesa


Nuk e di nëse e dua atë bardhësi që fsheh kaq shumë, gënjen aq shumë.

E bukur bora mbetet . . . por unë kam hall kur të tretet.

Gjithmonë pret

Më pret kur kthehem. Gjithë gëzim duke tundur bishitin, ç’them bishtin, tundet i tëri. Më pret kur jam e zënë. Më pret derisa zgjohem në mëngjes për të më mbuluar me ledha . . . Më lëpin veshët çdo ditë. Pret kohën time për çdo gjë, shetitja, ushqimi, loja, përkdheljet. Pret si qen. Si qen pronarin. Pikerisht . . .

Mësoj se unë për vete nuk pres dot. Humb durimin shpejt. Acarohem kur nuk përmbush programin, kur pres dikë, kur nuk përgjigjen pyetjes.  Vij nga një epokë “shtatanikësh” e cila do të mbarojë punë menjëherë. Nuk pret as stinët as motin. Nuk pret. Vij nga epoka ku më i shpejti fiton. Vërtitem me nxitim  se as ata që dua nuk presin . . . Dhe për ti kënaqur më duhet të vrapoj.

Mësoj prej qenit  se dashuria e ndalon kohën dhe pret . . . dhe nëse dua të fitoj duhet të pres.