Etika në rrjet – Respekti 

Për  shumë vjet  nuk kisha  asnjëlloj profili  në  rrjete  sociale. Besoj se nevoja  për privacitet ishte shumë  e fortë. Kisha shumë  bezdi  të dija  se fotot e  mia ishin  ekspozuar nga të tjerët  me të tjerët. Akoma e kam  nëse  të paktën  nuk më bëjnë  tag.  Prandaj  i kuptoj shumë  mirë  ata që nuk duan ti përdorin, madje as nuk duan që të postohet  ndonjë foto e tyre. Patjetër që duhet respektuar mendimi i tyre.

Megjithatë, duhen respektuar  ata që i përdorin. Tashmë,  dashje  pa dashje  janë  pjesë  e jetës  moderne. Ne mund të zgjedhim  të lajmë  me dorë  por nuk do të shanim  ato që përdorin  lavatriçen.

Rrjetet sociale  sot përdoren  për punë, reklamë, për qëllime  shoqërore, art etj. Përdorimi i tyre të lejon  të ndjekësh  interesat e tua, të jesh në kontakt me miqtë  që kanë të përbashkëta  me ty. Megjithatë përdorimi i lavatriçes  edhe prish  rrobat  nganjëherë, prandaj duhet  të dish  ta përdorësh.

Çdo  rrjet  ka disa opsione  ku ti mund të mbash  nën  kontroll  privatësinë, komentet, madje dhe  sugjerimet  nga vet rrjeti  të cilat  bazohen  mbi pëlqimet e tua.  Lexo mirë se si përdoren  dhe nuk do të bëhesh  pishman.

Respekto  ata që  nuk duan  ti nxjerrësh në rrjete. Respekto ata që kënaqën duke ndarë  çastet  e tyre  me të  tjerët.

Advertisements

Galeria : Li Xiaocheng 

Bashkë  me artistin Helidion Haliti  ishin ekspozuar  pikturat  e artistit Li Xiaocheng. Shijoni  dhe ju disa!

Ato të çojnë larg, në një botë  ca të mistershme.

Ngjyrat e akuarelit  ta sjellin  Kinën  ëmbëlsisht më afër.

Arti ta bën  të panjohurën të afërt…

Bukë dhe Art

Të gjithë duan të ikin. Të gjithë të lodhur kërkojnë  prehje diku… larg. Largohen disa me pushime dhe kthehen në këtë tokë si të burgosurit pas lejes. Kush në Amerikë, kush në shtetet fqinje, vazhdon  kurbeti, më pak i egër… kush për shkollë,  kush martohet, ca me hile e ca pa hile.

Ankohen njerëzit, nuk ia dalim, nuk mundemi… këtu nuk rrihet. Mërziten njerëzit, këtu nuk ke çfarë bën, thonë. E ndoshta po … them… Qenkam unë e vetmja që do të ngelet këtu? E vetmja budallaqe. Kanë të drejtë, a nuk do të doja dhe unë të jetoja në një vend Evropian? E ndoshta po …. them … Sigurisht.

I hedh hapat drejt Sheshit Skënderbe, do shkoj tek Muzeu. Atje mblidhen  njerëzit që duan ajër, që duan jetën. Atje pres të hyj te Koncerti Recital Opera Soul.

Recitali? Një mrekulli vjeshte. Vjeshta po bëhet stina ime e preferuar.

Simona Karafili

Ardita Bufaj

Bashkë me tenorin  Denis Skura dhe balerinët Adela Muçollari, Anxhelo Muçollari.

U ktheva në shtëpi e lumtur. Gjithashtu mu sqaruan  mendimet.  Unë mund  të gjej  gjëra  për të bërë. Mund  të jetosh  plot  pasion e ngjyra. Ata që nuk jetojnë me pasion  këtu … Nuk do e gjejnë dot asgjëkundi.  Në çdo cep  të botës  … mund  të gjesh  bukë e Art!

Shiko shfaqjen e Adela Muçollarit dhe Simona Karafilit, shtyp emrat me link!

Në autobus – Kontrolli

Autobusi po kthehet në një eksperiment  social i  përditshëm. Hipi dhe shndërrohem në vëzhguese e natyrës  njerëzore në kaptivitet.

Pasi u ula, fatorino mu drejtua – Urdhëroni  zonjë! – Gulçova. Vinte lart e poshtë duke prerë bileta dhe fjalët  urdhëroni, të lutem nuk i ndaheshin. Madje u kujdes për një nënë me fëmijë  duke e ndihmuar teksa ngjitej. U kujdes që të mos kishte njëri tek dyert. U kujdes për sigurinë e pasagjerëve. Nuk di si ta shpreh  kënaqësinë që ndjeva. Ja që paska  shpresë!

Shpresa  zbriti  me gjithë kontrollorin. Po, fatorino po sillej ashtu sepse ishte gjatë kontrollit. E pashë me mëshirë kontrollorin e mashtruar … bashkë me “shpresën” që  iku bashkë me të. Pak sekonda u deshën dhe autobusi  u trasformua në vagon  bagëtish. Shoferi  ndalonte si ia donte qejfi, zbriti  për  të pirë  cigare  se … domosdo  ishte stresuar. Tani nuk të thoshte njeri zonjë, as të ndihmonte njeri. Filloi ti shtynte njërëzit me shpatulla që të kalonte vet. Dyert hapeshin si ia donte qejfi. Bëra  një pyetje  për ndalesën  … -Ehu- ulëriti duke  u tallur  – E ke kalu mi me kohë – Tani  ai ecte  bark përpjetë, me kapadai, duke mbajtur biletat si me kërcënim.

Unë  zbrita  pak krenare  … se isha po e njejta zonjë.

Shetitje në Korçë

Disa shtëpi heshtin ka ca kohë, bien të lodhura, syrrëzuara. Copë-copë bien tullat, suvatë antike. Bojërat  e shqitura  zbulojnë shijen e parardhësit. Bien erë  dru, të kalbur. Lulet  s’dinë të çelin  më … as pranvera  nuk mjafton.

Prap, besoj se mjafton një tregim  i pasaktë, një thashethem plakash, qe ti jepte përsëri … lavdi, dritë, ngjyrë. Sikur për një çast  të fundit. Duke çelur  portën, duke çelur histori të ndërlikuara dashurie, ndarje, ikje, rinie. Projekte madhështore, frika, luftëra, premtime dhe fjalë miqësie… të cilat  si shi rreshqitën në fund  të kalldrëmit përgjithmonë.

Tek Liqeni

Tek Liqeni të gjithë shkojmë. Të gjithë ndihemi në natyrë  pa prekur  egërsinë e natyrës. Ndihemi  të lirë, në këtë kapsulë të  gjelbërt. Ka familje  tek Liqeni,  shitës ambulant, të çmendur, artistë rrugësh, sportdashës. Liqeni është i të dashuruarve,  familjeve  të reja, studenteve me kitarë. Të gjithë, të rinj e të vjetër përçapen, ecin, vrapojnë, rrëshqasin me patina  … drejt  së gjelbres. E gjelbra  që mbijeton na tërheq. Ne e shtyejmë, ajo  hakmerret  ëmbël me varësinë që kemi ndaj saj.

E na bën të endemi rreth e rreth  liqenit  në dihatje  për oksigjen, duke  lypur  gjelbërim.

Klloun fëmijë 

Kërce  oh fëmijë i lumtur!

Bëhu  klloun, argëto dynjanë.

Qesh të qeshin.

Qaj të qeshin prap.

Kërce, hidhu, këndo.

Hahaha, hihihi.

Kënaqi  njerëzit dhe një herë.

Me lotët e tua le të dehen.

Me kërcimim tënd le të tronditen.

Me të qeshurën tënde mashtroji prap.

Vazhdo oh fëmijë i lumtur!

Rrotullohu dhe një herë  sa të merren mendt.

Sa t’ia marrësh mendt.

Tralala, karagjioze, e çmendur.

S’të njeh njeri oh fëmijë i lumtur.