Dalim

E ku do shkojmë? – Është pyejtja që vijon ftesën -Dalim?

Po, sepse paskemi nevojë të dimë për fije e për pe itinerarin e përcaktuar. Kemi nevojë të dimë se do të dalim për të hyrë prap diku. Kemi nevojë të jemi nën kontroll të çdo çasti në jetë. Dal prandaj vetëm veç për të ecur. Vërdall. Me hap të ngadaltë. Shijoj hapin tim. Dëgjoj zhurmat e qytetit, zërat, boritë. Ndjej shijen e smogut helmues, aromën e ëmbëltores. Shoh ngjyrat e vitrinave, qentë me pronarët, pleqtë që luajnë domino. Shoh çdo gjë si për herë të parë. I lë këmbët të lira, të më çojnë ku të duan. Pa qëllim. Pa qëllim, pa vrapuar, pa pasur një orar, pa ndjerë presion. Krejtësisht në dorë të rastësisë.

Sahati-Hajdeseflasim
Si sahat me shigjetat mbrapsht. Sahat i prishur jam. Çastet më duken përjetësi.

Në foto Sahati i Tiranës

Si sahat me shigjetat mbrapsht. Sahat i prishur jam. Çastet më duken përjetësi.

Sahati-Hajdeseflasim
Më pëlqen të humb kohë, se koha humbur më bën të fitoj.

Më pëlqen të humb kohë, se koha humbur më bën të fitoj.

Lodrat- Hajdeseflasim
Më pëlqen të endem, kundër kohës.

Në foto Sheshi Skënderbej

Më pëlqen të endem, kundër kohës.

Pictures by Hajdeseflasim

Advertisements

Një çast dashurie

Në kafe, në qendër, plot me të rinj e njerëz qyteti nuk kish se si të mos vija re këtë nënë. Në çast prania e saj stononte me atë ambient modern dhe muzika pop në sfond. Shikimi kalon te shoqëruesi i saj, nipi. I riu fliste me gjyshen si shoqe, teksa i hidhte sheqerin në filxhan. Në vend se të ishte stonim, ishte harmoni. Veç duke i parë ndërsa pinin kafe mësova tepër gjëra. Mu rrit në pak minuta respekti për atë djalë të panjohur. Disa me turp i fshehin pleqtë e tyre. Të tjerë kujtohen vetëm kur marrin lekë … ose tepër vonë. Ky djalë ka marrë një kafe dhe këmbyer dy fjalë. Mendoj se dha më shumë se ç’mendon. Një çast dashurie që ka për t’ia lehtësuar dhembjet. I dha vetes një çast paqeje, dhe mua mësim jete.

Një çast dashurieTek Mulliri i vjetër

Organizimi – Fillo!

Veç fillo - Pixabay

Një herë që ke kuptuar se ke nevojë për organizim dhe ke bërë nje listë të asaj që do të arrish: Fillo!

Mos prit momentin “e duhur”.

Nëse do të rregullosh shtëpinë mos prit kur të kesh mobiljet të reja. Nëse do të kesh një punë mos prit sa të gjesh vendin më të volitshëm. Nëse kupton se të duhet një ndryshim në jetë mos prit derisa gjërat të rregullohen.

Stresi që të kap kur do të bësh diçka por nuk ia del të çon në dëshpërim. Përshembull, sa stresuese mund të jetë papunësia. Atëherë, fillo! Kushto një ditë në javë kërkimit të punës. Sistemo informacionet që ke. Krijo një C.V.. Bëj një listë të punëve që do të dhe di të bësh. Nëse nuk di, mëso! Lexo, studio mundësi të reja.

Veç fillo!

Organizimi-Listat

Jam e fiksuar pas listave! Bëj lista për çdo gjë. Zakon që kam pasur që fëmijë. Bëj listë pazari sipas kategorive. Lista të dëshirave, të punëve, të njerëzve që duhet telefonoj apo të shkruaj. Lista e aktivitetëve të ditës. Kur udhëtoj bëj një list të gjërave që dua të marr me vete. Madje dhe të gjërave që dua të shoh, ndoshta ekzagjeroj pak…Sinqerisht më ndihmon shumë të mbaj nën kontroll kohën dhe ekonominë.

Nëse vërtetë nuk ke bërë kurrë një listë do të thotë se veçanërisht ke nevojë të fillosh.

Nuk kam kohë të rri të shkruaj-thua?Ndodh që pikërisht personi që nuk ka kurrë kohë të shkruajë një listë ka kohë të kthehet 3 herë tek dyqani për shkak të harresës. Sikurse ai që nuk ka para përfundon të blejë çfarë i del para … duke shpenzuar dyfishin e pa u ngopur.

Lista është hapi i parë drejt organizimi

Listat-Pixabay

Picture credit by Pixabay

Lista shpëton kohë, para dhe mund!

Organizimi – Pasuria

Mund  të jesh  i kamur edhe mos të kesh  asgjë ose me të ardhura  të pakta  e të kesh çdo  gjë që duhet.

Po ka njerëz  të pasur  të cilët  harxhojnë  lekë  pa e kuptuar. Shpesh nga një hyrje  mujore  të mirë mbeten  pa lekë.

Si të jesh  “vërtet” i pasur?

  1. Mos shpenzo  kurrë  nëse  nuk ke mundësi.
  2. Mos kërko  kurrë  borxh, veç  në raste  ekstreme.
  3. Bëj  një listë të gjërave bazë mujore.
  4. Mbushe  shtëpinë  me ushqime të domosdoshme.
  5. Jepi  përparësi Ushqimit të mirë dhe Shëndetit.
  6. Bëj një listë dëshirash.
  7. Mos u bëj  kërnac
  8. Ule standardin  e jetës  në gjërat  që duken, por mos ul standardin e ushqimit apo ushqimit  shpirtëror.
  9. Kujto  se mund  të dalësh e të kënaqesh  dhe pa lekë  ose me pak.
  10. Pasuro  mendjen! 

Zgjidh  të jesh  i pasur!

Spektator

Spektatorit ia heqin shpesh lavdinë. Kujtoj një shprehje: “Mos ji thjesht spektator”. E vërtetë në rastin e jetës, pasi të gjithë meritojmë të jemi protagonistë në të. Duhet të kemi rolin tonë të përcaktuar mirë që të ndihemi rehat, e pse jo të lumtur.

Në rastin e artit dhe të kulturës e shoh ndryshe. Nuk ka se si të jemi të gjithë protagonistë, dhe roli i spektatorit është i nënvlerësuar. Çfarë do të ishte një këngëtar pa dëgjuesit, një piktor i rrethuar nga njerëz pa shije e kështu me radhë…

Mjerisht të gjithë duam të jemi protagonistë. Dëshira e madhe për të marrë vëmendje është e fortë dhe shpesh na privon nga kënaqësia që të shijojmë artin apo punën e të tjerëve. Egoja që kemi ushqyer gabimisht na pengon të jemi spektatorë të shumë bukurive që na rrethojnë. Kjo na bën të krijojmë një cinizëm të cilin ndonëse jo i hapur me fjalë, e shprehim me vepra a në mendime, si . . . “përderisa nuk di unë . . . eh, as të tjerët s’ka se si të dinë”.

Pra shoh që ka shumë që kur dëgjojnë se tjetri di të këndojë, të shkruaj apo pikturojë bëhen kritikë dhe të ashpër. Në fakt … nëse shkruan poezi, dhe këtë e kam provuar vetë, shpejt nxjerrin diagnozën se je i çmendur, duke e ngritur veten në rolin doktorit. Të tjerë nuk durojnë dot suksesin e të tjerëve dhe injoranca lë vendin xhelozisë e cila i mbyll në një botë ku mbizotëron mediokriteti. Si pasojë nuk arrijnë të shohin më bukurinë që i rrethon.

Në fakt, jemi të gjithë spektatorë dhe protagonistë, me rradhë. Një herë që e pranojmë këtë do të jemi më të kënaqur … edhe në jetë.

Kur shoh balerinët që fluturojnë në skenë, pranoj me gjithë qejf të jem spektatore. Përgatis veten të shijoj atë që as ata vetë nuk dinë se po përcjellin. Jam e sigurt se kurrë nuk do të arrija të bëja diçka të tillë … por e dua baletin ndoshta po aq sa ata. Ja që Spektatori ka fuqi të madhe, ka një përgjëgjësi të madhe. Spektatori është kryesor, i cili paguan, sakrifikon, përhap, flet … për atë që pëlqen. Shpesh ankohemi nga mediokriteti i muzikës, i teksteve të rëndomta … Faji është i spektatorëve. Zgjedhja është e tyrja. Artistë të mirë ka plot, është shpesh publiku që lë për të dëshiruar.

Zgjedh të jem spektatore, kërkuese, e vemëndshme ndaj çdo bukurie që më rrethon. Sidomos të atyre pabujë, jokomerciale. Pranoj të shijoj Artin e të tjerëve, ta çmoj, ta dua…. për këtë po, mund të jem pak krenare, pasi që të jesh spektator duhet të kesh talent!

Spektator - Ajkuna
Edhe të jesh spektator kërkon talent

Valle hedhin këta shqiptarë

Pas lajmit të vdekjes së Rexhep Çelikut, vendos të publikoj këtë poezi time modeste, e frymëzuar duke parë Ansamblin para shumë vjetësh.

Arti dhe vallja popullore ka fytyrën e tij.

Valle hedhin këta shqiptarë,

Herë në hapa të ngadalta, si ditët e dimrit

herë si vera  netëve të nxehta.

Valle hedhin këta shqiptarë herë të shpejta,

si çastet e lumturise…

herë si era e stuhise.

E po daullja reh reh

në zemër e në qenie

Ky ritëm i pangopur  më përpin

Kjo daulle që pikon si gjak

jep impuls venave te mia

Valle hedhin këta shqiptarë valle plot hare, gëzim e dritë.

Valle dasmash, grash, barinjsh.

Ç’thjeshtesi e ç’madheshti

Ç’perpëlitje e ç’ngjyra

Sa e kuqe behet skena

plasin zemrat nga furia

Sa e zezë hera herës,

nga këngët e kurbetit

Sa e çelur manushaqe

nga vallet e lëndines.

Ç’përpelitje, ç’ngjyra, ç’njerëz

Çdo zemër buçet me gjallëri

Sikur të mos të vij nga shpirtëra

Po të jenë shpirtëra vet

Ç’freski perçojnë, ç’dhuratë!

Se sot po shoh se tek ky vend

Nuk ka vetëm baltë e dhembje

Nuk ka vetëm gri e zymtësi

Nuk ka vetëm skamje e frikë

Por dajre e hare

Ka ngjyrë të kuqe e krenari

Ka valle e pasuri

Degjoji mirë, o mik

Degjoji mirë tringëllima e deleve,

Erën e egër në qafat e malëve

Degjoji mirë, mos e rrudhos hundën as me isot e Labërisë

Se deti i frymëzon, valët dhe shkëmbinjtë

Dëgjo hap veshët

Se daullen , dajren, gajden, dhe violinen

Të flasin e të rrëfejnë se çka ky vend kaq i çuditshëm

Se çka ky popull për ty i rrëzikshëm

Hapi sytë o mik, kulloti një herë

Përpiji ngjyrat e shiko ç’thesar

Shiko, e do kuptosh natyrën e një shpirti

Natyrën e kësaj toke

Dhe të pushosh një herë ta  shash

Ç’ngjyra të papara, nuse të stolisura

Me xhixha e të qëndisura

Ç’nder në levizjet femërore

Ç’ndrojtje në levizjet brenda rrethit

Ç’dashuri në qeshjet e secilës

Tunde shaminë o vajzë e mos u lodh

Tundi xhixhat e mos ndalo

Këndo sa te kësh frymë

Hidhuni  ju djem lëndinash

Kërceni e mos u mpini

Sa të kuptojnë se ç’jeni

Se këtu nuk ka vetëm baltë e dhembje

Gri e zymtësi

Skamje e frikë

Por ka dajre e hare

Ka ngjyrë të kuqe e krenari

Ka valle e dashuri

 

 

Rri me njerëz që të frymëzojnë

Hajdeseflasim  për ato lloj personash që kalojnë në jetën tuaj për pak çaste dhe ndryshojnë gjithçka. Të ngjisin dashurinë për jetën dhe energji pozitive. Me ta kënaqesh jo veç se ata vet janë interesant dhe të mirë, por të bëjnë të ndihesh dhe vet po i mirë. Nxjerrin më të mirën nga ty. Nxjerrin më të mirën, atë të mirën që dhe vet kishe harruar se kishe… se paske akoma.

Edhe nëse shkurt takimet me këto persona janë të dobishme, gjithmonë ndihesh i mbushur, i kënaqur. Gati për të jetuar jetën ndryshe, me motive të reja, me forca të reja. Qëndro mës shumë me persona të tillë, dhe kufizo njerëzit negativë vetëm me takime të nevojshme. Mjerisht disa  të njerëzve më pozitivë mund të banojnë larg, por ja që Interneti na hyn në punë. Mbaj kontakte me këta, shkruaj, lejo të të shkruajnë, ndoshta pa dashje edhe ti do të jesh frymëzim për ta.

Qiell-Hajdeseflasim

Miqtë e mirë respektojnë vendimet e tua, bëhen krah në projekte, ëndërrojnë me ty.

Etika në rrjet- Komentet

Të komentosh në rrjete sociale mund të jetë shumë zbavitëse dhe madje dobiprurëse. Zbavitëse sepse në disa raste mund të hapen tema shumë qesharake me persona që kanë të njëjtën shije humori me tëndin. Shpesh gjej veten duke bërë gallat me miq në Instagram,  çdo gjë nisur nga një koment i goditur. Dobiprurëse sepse komentet  të çojnë në komunikim me klientë të mundshëm, lidhesh me personat që kanë të njëjtat interesa pune, dhe mbi të gjitha merr feedback të postimit. Kjo vlen sidomos nëse ke një profil bisnesi apo pune.  Pra, nëse përdor rrjete sociale komenti bëhet pjesë e domosdoshme.

Për sa i përket pjesës zbavitëse,  ki kujdes, pasi jo të gjithë kemi të njëjtin lloj humori. Nja dy herë më ka ndodhur të shkruaj komente krejtësisht të pafajshëm por që marrësi nuk i ka perceptuar siç mendoja. Nëse ke një profil publik, të hapur, apo bisnesi, ki kujdes me komentet pasi ato mund të ulin nivelin profesional të faqes. Nëse e ke të mbyllur vetëm për miq,  normale që një sqarim i shpejtë mund të mjaftojë. Është gjithësesi bukur të përdorim komente me edukatë kundrejt të gjithëve. Kujdesi paraprak do të shmangë keqkuptimet dhe . . . nuk harxhon kohën kot.

Nëse ke një profil publik, komentet duhet të jenë të  menduara mirë. Zgjidh me kujdes se në cilën faqe po komenton. Fjalët duhet të jenë të shkruara saktë dhe sa më profesionalisht. Aktiviteti yt i menduar mirë mund të përbëjë  suksesin e faqes tënde. Do të tërheqë shikuesit e duhur, ndjekësit e duhur dhe me rradhë klientët e duhur. Shmang polemikat, shmang kritikat, mos shaj kurrë!

Gjithashtu, kur sheh diçka që ia vlen, mos ki frikë të shkruash një koment pozitiv. Mbase ai koment mund të ndryshojë ditën apo të përmirësojë punën e dikujt tjetër!

etikanerrjet - Copy (4)

Etika në rrjet- Report!

Report do të thotë raporto. Do të thotë të lajmërosh se  një imazh apo postim është kundër rregullave të rrjetit social. Mund të ketë imazhe të vjedhura apo të papërshtatshme madje dhe mizore. Nëse ti përdor mundësinë  që të raportosh  je duke vepruar drejtë. Kjo ndihmon  që rrjeti social të jetë më pozitiv për të gjithë. Nëse e bën këtë aq më pak imazhe apo materiale të papëlqyeshme do të qarkullojnë.

Mos u mjafto duke bërë block, mendo edhe për të tjerët.  Asnjë nuk do ta marrë vesh që ke qënë ti.  Ankohemi nga imazhe të shpifura, por pak e shtypim atë të shkretin buton për t’i ndalur. Ji i përgjegjshëm, kjo  do të bëjë të mundur pakësimin e plehrave në rrjet, e kështu do të kënaqesh më shumë ti edhe të tjerët!

hajdeseflasim etikanërrjet
Report nëse duhet!