Business Monday! Të mërkurën…

Zakonisht çdo të hënë tek profili @hajdeseflasim_ postoj produkte DXN. Sot nuk është e hënë por bie borë dhe unë midis një batanije dhe tjetren mendova  t’ju jap disa informacione. Është hera e parë që ngarkoj një PDF me WordPress, ju lutem të më thoni nëse ka shkuar gjithçka mirë!

Shkarkoni falas broshurën PDF tek linku vijues DXN Info

Kujdes nga bora!

Hajde se flasim!

Advertisements

Pranvera idiote

Oh Pranverë!
S‘beson tek dimri dhe
guximshëm çel lulet e tua.
Kapërcen stinë dhe mot,
mospërfillëse lëshon sytha e gonxhe.
Kot.
A ngrin ato nga bora e ngrica?
A thahen ato nga era dhe stuhitë?
Ç’do gjë ia vlen për një çast të ëmbël pranvere
edhe nëse idiote.

flower-3123130_1920.jpg

 

Lufta e ankesës

E njihni? Unë po. Është beteja që shpesh dëgjon midis dy njerëzve që duan të bëjnë sikur po interesohen për njeri-tjetrin. Njëri hedh, tjetri pret. Njëri ankohet, tjetri duhet të shtojë të paktën një ankesë, që të fitojë. I pari vazhdon e tjetri, duhet t’ia kalojë. Derisa sfilitet njëri. Derisa njëri duhet të ndihet keq se nuk qenka dhe aq keq. Çfarë fitohet? Fitohet një ndjesi e habitshme krenarie e mbuluar me viktimizëm. E mira nuk ka fund por as e keqja. Prandaj ia vlen apo jo të luftosh? Sa të kërkosh të mirat më mirë të mburresh me të këqijat. E pra, e si të jetë tjetri më i sëmur se unë, uh po halle? Halle kam unë më shumë.

Ushqehemi me shijen e ëmbël të dhembjeve të vogla të jetës, sikur na bëjnë të ndihemi më të mirë. Sikur meritojmë më shumë. E luftojmë të gjithë këtë betejë, është e pashmangshme. Qenka njerëzore. Kur e luaj këtë lojë më vjen të qesh se e di që kam më pak halle se ty por se si ti rrotulloj fjalët dhe fitoj. E ti ikën o i zi sikur nuk ke halle, i zhgënjyer. Disa e duan hallin më shumë se vet jeta. Disave u duhet halli. Sepse çfarë do të ishte jeta e tyre nëse nuk do të kishin një gjë për tu qarë?

Unë dua të humbas luftën e ankesës, më mirë po tërhiqem. Nuk dua të luaj më. Kur jam keq, më mirë nuk po ia them njeriut. E lë të kujtojnë se jam mirë. Se edhe të jesh mirë nuk është faj apo jo? Se kur vuan ia vlen të shijosh çfarë të mbetet. Mua më mbetet ta marr veten me të mirat se sa të rri e të të mbush mendjen njerëzve.

Unë do të ndez qirinjtë, do bëj një dush e do të dëgjoj muzikë, mbase dhe do të kërcej. Unë dhe hallet e mia! Se mund të jem e mirë edhe kështu. Mund të jem e mirë edhe pa dukur fatëkeqe. E po pata një hall, sa të luftoj kot …më mirë po e zgjidh.

candles-pixabay

Buka

Qofshim si kjo buka.
E mirë, e bollshme e bukur.
E bukur e pastër e mirë.
Qofshim si kjo buka.
E dashur e vërtetë e arritshme
U bëfshim bukë për shpirtin e pangopur.
U bëfshim buka e njeri tjetrit.

Shitësja e bukur

Vitrina të bukura, shumë ngjyrëshe, drita, dekore të menduara mirë. Çdo dyqan ka stilin e vet, dhe është një kënaqësi të hysh. Edhe shitëset janë të bukura. Kjo më kënaq…Deri sa hapin gojën. Nuk kanë përgatitjen e duhur njerëzore për ti shërbyer klientet.

Më ka ndodhur para ca kohësh të hidhja një sy në një dyqan aromash bimore. Kisha një shishe të Tea Tree në dorë e po ma reklamonte për parfum. Nuk e mbaj mend se si ra muhabeti po i thash vajzës vetull-instagram se Tea Tree nuk është parfum. Vajrat kanë përdorime të ndryshme madje unë i djeg në qiri si aromatizues. Ajo mbeti jo vetëm e habitur por ngulte këmbë se këto janë vetëm parfuma. Edhe sikur të kishte të drejtë, vajza e bukur fliste shemtuar. Vetëdija se ishte ishte hija e dobët e Kardashianit i mjaftonte për tu ndjerë superiore. Mirë, vazhdova bisedën… Nuk dinte çmimet, nuk njihte produkte, nuk kishte veshje profesionale, nuk dinte të artikulonte një fjali. Mbi të gjitha nuk buzëqeshte. Nuk më intereson të kuptoj mallin -tha -unë jam thjesht shitëse. Sa për të qeshur një shitëse qe nuk shet!

Shitësja e bukur nuk shiti! (Tani kuptoj pse marrin kaq pak)

Apel për pronarët e dyqanëve. Nuk duhet të jenë medoemos Miss apo shkencëtare. Mjafton të dinë të flasin, të jenë punëtore dhe të edukuara. Jo për gjë … po ka dhe dyqane online tani!

Shitësja që nuk shet!

Bisedë mençurie

-Pse je bërë kaq i thartë? Pse kaq i vrazhdë?

-Nuk është faj im, të tjerët më kanë bërë ashtu. Më kanë zhgënjyer shumë dhe shumë herë!-

-Çfarë të kanë bërë? –

-Më kanë zhgënjyer, mashtruar, më kanë përdorur. Kanë përfituar nga unë. Prandaj vendosa të jem i keq e ti largoj të gjithë. Nuk dua më të ndihem i shfrytëzuar. –

-Atëherë nuk është nevoja të bëhesh më i vrazhdë por më i zgjuar. Vazhdo të jesh i sjellshëm, jo budalla. –

Nëse ndihesh i shfrytëzuar mos u bëj më i vrazhdë por më i zgjuar

Organizimi – Plusko!

Nuk ka gjë më të vështirë se sa të vazhdosh. Sidomos nëse je një person si unë i cili frymëzohet shpejt dhe … mjerisht mërzitet po aq shpejt. Disa i paragjykojnë personat që fillojnë shumë gjëra, sikur nuk dinë të bëjnë asgjë mirë, dhe janë të paqëndrueshëm. Është e vërtet, por nuk janë të gjithë ashtu. Disa prej nesh kanë vetinë të bëjnë shumë gjëra njëkohësisht, kanë kuriozitet të pangopur dhe duan të dinë, të provojnë, të realizojnë sa më shumë të jetë e mundur. E luftoja këtë prirje duke u përpjekur të qëndroja e përqendruar vetëm tek një gjë.

Me kohë mësova se më duhej të provoja shumë aktivitete nëse doja të ndihesha e plotë. Në vetë vete nuk më intereson produkti që nxjerr por emocionet, përjetimet.

Plusko pra! – i them vetes. Mos mendo se duhet të bësh veç një gjë. Provo, përshtatu me veten. Provo gjërat e reja.

Shpesh shtëpia ime i ngjan një punishte artistike, rrobaqepsi, galeri arti dhe depo kopshtarie me laptopin gjithmonë gati për të shkruar. Pluskoj me frymëzim nga një projekt në tjetrin.

E pranoj se organizimi i sendeve mund të jetë sfidues. Me kalimin e kohës rrethohem nga shumë projekte të pambaruara.

Kur më del përpara diçka që dua të bëj, përpiqem të vlerësoj se ç’mund të nxjerr prej asaj përvoje. Nëse kam provuar një herë Decoupage përshembull, dhe nuk më ka frymëzuar, preferoj të provoj diçka tjetër më mirë.

Kur dua të merrem me një hobby sa për të provuar tani bëj kështu. Ftoj dikë që të merremi bashkë dhe e përfundojmë brenda ditës.

Kur filloj diçka e nis si përvojë, provë. Prandaj nuk investoj shumë në blerjen e çdo pajisje e material.

Përdor kutia për secilin projekt. Nëse shoh se nuk i hap për shumë kohë. Frymëzo dikë duke dhuruar gjithë kutinë!

Mos harro se pluskimi nga një aktivitet në tjetrin duhet të jetë kënaqësi e jo stres. Ndoshta hobby yt është thjesht të provosh hobby të tjerëve!

Tani, nuk kam më hobby, por thjesht punë që më japin kënaqësi. Sepse po kthej hobby në punë!

Pluskim të mbarë oh qenie të veçanta!

Laraskë

Në oborrin tonë janë përherë mysafire Laraskat. Laraskat e shkreta nuk kanë emër të bukur, e përdorin tek tuk si sharje. Po çështë njeriu? Me ç’autoritet përdor me abuzim emrin e një shpendi? Çuditem që fjala “njeri” nuk është bërë epitet negativ. Po ta marrësh nga veprat në krahasim, njeriu sikur ka bërë me shumë të këqija se një laraskë, apo gabohem? Përsëri sharja i mbetet emrit laraskë e jo njeriut.

Laraska e nënvlerësuar flutoron jo shumë vërtet, po më shumë se unë. Bishti i gjatë, i ndarë më dysh bardhë e zi shkon ca andej e këtej … më shumë se unë. Ma bën mëngjesin më të bukur. I shoh, hedhin valle, takohen dhe ndahen. Fluturojnë tek bliri i lart, kush e di ku është foleja. Legjenda thotë se është hajdute. Se ajo vjedh, merr çfarë gjen dhe e çon në fole. Në folen e saj mund të gjesh copëza teneqe, kopsa, kush e di ndonjë gjë të çmuar vërtet. Ajo fole e papërfillshme mund te jete thesar. Pra, laraska paska një prirje të jashtëzakonshme. Ajo kërkon jo veç të nevojëshmen por edhe të bukurën dhe e çon në fole.

Ajo gjen të bukurën atje ku nuk ka asgjë, nxjerr ndriçimin nga balta. Zbukuron folen e saj pa qënë nevoja, pa e ditur. Pa përtuar mbledh ushqim dhe bukuri, sikur të jetë e njëjta gjë.

Laraska-Pixabaz
Pa përtuar mbledh ushqim dhe bukuri, sikur të jetë e njëjta gjë.

Sa do të doja të isha dhe unë kaq naive sa te shihja skelqimin përreth e ta çoja në folen time. Laraska bishtgjatë, mbase gënjehet kollaj, nuk e dallon floririn nga alumini, nuk dallon zirkonin nga kopsa. Diamantin nga qelqi. As ajo vet nuk e di se pse kerkon. Gjen e mbledh thesare. Ama e zënë me duket mëngjes për mëngjes. Çdo ditë e më shumë po më duket zog mjaft i lumtur më shumë se unë. Mosperfillëse nga njerëzit që në fakt tallen me te. E po ju them sinqerisht se po më shanë Laraskë, herë tjetër do ti falënderoj!