Muzikë e ngrirë

Shoh me shumë kënaqësi që disa nga ndërtesat e Tiranës po restaurohen. Po i kthehet lavdia arkitekturës, pavarësisht se kush e kreu. Ka shumë shtëpi dhe ndërtesa të cilat meritojnë të rivlerësohen. Kam frikë se mos shemben. Për tu zëvëndësuar nga ndërtime anonime e pa poezi.

Për shumë vjet të braktisura, të lëna pas dore, të lëshuara. Por ndërtesat flasin. Ato tregojnë historinë, shpalosin shije, krijojnë atmosferë. I bën mirë njeriut të shkretë të ec e të shohë bukuri.

Është një ndërtesë e bukur në rrugë të Durrësit e cila më ka ngacmuar vazhdimisht imagjinatën. Ajo ka vite që është bosh, e braktisur, e rrënuar. Do të doja të dija më shumë për të. A ka qënë institut? Shkollë? E kujt ka qënë? Përbri Ministrisë së Arsimit lëngon e mjerë. Po pret rradhën e lodhur.

Arkitektura është muzikë e ngrirë – Johan Volfgang Gëte
Advertisements

Qylaxhiu

Qylaxhiu është specie njerëzore e cila po shtohet dita-ditës. Një lloj njerëzish që të neverit. Në një grup ka gjithmonë një qylaxhi, ai që nuk “tenton” kurrë të qerasë të tjerët, nuk sjell asgjë, nuk ndan asgjë. Qylaxhiu i grupit … bën ndoshta për të qeshur, është gallatë … mendon se shoqeria e tij është kaq e vlefshme sa kontributin e tij tashmë e ka dhënë! Mjerisht jemi të gjithë qylaxhinj ndonjëherë… Qylaxhi është edhe ai pretendon nga të tjerët. Ai që vjedh kohën, vemendjen, dashurinë. Ai që ngulet e nuk shkulet. Ai që merr sikur po të bën ty favor. Ai që pret me dorë lypsare e ta vesh me të njejten dorë me shuplakë.

Qylaxhiu merr forma të ndryshme. Shndërrohet sipas nevojës. Herë bëhet nevojtar, shkakton keqardhje, fiton sevapin. Herë të bind se është atje për ty, shkakton ndjenja faj, përfiton borxh. Herë të jep plehrat e tij që ti t’ia kthesh … sepse e di se ti do ti japësh më shumë.

Qylaxhinjt nuk janë gjithmonë të këqinj, por të këqinjt janë qylaxhinj.

Ëmbëlsi

Përgjeroj ëmbëlsi. Pesha e vrazhdësisë po bëhet e padurueshme.

E po vërtetë lajka s’duam por as kështu ama …

Më vjen të dal me një kusi sherbeti t’ua hedh në kokë njerëzve. Ti kujtoj se të qenët cub nuk i bën burra. Të qenët të vrazhda nuk i bën gra të forta.

Njerëzit

Aq më tërheqin aq dua ti qëndroj larg.

Jam e lodhur të puth e të përshendes njerez që nuk duan t’ia din. Ose duan t’ia din tepër… që duan të zgrapin nga ty … energji, kuriozitete, e ngopin barkun me llafe sa per ti vjellur kot diku pa vlerë.

Jam e lodhur ta bëj derrin dajë.

Më kërkojnë veç për ndihmë, informacion apo mbështetje. Kjo nuk quhet miqësi ky është biznes. Herë tjetër do të pres kuponin tatimor.