Ngjyrat

Ka shumë material për shpjegimin psikologjik të ngjyrave. Nuk do të mundesha të shtoja asgjë asaj që tashmë dihet dhe me kaq hollësi është shpjeguar nga specialistët.

Do shpenzoj veç dy fjalë për to pasi ngjyrat janë shumë të rëndësishme për mua.

Kur rrethohem me ngjyra që më pëlqejnë vërtetë ambienti bëhet i jetueshëm. Por cilat janë ngjyrat që vërtetë më pëlqejnë?

Duket se edhe në këtë, ambienti ndikon shumë, më shumë se ç’mendoja. Fillon që kur jemi të vegjel kur na sugjerohet një ngjyrë më shumë se një tjetër. Apo varet se ku rritemi, ku e zeza është klas dhe hidhet poshtë çdo ngjyrë e gjallë duke e paragjykuar si vulgare. Ose e zeza është veç zi dhe nuk shihet me sy të mirë. Prandaj si për shumë, ngjyra e zemres ka ndryshuar gjatë jetës.

Kam pasur mundësi të shoh shtëpitë e fshatit ku se fundmi mbizotërojnë tonet e bezhes. Subkonshi i tyre bërtet kundër “lajle-lules”. Kur në fakt natyra e fshatit e frymëzuar nga ambienti historikisht frymëzon ngjyra e kombinime të pamendueshme dhe të ndërthurura me folklorin. Prandaj shpesh njerëzit shmangin atë që vërtetë pëlqejnë.

Rëndësia e ngjyrave

Ngjyrat ndikojnë shumë tek ne. Në rradhë të parë, mendo vërtetë për ngjyrën ose shumë ngjyrat që të pëlqejnë. Kupto se cilën prej tyre të përfaqëson. Kupto se si të bën të ndihesh secila prej tyre … Do të vëresh edhe se ndër vite ke ndryshuar po ashtu ngjyrat e tua. Ngjyrat nuk janë vetëm një argument gocash dhe specialistësh së modës. Ngjyrat janë pjesë e jetës dhe nuk duhen nënvlerësuar.

Ke menduar se ndoshta ngjyra e murëve mund të sjellin oreks apo paqe? Apo ngjyrat e bluzës të bëjnë të ndihesh pa motivim?

Prandaj rrethohu me ngjyrat që do dhe që të bëjnë të ndihesh mirë ty.

Provo kombinime të guximshme që të sjellin gëzim. Kombinimi i tepërt mund të jetë një grackë e mërzitshme.

Kam pasur një herë një mur të kuq dhe të tjerët të verdhë … ndihesha një perandoreshë kineze. Ishte energjizuese dhe shumë zbavitëse.

Ngjyrat e shpirtit tim:

Advertisements

Sa i dua lulet…

Pse duhet të mbajmë lule?

Nëse jeton në qytet të kesh lule është jetike. Kontakti me natyrën, me dheun, me gjethet, janë domëthënëse kundër stresit. Madje disa bimë janë të këshilluara të mbahen në shtëpi. Dhe janë shpesh më të zakonshmet dhe të thjeshta për ti mbajtur.

Nuk është vetëm e shëndetshme por edhe qetësuese. Unë filloj ditën me pak minuta duke soditur lulet e mia. Mjafton një shikim prej pak sekondash për të mbushur zemrën me pak gëzim. Me zi pres ti ujis dhe të shoh surprizat e tyre të përditshme.

Fillo thjesht fare

Nëse dëshiron të kesh një qoshe në shtëpi apo në ballkon fillo me lulet që të duan! Janë disa lloj lule që pa naze rriten. Janë ato mishtore.

Mjafton të këpusësh një gjethe apo një degë dhe ato marrin jetë. Ato këputen dhe mbijnë vet rastësisht, kanë një forcë jete dalluese. Nuk duan shumë ujë, nuk duan dheun më të mirë… Avash avash duke i njohur do fillosh të dallosh nevojat e tyre, të shtosh sipas dëshirës minikopshtin tënd.

Çfarë mësova nga lulet?

Mësoj çdo ditë që jeta vazhdon. Nga çdo farë, degë e këputur ka shpresë. Ekziston elementi i vazhdimësisë në natyrë. Çdo gjë rritet, lulëzon shndërrohet, kurrë nuk shkon dëm. Mësoj se duhet durim, të presësh stinën për lulëzim. Mësova se secila ka kohën e vet, disa më delikate disa të forta. Tamam si njerëzit. Dashuria për lulet është dashuri për veten. Ndërsa i jep kohë atyre në fakt po merr kohë për vete.

Shiko këtë mrekulli të vogël!

Jeta nuk duhet të jetë e thatë, le të mbjellim dashuri.

Kam zbuluar një app interesant, nëse të pëlqejnë lulet shikoje! Shtyp linkun picturethis

Në autobus – Bagëti

I pashmangshëm herët a vonë. Autobusi mbetet akuariumi ku takohen njerëz që ndryshe nuk do të ishin puqur kurrë. Autobusi është për mua torturë dhe zbavitje.

Herën e fundit për të shkuar në destinacion mu desh të prisja gati një orë për të hipur në automjetin e cili nuk mbante më. Ishim kaq shumë sa nuk mund të levizje, frymëmarrja ishte e tepërt. Sa gjynah më erdhi për vete, për të gjithë. Atje ngjeshur -ngjeshur pësuam një shkrirje. U bëmë një. Kisha disa djem prapa që ulërisnin se donin të zbrisnin. Një grua goxha e mbajtur bezdisej nga unë … që nuk dija ku të shkoja. – Na shtype – tha. Kërkova falje por me sa duket nuk mjaftoi. Unë shtyja se më shtynin …

Nuk ka edukatë, etikë, shtresë shoqerorore, ndjesi njerëzore që mos të shtrëmbërohet kur je nën trysni. Të gjithë dalin nga vetja e nxjerrin më të keqen. Kthehemi në bagëti.

Sharjet, ulërimat, fjalët ordinere pëllitjet … janë porsi djersa, të pashmangshme.

Ja që mban erë autobusi, nga pjekja e mishit dhe nga shpërbërja njerëzore.

Disa gjëra nuk do të ndryshojnë kurrë.

“Pa qejf ” por me stil

Më pëlqen kjo shprehje “pa qejf”. A nuk është e mrekullueshme? Është një nga ato shprehjet të pakta shqipe që ka konceptin e privacitetit në të. Nëse dikush të përgjigjet “pa qejf” do të thotë se nuk po ndihet mirë fizikisht por nuk është tepër keq. Apo, është shumë keq por nuk ka dëshirë t’ia shpallë gjithë botës, praktikisht po thotë nuk dua të flas për këtë. Do të thotë edhe dhe se nuk është mirë emocionalisht, ka pasur një ditë të keqe. Ose siç më ndodh shpesh mua janë të gjitha këto bashkë! Fjala pa qejf të bën të mos ndihesh e mjerë dhe të mbulon me hir. Mbi të gjitha të shpëton nga detajet.

Një herë që kemi shpëtuar nga të tjerët, duke ikur me lezet me një – Jam pa qejf sot, të marr unë.- Duhet të bëjmë llogaritë me veten.

Njenja e fajit

Në momentin që anulojmë diçka sepse jemi sëmurë, apo pa qejf, një ndjenjë faj zakonisht nuk do të lejojë të rrimë rehat as atë ditë të shpifur me temperaturë. Fillojmë mendojmë se mund të kishim duruar, çfarë do të mendojnë të tjerët? Mendojmë për të gjitha gjërat nuk do të arrijmë të bëjmë.

Mentaliteti i dhembjes

Shtrihemi ndoshta pa menduar dhe presim shërimin në mëshirë të fatit. E vetmja gjë ndoshta, pijmë një qetësues. Sigurisht që duhet të mësojmë të bëjmë diçka për t’ia lehtësuar vetes dhembjen. Sikur thjesht mendërisht.

Nuk ka pse të jesh mjeran vetëm se je pa qejf. – artikull i mëparshëm

Nëse je shumë keq, kujdesu vërtet për veten. Duke u vizituar tek doktori, apo thirrur një person të dashur. Nëse është diçka kalimtare nuk është nevoja të bluash mendime negative për veten. Është veç një ditë, do të kalojë. Gjumi, mjekimet e duhura dhe pak humor bëjnë mrekullira. Shijoje ditën tënde. Mund të mbarosh me në fund atë romanin që ke lënë gjysëm, mund të shohësh video gazmore, apo të dehesh me luksin e gjumit. Pij çaj dhe shijoje jetën edhe “pa qejf”.

Pa qejf por me stil …