Fjalët

Sa më pëlqejnë fjalët. Dashurohem me secilën prej tyre.

Një nga një kur i zgjedh vet. Kur ato me rriten në shpirt si ndjenja foshnje pa emër. Marrin formë si ide, ndjenjë, për të lindur vrullshëm e më pas nga pena të shpërthejnë.

Dashurohem pas fjalëve që zgjedhin të tjerët. I pres një nga një, duke uruar mos të dalin veç nga një mendje e mprehte por nga një zemër e vertet.

A mund të  jetë fjala pasqyrim i zemres apo mashtrim i zbukuruar? A mund të jetë poezia aq e bukur sa zemra e poetit, apo është imitim mediokër?

Jam e dashuruar me fjalët, se ato dëgjoj, ato lexoj… zemrën nuk e shoh.

Reklama

Ossum lacrimalis

Loti nga kocka del.

Ngjizet në vend të panjohur.

Veç nga syri çel.

Niset shpërthim i pa sosur.

Nga mendim bëhet det

I kripur loti, i shijshëm.

Mbush kanalin e dhembja vjen në jetë.

I fortë loti dhe i lehtëshëm.

Loti nga kocka del

Gërryen si ujë shkëmbin

Kur rrëz syrit ngel,

dhembjet e mia ty të dhembin.

Hej dështak

Heronjtë e vërtetë

Ata nuk kanë kohë të jenë të suksesshëm. Nuk kanë kohë të valëvisin arritjet e tyre. Ata kujdesen tepër të shpëtojnë botën e jo të jenë të famshëm. Nuk kanë kohë të korrin lavdi e fitore.

Jeta nuk të ka bërë fitimtar, nuk të ka bërë të arrish “diku”. Ndoshta, ndoshta zgjedhjet e gabuara, gafat e adoleshencës, njohjet e gabuara, mundësitë që nuk vareshin nga ty. Nuk ke arritur aty ku “duhet”. Nuk ke arritur aty ku të gjithë thoshin se duhej të ishe. Sinqerisht, po ku duhet të ishe?

Nuk ke arritur majën, hë? E cila na qenka maja? Kush e ka vendosur se duhet të arrijmë të gjithë madhështinë? A është maja të kesh gjithçka të kalon në mendje? A është maja të ndihesh i plotfuqishëm mbi të tjerët?

Pa shikoje veten, o dështak, nuk arrite dot majën sepse ke qenë gjithmonë i zënë të merreshe me të tjerët, miqtë, familjen, tërë botën. I the vetes Jo për t’i thënë gjithkujt Po. Dhe ti e quan akoma veten dështak?

Arritjet e tua janë të tjera.

Je hero sepse çdo ditë i buzëqesh jetës, kur në të vërtetë të vjen të qash. Je akoma në këmbë, ndonëse të kanë rrahur shpesh. Nuk shtyp njeri edhe nëse ty të kanë ulur gjithmonë. Ke guxim të shohësh akoma ëndrra të reja se të vjetrat ti kanë shkulur një e nga një. Ti thua se nuk ke asgjë, por shumë ushqehen nga dora jote. Ushqen me fjalë të mira shokë e të panjohur. Ti ulërin ndaj padrejtësisë dhe thua se nuk ke zë të flasësh. Sa më shumë dështon me veten, ngrihesh fluturues në sytë e njerëzve mirënjohës. Sa më shumë të duket se je mbrapa do hedhësh hapa të vegjël, por të vërtetë. Ti që nuk e rëndon shpirtin e askujt, ngre të tjerët. Ti që ke frikë edhe të marrësh frymë se mos pengon a prish punë, nuk e kupton se je balonë në furtunë?

Ti shpëton botën çdo ditë dhe thua se je dështak!. Je superman, e ti ndihesh dështak!. Fluturon lart dhe ke frikë nga hapi yt!. Heronjtë e vërtetë nuk janë gjithnjë të famshëm, ata fshihen rrugëve të errëta të qytetit ndërsa gjuajnë raste për të dhënë një dorë.

Je hero sepse di të kapësh qiellin me dorë, me dorë di të përkëdhelësh e të mbash fillin e jetës. Je hero zemër-fëmijë që guxon të shpresosh, të kërkosh akoma të mirën rreth teje, dhe e gjen edhe kur nuk ka më.

Nëse ndihesh dështak është sepse ke një zemër që rreh më shumë se ç’duhet. Sepse ke luftuar, rrahur fort, ke vrapuar, ecur vetëm për tepër kohë. Po prapë çdo herë që je ndier i braktisur ke vendosur të shoqërosh dikë.

Ndoshta nuk ke për atë arritur diku, sepse tashmë ke ecur shumë. Ke bërë më shumë se ç’mendon, më shumë ç’mundje.

*Është shkruar në gjini mashkullore por sigurisht vlen për të gjithë

Vesa

Ti Vesë, lehtë bie

e qelqtë me tinguj fisnikërie

Ti Vesë, ledhaton ku prek

trëndafilat të janë jastëk

Ti buzëqesh, botën eklipson

Bota hesht sepse ti ekziston

Ti loton . . . qiellin me re mbush

Prap, ti Vesë bie, freskon zemrat prush

Ty Vesë,  puhiza e jetës të çon

ëmbël-ëmbël  në kopshte kalon.

Ti Vesë, lehtë bie

e qelqtë me ngjyra dëlirësie.

Ti vesë

Pikat mbi “i”

Kujtoj sa herë mundohesha t’i rregulloja gjërat, duke vënë pikat mbi “i”. Madje duke shtuar pika aty ku nuk duheshin. Duke u përpjekur të përmirësoja veten deri në obsesion e të tjerët po ashtu. Analizë mbi analizë për të kërkuar defekt e në fakt për të gjetur veç mirësi, në fund të fundit. Aq mësohemi me të mirën sikur me të keqen, sa nuk e dallojmë më.

Nuk dua më të vë pikat mbi i, le ti lëmë pa pika. Le ti lëmë i-të në qejf të tyre dhe pikat gjithashtu.

Zbulimi i ëmbëlsisë ishte mbi të gjitha një nevojë e imja, ndihesha e rënduar nga fjalët e forta, pushtuese, nxitja e vrazhdë, shkundjet shpirtërore. Mungesa e një fjale të mirë, një ledhatimi shpirtëtor.

Zbulova se sa e fortë është ëmbëlsia.

Pra, e lashë derën e shpirtit të hapur, fillova të thith ëmbëlsinë e tokës, të qiellit, të kafshëve, të natyrës, të njerëzve, timen. Se isha e ëmbël shumë, dhe nuk e dija. Fillova të rrezatoja e të pasqyroja kë takoja. Pa u vrarë, pa vrarë. Pa u bezdisur, pa bezdisur. Pasqyrimi i dritës thyhet tek prizmat e ndryshme dhe ndahet, shtohet në dritë po aq të bukur. Nëse dua të shoh dritë, duhet ta rrezatoj, duke lënë shpirtin e hapur. Shpirti i hapur tërheq veç ëmbëlsi.

Shoh sa dritë ka rreth meje aty ku nuk kisha parë kurrë. Aty ku nuk e prisja. Tek njerëzit që as vet nuk e dinë se kanë. Pa gërrmuar e mira del vetë…

Ngadalë jeta ndryshon për mirë, jo duke vënë pikat mbi “i”, por duke thënë një fjalë të mirë, një kompliment, një faleminderit. Duke nxjerrë më të mirën nga vetja e çdokënd që takon në rrugën tënde.

Fytyra ndryshon kur jep dritë. Zemra ndryshon, shpirti ndryshon. Drita do të shumëfishohet ndërsa jap e marr.

Po mbledh të gjitha pikat të pavëna mbi “i” dhe po i përzjej si yjet në univers.

 

 

 

Siç ta ka ënda

Do të doja të isha më e shëmtuar, të largoja të gjithë shikimet që s’janë të tuat.

Do të doja të isha më e bukur, të skalitesha në mendjen tënde.

Të isha fryt i fantazisë tënde.

Do të doja të më vizatoje ashtu siç ta ka ënda.

Trishtimi

Trishtimi … sa më bën për të qeshur. Vjen kështu kot, kujtohet për mua. Afrohet me stil, shumë. Rrëshqet ëmbël ndërsa më përkëdhel dhembjet. Nuk e përzë, se më pëlqen si vjen. Ma zapton qënien e unë qesh. Nuk ma ndryshon kush fytyrën e ndërsa brenda pushtohem e plaçkitem prej tij, ende qesh. Oh sa qesh. Vjen shkatërron dhe ikën. Unë qesh hidhur ndërsa shoh zbrazëtinë e lënë nga trishtimi që largohet i enjtur me lotët e mia të pa derdhura. Unë vazhdoj të përshendes, të begenis… ndërsa shijoj rrafshimin e shkretë… dhe qesh.

Picture of T-yongchung sculpture

Kur ecën ndryshe

Kur ecën ndryshe ata që të shohin u lodhkan. Ti hipën e zbret, atyre u këputet mesi. Kur ecën ndryshe nuk arrijnë të kënaqën se mbërrite po shohin hapin, këpucën, ndjekin ijët. Ti ecën drejt, atyre u duket përpjetë. Ti ecën hijshëm atyre u duket snob.

Ti mban peshat e tua, po kush ankohet? Prap të tjerët. U lodhkan të tjerët me hapin tënd.

Po unë do vazhdoj të ecë kështu me klas, kush është i cekët e nuk kupton, le të hapë rrugë.

Ty të besohet?

… ty të besohet?
E ndjej lumturinë tënde më shumë se timen.
Gëzimi që ndjen ti më shumëfishohet brenda vetes.
Ty të besohet?
E ndjej mërzinë tënde më shumë se timen.
Keqardhja që ndjen ti më përpjesëton shpirtin.

I uroj vetes pak … nuk pres shumë. Po ty të uroj më të mirën se e ndjej më shumë – pra në empati paska një pikë egoizëm.

Ah sa keq ngatërrohem kur shoh të tjerët e palumtur. Ndjej detyrën t’i lumturoj, t’i shpëtoj, t’i bëj të qeshin.

Ty të besohet se lumturia jote është në fakt e imja? E prandaj më dhemb shpesh zemra se nuk shoh dot kaq shumë trishtim e dhembje përreth.

Prandaj më duhet të largohem herë pas here, të gjej mënyrën të jem e lumtur vetë. Të gjej forcën të kapërcej gjithë dhembjen e botës e të vazhdoj të buzëqesh.