Etika në rrjet- Komentet

Të komentosh në rrjete sociale mund të jetë shumë zbavitëse dhe madje dobiprurëse. Zbavitëse sepse në disa raste mund të hapen tema shumë qesharake me persona që kanë të njëjtën shije humori me tëndin. Shpesh gjej veten duke bërë gallat me miq në Instagram,  çdo gjë nisur nga një koment i goditur. Dobiprurëse sepse komentet  të çojnë në komunikim me klientë të mundshëm, lidhesh me personat që kanë të njëjtat interesa pune, dhe mbi të gjitha merr feedback të postimit. Kjo vlen sidomos nëse ke një profil bisnesi apo pune.  Pra, nëse përdor rrjete sociale komenti bëhet pjesë e domosdoshme.

Për sa i përket pjesës zbavitëse,  ki kujdes, pasi jo të gjithë kemi të njëjtin lloj humori. Nja dy herë më ka ndodhur të shkruaj komente krejtësisht të pafajshëm por që marrësi nuk i ka perceptuar siç mendoja. Nëse ke një profil publik, të hapur, apo bisnesi, ki kujdes me komentet pasi ato mund të ulin nivelin profesional të faqes. Nëse e ke të mbyllur vetëm për miq,  normale që një sqarim i shpejtë mund të mjaftojë. Është gjithësesi bukur të përdorim komente me edukatë kundrejt të gjithëve. Kujdesi paraprak do të shmangë keqkuptimet dhe . . . nuk harxhon kohën kot.

Nëse ke një profil publik, komentet duhet të jenë të  menduara mirë. Zgjidh me kujdes se në cilën faqe po komenton. Fjalët duhet të jenë të shkruara saktë dhe sa më profesionalisht. Aktiviteti yt i menduar mirë mund të përbëjë  suksesin e faqes tënde. Do të tërheqë shikuesit e duhur, ndjekësit e duhur dhe me rradhë klientët e duhur. Shmang polemikat, shmang kritikat, mos shaj kurrë!

Gjithashtu, kur sheh diçka që ia vlen, mos ki frikë të shkruash një koment pozitiv. Mbase ai koment mund të ndryshojë ditën apo të përmirësojë punën e dikujt tjetër!

etikanerrjet - Copy (4)

Advertisements

Etika në rrjet- Report!

Report do të thotë raporto. Do të thotë të lajmërosh se  një imazh apo postim është kundër rregullave të rrjetit social. Mund të ketë imazhe të vjedhura apo të papërshtatshme madje dhe mizore. Nëse ti përdor mundësinë  që të raportosh  je duke vepruar drejtë. Kjo ndihmon  që rrjeti social të jetë më pozitiv për të gjithë. Nëse e bën këtë aq më pak imazhe apo materiale të papëlqyeshme do të qarkullojnë.

Mos u mjafto duke bërë block, mendo edhe për të tjerët.  Asnjë nuk do ta marrë vesh që ke qënë ti.  Ankohemi nga imazhe të shpifura, por pak e shtypim atë të shkretin buton për t’i ndalur. Ji i përgjegjshëm, kjo  do të bëjë të mundur pakësimin e plehrave në rrjet, e kështu do të kënaqesh më shumë ti edhe të tjerët!

hajdeseflasim etikanërrjet
Report nëse duhet!

Etika në rrjet- Pëlqe!

Ok e di, nuk je i detyruar të vësh like, por ama mos bëj naze kot. Pëlqimet janë të rëndësishme, jo vetëm për të përkëdhelur sedrën e sëmurë të atyre që postojnë Selfie pafund.

Pëlqimet e tua do të ndihmojnë  personin që zotëron faqen apo profilin të rrisë ekspozimin e tij. Madje dhe sugjerimet për ty do të përmirësohen. Prandaj, mos u bëj kërnac kur ia vlen të pëlqesh diçka. Rrjetet sociale nuk janë vetëm për qejf, disa punojnë me të!

Hajdeseflasim etikanërjet
Pëlqe atë që të pëlqen

Dhembja nuk e ka emrin tim

Hajdeseflasim

Dhembja nuk ka emrin tim. Dhembjen që ndjej është jashtë meje. Nuk jam unë burimi. Ka firmën e paqartë, nuk e njoh. E sigurt është nuk ka emrin tim.

Dhembjen që më lexon në sy nuk e kam lindur unë. Dhembjen që më sheh ndër vetullë nuk e kam vizituar unë.

Janë zhgarravina kalimtaresh, janë shenja të panjohurish. Unë e kam një emër dhe  është ndryshe. Kur sheh dhembjen tek unë mos e ngatërro me mua. Unë jam thjeshtë e mbuluar me të, ki guxim zbulomë.

Hareja ka emrin tim.

2018

Po ti e ke bërë listen  tënde? Kur bën një list synimesh prirja  është  të jemi  shumë  kërkues  me veten. Mos ji tepër  kërkues. Përqendrohu  tek gjërat që ke vërtetë në dorë, që të përkasin  ty. 

Pse është  mirë të bësh  një list?  Të ndihmon të mbash “fokusin” aty ku duhet. Të ndihmon  të njohësh  veten. Rrit respektin  për veten, pasi sheh që ia del. Të bën  të vetëdijshëm se je gjithmonë duke mësuar.

2017

Do të më pëlqente të thoja  se ka qënë viti  i mirë, po të harroja  luftërat, varfërinë, urrejtjen, abuzimet, dhunën. Po i harroj veç për një çast.

Po ka qënë viti i mirë. I kisha venë  vetes  disa synime… ia dola. Është kënaqësi të arrish  synimet. Është dhurata  më e bukur  që mund ti  bësh  vetes.

Unë jam kënaqur  këtë vit. Këto synime  më kanë afruar me njerëzit  e duhur. Më kanë afruar  me veten. Më kanë  dhënë dimension pozitiv jetës  së përditshme.

Para se të nis viti i ri ulu  dhe mendo dhe skruaj diku synimet  e tua. Më beso  të bën mirë.

Në autobus – Dehje 

Gjithë ai burrë lëshonte era raki. I skuqur, sytë e fryra, i enjtur. Më mori  lekët, nuk më ktheu kusur. U kujtua pas disa minutash u kthye … po bileta hiç. Heshta. Nuk mund të merresha me të. Alkoli nëpër damarë i kishte dhënë një të drejtë të heshtur për të bërë çfarë të donte. Disa njerëz nënqeshnin, ulnin  kokën, e ç’të bëjnë tjetër. Rakisë i hapet rrugë. Duhet marrë me të mira. I transformon njerëzit në një estradë që për të qeshur  mua nuk më bën. Çudi që pijaneci ka një vend gati folklorik në sytë e popullit.

Krijohet një justifikim injorant se i dehuri mund të shkelë ligjin, mund shkelë njerëzit përreth, mund të rrahë gruan, mund të harxhojë paratë kot. Dhe e gjithë kjo nën një hije  gazmore të urryeshme.

Keq më erdhi. Për të? Jo për ne. Për atë xhaxha me republikë që iu revoltuan zorrët kur s’desh më dha kusurin. Për atë djalin xhentil që më bëri me shenjë si për të thënë “është tapë … mos u ndjej”. Më erdhi keq për atë grua me të cilën ky fliste përçart. Më erdhi  keq për veten që mu desh të duroja aromën e rëndë të një realiteti të shpifur.

Ku i dehuri mjerisht bënka ligjin dhe ne duhet edhe të qeshim.

Picture by Pixabay

Dimri i ngrohtë 

Dimrin nuk e dua. Duket sikur  kam lindur  për të nxehtin, diellin, ditën e gjatë, shëtitjet  në darkë. Po dimri im prap i ngrohtë po duket sepse zjarri i Artit po më nxeh qenien. Po ruaj një ngrohtësi konstante në zemër e cila po më bën mirë. Po më bën mirë fizikisht.

Që kur po ngroh shpirtin me Artin… ndihem më e fortë, më e shëndetshme. Ndihem me më shumë energji.

Etrita Ibrahimi – Piano

Shiko dhe videon

Arti më ndez e nuk kam më ftohtë se bëhem vet zjarr.

Shpresa Beka – Soprano, Etrita Ibrahimi – Piano

Shiko dhe videon 

Në autobus – Kapedane

Isha në humor  të mirë. Hipa, ishte kaq plot sa duhet të zbrisje  që të zbriste  tjetri … me shpresë se do hipje  përsëri. Zakonisht  pres autobusin tjetër por siç  thash  isha në humor  të mirë. Fatorinoja ishte tym. Përpiqej  të vinte ne vijë “masën” njerëzore … masa që  si brum  krijohet  në  autobus. Bëhemi  të gjithë një. Fermentojmë. Fatorinoja iku nga cepi  i shoferit. Dallova zërat  që bëheshin  gjithmonë  e më të lartë. Plasi sherri midis tyre. Shoferi ndaloi  autobusin. Refuzonte  të ecte. U duk sikur  nuk po mbante  më. I stresuar, i lodhur, i mërzitur  nga sherri  me fatorinon. Fatorinoja qëndronte edhe ai acaruar dhe i  stresuar.  Disa pasagjerë donin të zbrisnin dhe i binin xhamave.

Zëri i një gruaje  u ngrit më lart akoma. Qortoi fatorinon që po shante përgjithësisht pasagjerët me epitete paragjykuese. Qortoi  shoferin  dhe i  kujtoi  përgjegjësinë e tij. Zëri  i saj i  fortë dëgjohej  deri në fund, ku isha unë. Nuk mu prish humori  hiç, madje u kënaqa. Dy cubat  që deri pak para  hidheshin  si gjela,  heshtën. Motorri  u rindez  me qetësi … Gruaja shqiptare  kapedane!

Muri i Berlinit 

A e dini  se në Tiranë  është  një pjesë  e murit  të Berlinit? Muri u ndërtua më 1961  dhe u shemb më 1989. Më pëlqejnë muret … e shembura.

E shoh murin përfaqëson lirinë.

Muri i Berlinit - Hajdeseflasim
Më pëkqejnë muret… të shembura

E shoh murin… kujtoj muret e mia. Muret  që çdo ditë ndërtoj, që rregullisht  mirëmbaj. Frika, paragjykimi, kufizimi, pesimizmi, nënvlerësimi. Mure gjithnjë e më të larta. Më të pakapërcyeshme. Mure që kur mi shemb ndokush të më çlirojë, i rindërtoj me vrap që të mos më shijojë liria. Po, se muret  e betonit u shembkan kollaj e copa-copa u bënkan, sa na e sollën  një çik dhe këtu.  Po të miat, të tuat  vështirë  të rrëzohen.

Sot 1989a nuk është, nuk jam as në Berlin. Po murit  tim  i erdhi fundi.  Do ta rrëzoj e kurrë më mos ta ndërtoj.