Poetit 

Poeti dhe poezia nuk janë të nevojshëm. Jetohet  pa poezi, rrohet  dhe pa poet. Ashtu si jetohet pa ngjyra, pa shije, pa muzikë, pa dashuri. Ritmi i fjalës tënde do të mbetet  në vesh  të atyre që nuk duan të rrojnë pa ngjyra, shije, muzikë, dashuri, pa poetë e poezi.

Foto nga web 

Advertisements

Në autobus – Trishtimi

Shtypemi  dhe ngjeshemi, betohem  se nuk rri  kaq  gjatë  përqafuar  as me personin e dashur. Intimiteti deformohet. Gjendesh ngjitur me një të panjohur,  ndjen  frymën  në qafë të tjetrit, mbështetesh  tek shpatulla  e tetës, e cila mirëkupton. Shkrihen qeniet  tona. Nuk kuptohet  ku fillon  shpirti im  e ku mbaron i tjetrit.
Një nënë nga fshati mban një torbë të rëndë me shishe qumështi.  Fle, koka i lëkundet  rregullisht. Sa herë  frenon  mjeti, zgurdullon  sytë e më pas kthehet  ëmbël  në gjumë. Frenon  autobusi edhe një herë  e kësaj  rradhe unë bie tek torba  e qumështit. Ndjej lëngun  që tundet  e them me vete  – u bë gjalp -. I kërkoj falje  dhe nëna  hap zemrën. Më tregon  gjithë ditën e saj.

Ajo nuk ishte nënë, ishte më pak se 50 vjeçe. Ishte çuar në 3 që  të milte lopët, të mbaronte punët, t’arrinte  në Tiranë. Në Tiranë e kapën policët dhe e kthyen. Nuk kishte  shitur asgjë. Ishte tmerrsisht e lodhur. Tmerrsisht e lodhur. E dëgjova, nuk dija çfarë të thoja, nuk dija çfarë  të thoja.

Stacioni im. E përshëndes. Ajo më sheh e thotë – Na iku jeta kot – mbyll  sytë  prap që të flinte.

Zbrita.  Kisha grumbulluar gjithë  trishtimin  e saj. Torba  e saj e pashitur më mbeti  mua në zemër.

Koncerti i Ansamblit Popullor 

Vend i vogël kjo Shqipëri, plot me ankesa  të vjetra  e të reja. Historia nuk tregohet  gjithnjë e ndershme dhe na lë ca pyetje  pezull. Luftëra dhe beteja ku të humburit ngelen njerëzit.  Ngritje  dhe rënie, po e dini cila është  fitorja?

Fitorja janë po njerëzit.  Pikërisht  të humburit mbartin  fitoren, Artin. Ansambli Popullor Shqiptar është  përfaqësuesi i mbijetëses së kulturës  shqiptare. Herë i mbytur, herë i trembur, herë  i lodhur, herë i shndritshëm, herë me çmime, herë i paçmuar. Ama vazhdon. Kjo kulturë  shumëngjyrëshe e cila vjen nga malet, nga deti, nga lëndinat  dhe kodrinat, nga dashuria.

Arti popullor i shtrenjtë, që mbart  vlera, kujtime, gojëdhëna dhe histori. Një histori më e sinqertë ndonëse shumë e zbukuruar  nga muzika, vallet dhe koreografia. Një fitore  e vërtetë Ansambli Popullor Shqiptar, fitore vit pas viti… ku pavarësisht  rrjedhës së ngjarjeve  na jep më të mirën. Nëse në historinë  e betejave  humbasim  gjithmonë diçka,  me artin  fitojmë  më shumë.

Ja disa moment të vjedhura … kliko  videot

Ansambli Popullor Shqiptar – 60 Vjetori Violinist

Ansambli Popullor Shqiptar – 60 Vjetori Valle 

Ansambli Popullor Shqiptar – 60 Vjetori Valle

Ansambli Popullor Shqiptar – 60 Vjetori Kori

 Ansambli Popullor Shqiptar – 60 Vjetori Valle 2

Ansambli Popullor Shqiptar – 60 Vjetori Këngë 

#letëflasimsishoqe por dhe shokë …

Shtëpi e ëmbla shtëpi atje ku zemra pushon, tha një poetPor shpesh ajo veç na streson. Në vend se të ndihen rehat, pjesëtarët e familjes duan të jenë diku tjetër.

Patjetër, nuk duam që shtëpia jonë të jetë si fabrikë apo regjiment ushtrie por pak organizim mund të ndikojë për mirë tek e gjithë familja. Së  pari  duhet motivim, shiko 2 arsye të forta:

  •  Organizimi të lë kohë  për të bërë atë që do apo aktivitete  më të rëndësishme.
  • Organizimi lehtëson stresin.

Tani, të jem e sinqertë,  jam gjithnjë në  luftë me rrëmujën time. Por po ia dal mbanë! Shiko  2 këshilla fillestare që më kanë ndihmuar:

  • Zbraze shtëpinë. Kjo do të thotë se herë pas here (unë e bëj  në ndërrimin e stinës) heq çdo gjë që nuk kam përdorur.
  • Mos bli kot. Kjo do të thotë të mos blesh vetëm sepse  është lirë, apo se na e jep truri.

Këto  2 sugjerime  tashmë  mund ta lehtësojnë  disi shtëpinë tuaj!

Gërmadha 

Midis pallatesh të reja, vila pasanikësh…mbetet gërmadha groteske e një bote që pak kujtojnë dhe shumë duan të harrojnë. Mbetet atje …e rrethuar nga projekte të reja…por asnjë s’paska guximin ta hedhë poshtë.

Nuk dua të  shoh  më  gërmadha…as ato  të  zemrës sime.

Etika në rrjet – Respekti 

Për  shumë vjet  nuk kisha  asnjëlloj profili  në  rrjete  sociale. Besoj se nevoja  për privacitet ishte shumë  e fortë. Kisha shumë  bezdi  të dija  se fotot e  mia ishin  ekspozuar nga të tjerët  me të tjerët. Akoma e kam  nëse  të paktën  nuk më bëjnë  tag.  Prandaj  i kuptoj shumë  mirë  ata që nuk duan ti përdorin, madje as nuk duan që të postohet  ndonjë foto e tyre. Patjetër që duhet respektuar mendimi i tyre.

Megjithatë, duhen respektuar  ata që i përdorin. Tashmë,  dashje  pa dashje  janë  pjesë  e jetës  moderne. Ne mund të zgjedhim  të lajmë  me dorë  por nuk do të shanim  ato që përdorin  lavatriçen.

Rrjetet sociale  sot përdoren  për punë, reklamë, për qëllime  shoqërore, art etj. Përdorimi i tyre të lejon  të ndjekësh  interesat e tua, të jesh në kontakt me miqtë  që kanë të përbashkëta  me ty. Megjithatë përdorimi i lavatriçes  edhe prish  rrobat  nganjëherë, prandaj duhet  të dish  ta përdorësh.

Çdo  rrjet  ka disa opsione  ku ti mund të mbash  nën  kontroll  privatësinë, komentet, madje dhe  sugjerimet  nga vet rrjeti  të cilat  bazohen  mbi pëlqimet e tua.  Lexo mirë se si përdoren  dhe nuk do të bëhesh  pishman.

Respekto  ata që  nuk duan  ti nxjerrësh në rrjete. Respekto ata që kënaqën duke ndarë  çastet  e tyre  me të  tjerët.

Galeria : Li Xiaocheng 

Bashkë  me artistin Helidion Haliti  ishin ekspozuar  pikturat  e artistit Li Xiaocheng. Shijoni  dhe ju disa!

Ato të çojnë larg, në një botë  ca të mistershme.

Ngjyrat e akuarelit  ta sjellin  Kinën  ëmbëlsisht më afër.

Arti ta bën  të panjohurën të afërt…

Bukë dhe Art

Të gjithë duan të ikin. Të gjithë të lodhur kërkojnë  prehje diku… larg. Largohen disa me pushime dhe kthehen në këtë tokë si të burgosurit pas lejes. Kush në Amerikë, kush në shtetet fqinje, vazhdon  kurbeti, më pak i egër… kush për shkollë,  kush martohet, ca me hile e ca pa hile.

Ankohen njerëzit, nuk ia dalim, nuk mundemi… këtu nuk rrihet. Mërziten njerëzit, këtu nuk ke çfarë bën, thonë. E ndoshta po … them… Qenkam unë e vetmja që do të ngelet këtu? E vetmja budallaqe. Kanë të drejtë, a nuk do të doja dhe unë të jetoja në një vend Evropian? E ndoshta po …. them … Sigurisht.

I hedh hapat drejt Sheshit Skënderbe, do shkoj tek Muzeu. Atje mblidhen  njerëzit që duan ajër, që duan jetën. Atje pres të hyj te Koncerti Recital Opera Soul.

Recitali? Një mrekulli vjeshte. Vjeshta po bëhet stina ime e preferuar.

Simona Karafili

Ardita Bufaj

Bashkë me tenorin  Denis Skura dhe balerinët Adela Muçollari, Anxhelo Muçollari.

U ktheva në shtëpi e lumtur. Gjithashtu mu sqaruan  mendimet.  Unë mund  të gjej  gjëra  për të bërë. Mund  të jetosh  plot  pasion e ngjyra. Ata që nuk jetojnë me pasion  këtu … Nuk do e gjejnë dot asgjëkundi.  Në çdo cep  të botës  … mund  të gjesh  bukë e Art!

Shiko shfaqjen e Adela Muçollarit dhe Simona Karafilit, shtyp emrat me link!