Ossum lacrimalis

Loti nga kocka del.

Ngjizet në vend të panjohur.

Veç nga syri çel.

Niset shpërthim i pa sosur.

Nga mendim bëhet det

I kripur loti, i shijshëm.

Mbush kanalin e dhembja vjen në jetë.

I fortë loti dhe i lehtëshëm.

Loti nga kocka del

Gërryen si ujë shkëmbin

Kur rrëz syrit ngel,

dhembjet e mia ty të dhembin.

Reklama

Hej dështak

Heronjtë e vërtetë

Ata nuk kanë kohë të jenë të suksesshëm. Nuk kanë kohë të valëvisin arritjet e tyre. Ata kujdesen tepër të shpëtojnë botën e jo të jenë të famshëm. Nuk kanë kohë të korrin lavdi e fitore.

Jeta nuk të ka bërë fitimtar, nuk të ka bërë të arrish “diku”. Ndoshta, ndoshta zgjedhjet e gabuara, gafat e adoleshencës, njohjet e gabuara, mundësitë që nuk vareshin nga ty. Nuk ke arritur aty ku “duhet”. Nuk ke arritur aty ku të gjithë thoshin se duhej të ishe. Sinqerisht, po ku duhet të ishe?

Nuk ke arritur majën, hë? E cila na qenka maja? Kush e ka vendosur se duhet të arrijmë të gjithë madhështinë? A është maja të kesh gjithçka të kalon në mendje? A është maja të ndihesh i plotfuqishëm mbi të tjerët?

Pa shikoje veten, o dështak, nuk arrite dot majën sepse ke qenë gjithmonë i zënë të merreshe me të tjerët, miqtë, familjen, tërë botën. I the vetes Jo për t’i thënë gjithkujt Po. Dhe ti e quan akoma veten dështak?

Arritjet e tua janë të tjera.

Je hero sepse çdo ditë i buzëqesh jetës, kur në të vërtetë të vjen të qash. Je akoma në këmbë, ndonëse të kanë rrahur shpesh. Nuk shtyp njeri edhe nëse ty të kanë ulur gjithmonë. Ke guxim të shohësh akoma ëndrra të reja se të vjetrat ti kanë shkulur një e nga një. Ti thua se nuk ke asgjë, por shumë ushqehen nga dora jote. Ushqen me fjalë të mira shokë e të panjohur. Ti ulërin ndaj padrejtësisë dhe thua se nuk ke zë të flasësh. Sa më shumë dështon me veten, ngrihesh fluturues në sytë e njerëzve mirënjohës. Sa më shumë të duket se je mbrapa do hedhësh hapa të vegjël, por të vërtetë. Ti që nuk e rëndon shpirtin e askujt, ngre të tjerët. Ti që ke frikë edhe të marrësh frymë se mos pengon a prish punë, nuk e kupton se je balonë në furtunë?

Ti shpëton botën çdo ditë dhe thua se je dështak!. Je superman, e ti ndihesh dështak!. Fluturon lart dhe ke frikë nga hapi yt!. Heronjtë e vërtetë nuk janë gjithnjë të famshëm, ata fshihen rrugëve të errëta të qytetit ndërsa gjuajnë raste për të dhënë një dorë.

Je hero sepse di të kapësh qiellin me dorë, me dorë di të përkëdhelësh e të mbash fillin e jetës. Je hero zemër-fëmijë që guxon të shpresosh, të kërkosh akoma të mirën rreth teje, dhe e gjen edhe kur nuk ka më.

Nëse ndihesh dështak është sepse ke një zemër që rreh më shumë se ç’duhet. Sepse ke luftuar, rrahur fort, ke vrapuar, ecur vetëm për tepër kohë. Po prapë çdo herë që je ndier i braktisur ke vendosur të shoqërosh dikë.

Ndoshta nuk ke për atë arritur diku, sepse tashmë ke ecur shumë. Ke bërë më shumë se ç’mendon, më shumë ç’mundje.

*Është shkruar në gjini mashkullore por sigurisht vlen për të gjithë

Një ditë të bukur shiu

Shi bie në Tiranë, thotë dhe kënga.

Ishte një kohë kur shiu më mërziste shumë dhe më prishte humorin. Ndoshta sepse ishte koha kur s’kisha gjë tjetër që të më mërziste… ç’budallaqe!

Kisha përreth njerëz që ndikoheshin po ashtu nga moti. Disa mjerisht, vërtet ndikohen dhe nuk i gjykoj, por për vete vendosa të ndryshoja.

Në rradhë të parë sepse nëse sa herë të binte shi do qëndroja turinjvarur, duke jetuar në Tiranë, turinjt e mia do kishin kaluar kufirin. Nuk më dukej ide e mirë. Nuk duroja dot faktin se moti mund të më kishte në dorë.

Një ditë “të bukur shiu” i thash vetes: Mjaft, sot shiu le të bjerë e mos u ndjej! Le të lagë, le të shplajë, le të bëjë ç’të dojë. Nuk mund të fajësoj shiun për çdo gjë. Vërtet më dhemb koka kur bie shi, por fajin e ka migrena jo shiu. Si pra, nëse qenke me nerva e paska fajin shiu?

Ditën që fillova të “doja” shiun fillova të pranoja se është tepër e leverdishme dhe e poshtër të fajësojmë motin kur në fakt s’ka lidhje fare. Fillova të kuptoja se shpesh ankohesha kot. Se nuk mbaja përgjegjësi për qëndrimet e mia. Se isha kaq naive sa e lija në dorë të rastësisë humorin dhe suksesin e ditës.

Mora qëndrim. Vendosa me vetëdije të mos pranoja mendimin se shiu sjell mërzi. Përkundrazi atë dite dola jashtë pa çadër dhe e lashë veten të lagesha. Shiu mu duk sikur më këndoi këngë. Më puthi, më përkdheli, më zbukuroi. E lagur dhe e qeshur u ktheva e ndryshuar.

Që nga ajo ditë u ndjeva më mirë. Ditët e këqija u pakësuan. Shikoja me keqardhje njerëzit që akoma varnin turinjt në vend se të hapnin çadrën e të dilnin.

Nuk varet gjë nga moti, as nga njerëzit që të rrethojnë, veten e ke në dorë ti. Unë e harroj nganjëherë, por shiu ma kujton.

Nuk ka kohë të keqe dhe të mirë, ka qëndrim të keq e të mirë.

Bie shi hap çadrën, je i mërzitur hap mendjen.

New York

Është nëpër venat e qytetit që gjen esencen e vërtetë njerëzore. Ajo që shfaqet “në qendër” nuk është veç se një kartolinë mashtruese. Janë “rrënxat” e një vendi që zbulojnë identitetin real të tij.

New Yorku vërtert nuk fle. Vërtet nëse ecen natën dëgjon saksofonin jazz që qan nga një dritare e zymtë. Do të shohësh plehra, të pastrehë, grupe djemsh qosheve. Do ndjesh aromat të çdo kombi nga çdo dritare. Në një rrugicë të vetme do gjesh të mirën dhe të keqën e gjithë botës. Do të dëgjosh ndonjë të sharë shqip. Graffiti nëpër mure, nuk janë veç se gazeta e rrugicave dhe ndjen gjithë dhembjen, zëmërimin dhe lodhjen e të rinjve që janë plakur para kohe.

Realiteti sade. Pa garnityra e zbukurime. Ku njeriu i braktisur në xhunglen e egër provon të mbijetojë. Dhe po … ka akoma poezi.

Picture by @noascriptum

Pranvera idiote

Oh Pranverë!
S‘beson tek dimri dhe
guximshëm çel lulet e tua.
Kapërcen stinë dhe mot,
mospërfillëse lëshon sytha e gonxhe.
Kot.
A ngrin ato nga bora e ngrica?
A thahen ato nga era dhe stuhitë?
Ç’do gjë ia vlen për një çast të ëmbël pranvere
edhe nëse idiote.

flower-3123130_1920.jpg

 

Etika në rrjet- Report!

Report do të thotë raporto. Do të thotë të lajmërosh se  një imazh apo postim është kundër rregullave të rrjetit social. Mund të ketë imazhe të vjedhura apo të papërshtatshme madje dhe mizore. Nëse ti përdor mundësinë  që të raportosh  je duke vepruar drejtë. Kjo ndihmon  që rrjeti social të jetë më pozitiv për të gjithë. Nëse e bën këtë aq më pak imazhe apo materiale të papëlqyeshme do të qarkullojnë.

Mos u mjafto duke bërë block, mendo edhe për të tjerët.  Asnjë nuk do ta marrë vesh që ke qënë ti.  Ankohemi nga imazhe të shpifura, por pak e shtypim atë të shkretin buton për t’i ndalur. Ji i përgjegjshëm, kjo  do të bëjë të mundur pakësimin e plehrave në rrjet, e kështu do të kënaqesh më shumë ti edhe të tjerët!

hajdeseflasim etikanërrjet
Report nëse duhet!

Dhembja nuk e ka emrin tim

Hajdeseflasim

Dhembja nuk ka emrin tim. Dhembjen që ndjej është jashtë meje. Nuk jam unë burimi. Ka firmën e paqartë, nuk e njoh. E sigurt është nuk ka emrin tim.

Dhembjen që më lexon në sy nuk e kam lindur unë. Dhembjen që më sheh ndër vetullë nuk e kam vizituar unë.

Janë zhgarravina kalimtaresh, janë shenja të panjohurish. Unë e kam një emër dhe është ndryshe. Kur sheh dhembjen tek unë mos e ngatërro me mua. Unë jam thjeshtë e mbuluar me të, ki guxim zbulomë.

Hareja ka emrin tim.

Kështu-kështu

Dhe kështu-kështu…

Sa doja të të kisha afër

me sigurinë e buzëqeshjes tënde.

Do ta mbyllte sado pak gojën vetmia.

Do të doja të heshtnin kujtimet qofshin ato të qeshura…sidomos ato.

Të bija rehat nga kumbimi i zërit tënd të lumtur.

E di, ti  flutur, ia zbukuron ditën të tjerëve…

Unë rri pres thërrimet e mbetura nga dita.

Jo, jo …S’ke faj…as unë.

Është prap goja e vetmisë

që më kafshon… dhe s’ngopet.

Më ndjek kudo…

Herë se dua të jem larg nga njerëzit e gabuar,

herë se s’i kam afër të duhurit.

Organizimi fillon nga qëndrimi

Qëndrimi që më mungon së pari mua. Po, sepse sinqerisht kush do vërtetë të kalojë gjithë ditën çdo ditë duke bërë punët e shtëpisë? Megjithatë për të shijuar aktivitetet e tjera duhet  një ambienti i  rregullt dhe i  rehatshëm.

Vlerësoje punën tënde! Si mund të pretendosh që të tjerët të jenë mirënjohës nëse as vet nuk e çmon punën tënde? Pasi ke mbaruar  punën në një dhomë, për shembull, dil mbyll  derën e futu prap  duke  e soditur. Duhen  pak sekonda për  të ndjerë  kënaqësinë!

Si mund të gjesh kënaqësi ndërsa  bën punë shtëpie? Ja disa gjëra që më ndihmojnë mua!

  • Muzika, zgjidh ritme të hareshme!
  • Mos puno me pizhame! Vishu, krihu dhe rregullohu edhe nëse nuk do të shohë njeri!
  • Mendo me pozitivitet!
  • Shpërbleje veten! Sa herë mbaron një gjë bëj një pushim, një telefonatë, diçka për të pirë apo për të ngrënë. Në fund fare trajtoje veten mirë. Ndoshta një mask fytyre, manikyr, apo një shëtitje.

Përveç qëndrimit, organizimi kërkon planifikim, vend dhe metodë. Do të pëlqente të dije më shumë?

Takim

A ke marr ndonjëherë takim me veten?

Festa, evente, dreka e darka, të gjitha bëhen  shumë të këndshme në shoqëri. Po, çdo të ishim  pa miq edh familje. Por … është  një person  të cilin  e ke lënë pasdore. Veten.

Provo të marrësh  takim  me veten. Takohu me pjesën tënde  të brendshme  ndërsa  shëtit. Ulu  në një stol  dhe prit. Ulu në një lokal e prit  … vizito  një galeri  apo bibliotekën.

Prit. Prite  veten. Nëse  nuk je mësuar  do ndihesh  fillimisht në siklet, do të kesh një parehati, e do të shkojë  mendja të marrësh  dikë në telefon. Duro, jepi kohë vetes. Mos ki frikë nga vetja. Pasi të kesh  kapërcyer  këtë  fazë  … do të shikosh  se nuk je kaq keq  sa mendoje.

Mjerisht rrethohemi  nga njerëzit  sepse kemi frikë të rrimë vetëm. Kjo është  shumë  e rrezikshme. Po, sepse nga frika e vetmisë ulim  standardin  e shoqerisë, rrimë  me personin  që thjesht  është  i gatshëm. Duke ndenjur  me të gjithë  nuk do arrijmë kurrë të njohim  veten, ta duam veten.

Kultura  jonë mesdhetare është e njohur  për një jetesë kolektive qofshin fis  apo shoqëri. Kjo është  thesar! Por … duhet  të mësojmë  të lëmë  kohë  të rrimë me veten. Tu themi jo shoqërive  mbytëse. Tu themi jo njerëzve që na zhvasin energji.

Rri pak me veten  çdo javë, do zbulosh  se je shoqeri shumë e mirë!