Filtrin e duhur

Shkrep foto ca andej-këtej. Kthehem në shtëpi, e plandosem në kolltuk. Filloj të loz si padashje me filtrat në foto. I zbardh, i pres, i kthej. Provoj dritat, efektet me rradhë. Ikën koha, e gjej veten në një dimension ngjyrash e relievesh… derisa nuk zgjedh filtrin e duhur, të paktën për vete.

Gjetça një filtër dhe për vete. Një efekt të bukur që të më pëlqej vetja. Gjetça një efekt për vete, ta shoh veten ndryshe.

Advertisements

Më dhemb kurrizi

A të dhemb ty kurrizi? Mua po shpesh. Më dhemb nga peshat e vogla që mbaj për ditë. Ato fjalë që hedhin njerëzit pa u menduar, ato sjelljet pa edukatë, të bërtiturat e rëndomta.

Më dhemb nga peshat e mëdha. Nga gjithë dhembja e botës mbarë. Nga rënkimet më të largëta. Nga deti i lotëve që mbledh me kova.

Më dhemb kurrizi të mbaj peshën arogancës. Atë trastë të vogël injorance e ligë e cila kalon dorë më dorë e më ngec mua.

Po sikur të përmendim kërrusjen e dorëzimit? Dorëzimi se nuk çan dot, se nuk bërtet dot, nuk mashtron dot, nuk jep dot ryshfete qofshin këto edhe shpirtërore.

Eh, nuk mban kurrizi i lodhur ato gurë të rënda që mbledh nga ankesat e tjerëve … që pa dashje ngarkoj.

Më dhemb kurrizi, nga ato bagazhet që turistët e së kaluarës më lanë peng e kanë ikur… përgjithmonë.

Hamall ndjenjash.

Muzikë e ngrirë

Shoh me shumë kënaqësi që disa nga ndërtesat e Tiranës po restaurohen. Po i kthehet lavdia arkitekturës, pavarësisht se kush e kreu. Ka shumë shtëpi dhe ndërtesa të cilat meritojnë të rivlerësohen. Kam frikë se mos shemben. Për tu zëvëndësuar nga ndërtime anonime e pa poezi.

Për shumë vjet të braktisura, të lëna pas dore, të lëshuara. Por ndërtesat flasin. Ato tregojnë historinë, shpalosin shije, krijojnë atmosferë. I bën mirë njeriut të shkretë të ec e të shohë bukuri.

Është një ndërtesë e bukur në rrugë të Durrësit e cila më ka ngacmuar vazhdimisht imagjinatën. Ajo ka vite që është bosh, e braktisur, e rrënuar. Do të doja të dija më shumë për të. A ka qënë institut? Shkollë? E kujt ka qënë? Përbri Ministrisë së Arsimit lëngon e mjerë. Po pret rradhën e lodhur.

Arkitektura është muzikë e ngrirë – Johan Volfgang Gëte

Njerëzit

Aq më tërheqin aq dua ti qëndroj larg.

Jam e lodhur të puth e të përshendes njerez që nuk duan t’ia din. Ose duan t’ia din tepër… që duan të zgrapin nga ty … energji, kuriozitete, e ngopin barkun me llafe sa per ti vjellur kot diku pa vlerë.

Jam e lodhur ta bëj derrin dajë.

Më kërkojnë veç për ndihmë, informacion apo mbështetje. Kjo nuk quhet miqësi ky është biznes. Herë tjetër do të pres kuponin tatimor.

Jo jo jam mësuar

… në fakt sikur të kishte pranuar ndihmën tonë nuk do të dinim ç’të bënim. Ishim ca miq me makinë thamë ta ndihmojmë. Ajo thatë – Jo jo jam mësuar-

E po më erdhi keq se insistuam… por nuk hoqi dorë. Më erdhi keq sepse për mua nuk ka kuptim që një grua sidomos në atë moshë të mbajë pesha të tilla.

Sa keq më erdhi…për mua. Po se nuk mbaj dot as qeset e supermarketit.

Ajo është mësuar e tha vet. Na shihte ajo si e çuditur ndërsa dihatnim për tu ngjitur …veç me celular në dorë.

Po unë një foto e shkrepa dhe bëra mirë.

Kur ti zbulon

Kur të zbulosh se jeta ka shumë ngjyra, do arrish të shohësh. Kur të zbulosh se nuk je më i miri, se ke shitur mend po s’ishte e jotja, do arrish të kuptosh. Kur me në fund do arrish të japësh pa pritur në këmbim, do marrësh rehat. Kur të zbulosh se atë që di nuk ka vlerë nëse nuk do. Atëherë do të jetosh.

Kur të zbulosh që nuk je qëndra e botës, do fillosh të jetosh.

Mirë është ta zbulosh sa më shpejt

Pranvera ime …

Pse duhet të ndihem e lumtur se çdo gjë çel? E pse duhet të dashurohem veç se është Pranverë? Pse duhet të më shkëlqejnë sytë se çdo gjë ndriçon ndryshe?

Lojërat e natyrës, lojërat e fëmijve, lojërat të mendjes që të detyrojnë të gëzosh.

Qesh njeriu kur qeshin të tjerët imitues i mjerë. E pse kjo Pranverë euforike duhet të më bëj të ndihem gëzueshëm, si këngë zogjsh pavetëdije?

E pse duhet të rinjtë të bien pre e kimisë e quajtur ndryshe dashuri që ngatërron botën e tërë?

E pse nuk qenkam unë e aftë të jem e lumtur vet? Pa lule, rreze, dashuri? Pa këngë zogjsh, pa dritë dhe shkëlqim. E po kaq i dobët njeriu që gjen lumturi veç në një stinë.

Pranvera idiote

Oh Pranverë!
S‘beson tek dimri dhe
guximshëm çel lulet e tua.
Kapërcen stinë dhe mot,
mospërfillëse lëshon sytha e gonxhe.
Kot.
A ngrin ato nga bora e ngrica?
A thahen ato nga era dhe stuhitë?
Ç’do gjë ia vlen për një çast të ëmbël pranvere
edhe nëse idiote.

flower-3123130_1920.jpg

 

Buka

Qofshim si kjo buka.
E mirë, e bollshme e bukur.
E bukur e pastër e mirë.
Qofshim si kjo buka.
E dashur e vërtetë e arritshme
U bëfshim bukë për shpirtin e pangopur.
U bëfshim buka e njeri tjetrit.

Bisedë mençurie

-Pse je bërë kaq i thartë? Pse kaq i vrazhdë?

-Nuk është faj im, të tjerët më kanë bërë ashtu. Më kanë zhgënjyer shumë dhe shumë herë!-

-Çfarë të kanë bërë? –

-Më kanë zhgënjyer, mashtruar, më kanë përdorur. Kanë përfituar nga unë. Prandaj vendosa të jem i keq e ti largoj të gjithë. Nuk dua më të ndihem i shfrytëzuar. –

-Atëherë nuk është nevoja të bëhesh më i vrazhdë por më i zgjuar. Vazhdo të jesh i sjellshëm, jo budalla. –

Nëse ndihesh i shfrytëzuar mos u bëj më i vrazhdë por më i zgjuar