Mbylla hesapet

I mbylla. Pagova kamatët e fundit. I kisha premtuar vetes se kurrë nuk do të merrja borxh…ja që i ka jeta këto. Ah jo … Nuk flas për para. Flas për ditë, jetë, çaste … I pata kërkuar borxh së kaluarës. Ajo vuri kamat të lart. Duhet ta paguaja. E kaluara, nostalgjike e poshtër. Të mashtron me ato “sikur” me ato “nëse”, dhe ti ngec. Kamata është e lart se për çdo iluzion të heq një ditë jete nga sot. Pa kuptuar fillon jeton gjithnjë e më pak.

Jo nuk shkon. I mbylla hesapet… Tani nuk kam borxhe. E kaluara të mbetet souvenir … Jeta është sot.

Advertisements

New York

Është nëpër venat e qytetit që gjen esencen e vërtetë njerëzore. Ajo që shfaqet “në qendër” nuk është veç se një kartolinë mashtruese. Janë “rrënxat” e një vendi që zbulojnë identitetin real të tij.

New Yorku vërtert nuk fle. Vërtet nëse ecen natën dëgjon saksofonin jazz që qan nga një dritare e zymtë. Do të shohësh plehra, të pastrehë, grupe djemsh qosheve. Do ndjesh aromat të çdo kombi nga çdo dritare. Në një rrugicë të vetme do gjesh të mirën dhe të keqën e gjithë botës. Do të dëgjosh ndonjë të sharë shqip. Graffiti nëpër mure, nuk janë veç se gazeta e rrugicave dhe ndjen gjithë dhembjen, zëmërimin dhe lodhjen e të rinjve që janë plakur para kohe.

Realiteti sade. Pa garnityra e zbukurime. Ku njeriu i braktisur në xhunglen e egër provon të mbijetojë. Dhe po … ka akoma poezi.

Picture by @noascriptum

Dimri i ngrohtë 

Dimrin nuk e dua. Duket sikur  kam lindur  për të nxehtin, diellin, ditën e gjatë, shëtitjet  në darkë. Po dimri im prap i ngrohtë po duket sepse zjarri i Artit po më nxeh qenien. Po ruaj një ngrohtësi konstante në zemër e cila po më bën mirë. Po më bën mirë fizikisht.

Që kur po ngroh shpirtin me Artin… ndihem më e fortë, më e shëndetshme. Ndihem me më shumë energji.

Etrita Ibrahimi – Piano

Shiko dhe videon

Arti më ndez e nuk kam më ftohtë se bëhem vet zjarr.

Shpresa Beka – Soprano, Etrita Ibrahimi – Piano

Shiko dhe videon 

Kështu-kështu

Dhe kështu-kështu…

Sa doja të të kisha afër

me sigurinë e buzëqeshjes tënde.

Do ta mbyllte sado pak gojën vetmia.

Do të doja të heshtnin kujtimet qofshin ato të qeshura…sidomos ato.

Të bija rehat nga kumbimi i zërit tënd të lumtur.

E di, ti  flutur, ia zbukuron ditën të tjerëve…

Unë rri pres thërrimet e mbetura nga dita.

Jo, jo …S’ke faj…as unë.

Është prap goja e vetmisë

që më kafshon… dhe s’ngopet.

Më ndjek kudo…

Herë se dua të jem larg nga njerëzit e gabuar,

herë se s’i kam afër të duhurit.

Organizimi fillon nga qëndrimi

Qëndrimi që më mungon së pari mua. Po, sepse sinqerisht kush do vërtetë të kalojë gjithë ditën çdo ditë duke bërë punët e shtëpisë? Megjithatë për të shijuar aktivitetet e tjera duhet  një ambienti i  rregullt dhe i  rehatshëm.

Vlerësoje punën tënde! Si mund të pretendosh që të tjerët të jenë mirënjohës nëse as vet nuk e çmon punën tënde? Pasi ke mbaruar  punën në një dhomë, për shembull, dil mbyll  derën e futu prap  duke  e soditur. Duhen  pak sekonda për  të ndjerë  kënaqësinë!

Si mund të gjesh kënaqësi ndërsa  bën punë shtëpie? Ja disa gjëra që më ndihmojnë mua!

  • Muzika, zgjidh ritme të hareshme!
  • Mos puno me pizhame! Vishu, krihu dhe rregullohu edhe nëse nuk do të shohë njeri!
  • Mendo me pozitivitet!
  • Shpërbleje veten! Sa herë mbaron një gjë bëj një pushim, një telefonatë, diçka për të pirë apo për të ngrënë. Në fund fare trajtoje veten mirë. Ndoshta një mask fytyre, manikyr, apo një shëtitje.

Përveç qëndrimit, organizimi kërkon planifikim, vend dhe metodë. Do të pëlqente të dije më shumë?

Takim

A ke marr ndonjëherë takim me veten?

Festa, evente, dreka e darka, të gjitha bëhen  shumë të këndshme në shoqëri. Po, çdo të ishim  pa miq edh familje. Por … është  një person  të cilin  e ke lënë pasdore. Veten.

Provo të marrësh  takim  me veten. Takohu me pjesën tënde  të brendshme  ndërsa  shëtit. Ulu  në një stol  dhe prit. Ulu në një lokal e prit  … vizito  një galeri  apo bibliotekën.

Prit. Prite  veten. Nëse  nuk je mësuar  do ndihesh  fillimisht në siklet, do të kesh një parehati, e do të shkojë  mendja të marrësh  dikë në telefon. Duro, jepi kohë vetes. Mos ki frikë nga vetja. Pasi të kesh  kapërcyer  këtë  fazë  … do të shikosh  se nuk je kaq keq  sa mendoje.

Mjerisht rrethohemi  nga njerëzit  sepse kemi frikë të rrimë vetëm. Kjo është  shumë  e rrezikshme. Po, sepse nga frika e vetmisë ulim  standardin  e shoqerisë, rrimë  me personin  që thjesht  është  i gatshëm. Duke ndenjur  me të gjithë  nuk do arrijmë kurrë të njohim  veten, ta duam veten.

Kultura  jonë mesdhetare është e njohur  për një jetesë kolektive qofshin fis  apo shoqëri. Kjo është  thesar! Por … duhet  të mësojmë  të lëmë  kohë  të rrimë me veten. Tu themi jo shoqërive  mbytëse. Tu themi jo njerëzve që na zhvasin energji.

Rri pak me veten  çdo javë, do zbulosh  se je shoqeri shumë e mirë!

Poetit 

Poeti dhe poezia nuk janë të nevojshëm. Jetohet  pa poezi, rrohet  dhe pa poet. Ashtu si jetohet pa ngjyra, pa shije, pa muzikë, pa dashuri. Ritmi i fjalës tënde do të mbetet  në vesh  të atyre që nuk duan të rrojnë pa ngjyra, shije, muzikë, dashuri, pa poetë e poezi.

Foto nga web 

Bukë dhe Art

Të gjithë duan të ikin. Të gjithë të lodhur kërkojnë  prehje diku… larg. Largohen disa me pushime dhe kthehen në këtë tokë si të burgosurit pas lejes. Kush në Amerikë, kush në shtetet fqinje, vazhdon  kurbeti, më pak i egër… kush për shkollë,  kush martohet, ca me hile e ca pa hile.

Ankohen njerëzit, nuk ia dalim, nuk mundemi… këtu nuk rrihet. Mërziten njerëzit, këtu nuk ke çfarë bën, thonë. E ndoshta po … them… Qenkam unë e vetmja që do të ngelet këtu? E vetmja budallaqe. Kanë të drejtë, a nuk do të doja dhe unë të jetoja në një vend Evropian? E ndoshta po …. them … Sigurisht.

I hedh hapat drejt Sheshit Skënderbe, do shkoj tek Muzeu. Atje mblidhen  njerëzit që duan ajër, që duan jetën. Atje pres të hyj te Koncerti Recital Opera Soul.

Recitali? Një mrekulli vjeshte. Vjeshta po bëhet stina ime e preferuar.

Simona Karafili

Ardita Bufaj

Bashkë me tenorin  Denis Skura dhe balerinët Adela Muçollari, Anxhelo Muçollari.

U ktheva në shtëpi e lumtur. Gjithashtu mu sqaruan  mendimet.  Unë mund  të gjej  gjëra  për të bërë. Mund  të jetosh  plot  pasion e ngjyra. Ata që nuk jetojnë me pasion  këtu … Nuk do e gjejnë dot asgjëkundi.  Në çdo cep  të botës  … mund  të gjesh  bukë e Art!

Shiko shfaqjen e Adela Muçollarit dhe Simona Karafilit, shtyp emrat me link!

Shetitje në Korçë

Disa shtëpi heshtin ka ca kohë, bien të lodhura, syrrëzuara. Copë-copë bien tullat, suvatë antike. Bojërat  e shqitura  zbulojnë shijen e parardhësit. Bien erë  dru, të kalbur. Lulet  s’dinë të çelin  më … as pranvera  nuk mjafton.

Prap, besoj se mjafton një tregim  i pasaktë, një thashethem plakash, qe ti jepte përsëri … lavdi, dritë, ngjyrë. Sikur për një çast  të fundit. Duke çelur  portën, duke çelur histori të ndërlikuara dashurie, ndarje, ikje, rinie. Projekte madhështore, frika, luftëra, premtime dhe fjalë miqësie… të cilat  si shi rreshqitën në fund  të kalldrëmit përgjithmonë.