Veç ji

Veç ji! Mos u mundo  tepër.

Veç ji! Mos u duk tepër.

Shpëlaje veten  nga boja  e tjetrit. 

Shpëlaje  fytyren  nga buzëqeshjet e rreme. 

Ji real! Mos u ngatërro me aktrimin. 

Ji real! Mos u ngatërro  me pëlqimin.

Veç jeto! Natyrshëm …

Nuk kam shkruar

Nuk kisha ç’të shkruaja? Mjerisht  nuk më ndodh. Kam kaq shumë mendime  sa nuk arrij  ti vë në rradhë. Idetë e pashtershme, frymëzime dhe projekte. Kaq shumë mendime  sa të shpërthej. Sikur  plas. Ndjej gati dhimbje, ndoshta si  dhimbjet e lindjes para se të krijoj  diçka. Sikur  më mblidhen të gjitha përjetimet dhe … Nuk di ç’të bëj më parë. Atëherë  eksploroj. Po, studjoj ndonje teknik poezie si Hajku, studjoj epokat … Romanticizmin  apo Rilindjen. Lexoj, lexoj, lexoj. Çdo gjë lind poezi, muzikë, pikturë. Atëherë shetis.

Në vend të zbraz mendjen  e mbush më tepër. Idetë  marrin  jetë e fillojnë  të më bëhen  si shokët imagjinarë  të fëmijërisë. Rrugët, njerëzit  shndërrohen  në vargje dhe zhurmat  në muzikë. Muzika në qetësues.

Kur nuk shkruaj do të thotë se po plas!

Vajzë Prishtinase

 

2017-06-12-14-45-42

Vazhdoni me leximin e “Vajzë Prishtinase”

Ëndrrën e ndjek

Realiteti është i rëndë. Më rëndon frymën. Më lodh, më mpin. Ëndrrën e ndjek.

Prandaj ia vlen të hash bukë e art. Të ngopesh me fantazi. Të harrosh për një çast a dy, kasaphanën që të rrethon. Të harrosh trishtimin midis tylit dhe ngjyrave, xixave dhe fjongove.

Ëndrrën e ndjek se realiteti nuk më shkon. 

Pallati i kongreseveLiqeni i mjellmave nga Teatri i Operas dhe Baletit.

Etika në rrjet 

Të gjthë pa dashje  kopjojmë njëri tjetrin. Asimilojmë shijen e përbashkët. Të kopjosh haptazi ama apo të marrësh idenë e tjetrit dhe ta përvetësosh është e ulët. Shumë e trishtueshme sidomos për atë që e bën. Shpërndaje imazhin nëse të pëlqen.

Udhëtim fotografik – Librat e vjetër

Ndala, librat më tërheqin si magnet. Robi i mirë i kish rreshtuar bukur bukur një nga një. S’kishte shumë  por përshkonin pothuajse trotuarin cep më cep.  Nuk para e lëshoj lekun kollaj por librat e përdorur më tundojnë shumë. Pyeta për çmimet, e bleva një. Italisht, i viteve ’30. I mbajtur, i zverdhur, i përsosur. Ai e pa magjepsjen time dhe më tha se librin e kishte një familje intelektualësh që kishin studiuar jashtë. Ai fliste, unë aq desha. Për një çast mendova se po e shpikte, mbase, gjithsesi ishte bukur. Filloja  të doja librin, të doja atë familje . . . Madje  dhe shitësin e shkretë.

Aq dua unë po, libri mu bë kaq i dashur. “Ai qe plak -tha shitësi- vdiq e librat  ia mora fëmijëve me pak lekë”. Tani unë kisha këtë grimcë kulture nëpër duart. Këtë grimcë epoke e histori. Njollat e filxhanit nëpër faqe . . . grimca jete.

Ëndrrën e bukur e thur vet. Më mjafton të ndjej aromën e letrës, të prek faqet të zverdhura, të shkund pluhurin e harresës. Ja kaq desha unë.

Librat e vjetër nuk kanë vetëm përmbajtjen, por kanë shenja e shënime, palosje e njolla, zhgaravina e dedikime të cilat përmbajnë një histori më vete. Një histori që i shton përmbajtjes një vend veç për fantazinë time.

 

Udhëtim fotografik – Freskorja

Më pëlqen ta imagjinoj stërgjyshen në verandë ulur me shoqet, e përkëdhelur nga flladi bregtedar. Më pëlqen ta imagjinoj ndërsa valëvit freskoren me pak tangërllëk. Freskorja u ble në 1928-ën. Nuk i dihet nëse ishte dhuratë martese apo një blerje personale. Di veç se freskorja ka freskuar 4 breza. Ajo ka një pamje të qeshur. . . kontrastet e ngjyrave mendoj se kanë ndikuar tek shijet e mia. E shihja tërë lakmi kur isha e vogël, gjyshja ma fshihte me xhelozi. Derisa vjet gjyshja dhe mami ma dorëzuan. U bëra roje e kujtimit të gjyshes. Një kujtim i lehtë, si ajri që e valëvit. Një kujtim i freskët.

Sendet e saj u ruajtën me shumë kujdes. Gjyshja kur ma dhuroi freskoren sikur më la stafetën e një ëndrre vajzash. Sikur më dha leje të bëhem dhe unë zonjë. Tani freskohem unë në behar, në verandë, buzëdetit.

Është e bukur, e lehtë . . . si nuk qe ndoshta jeta e saj. Por unë e imagjinoj atje . . . verandave të Mesdheut, me qesëndi pas freskores së gjelbërt.

Udhëtim fotografik – “Carte des Vins”

Kam një lidhje të veçantë me gjërat. Nuk ka të bëjë me çmimin apo me bukurinë por me vlerën e tyre shpirtërore. Kam trashëguar nga gjyshi këtë dosje. “Carte des vins” në frëngjisht, si një meny verërash. Ka qenë nëpër duart të gjyshit dhe të babait më vonë. Tani e zotëroj unë.

Zbulova se kjo meny është përdorur nga gjyshi që merrej me tregti. Firma e verës ishte Charles Heidsieck  prodhonte shampanjë. U habita kur pashë se akoma prodhon  shampanjë!

Pjesa e brendshme e dosjes daton 1919. Dhe prezanton firmën më së miri.

Sa herë e shoh mendja ime ëndërrimtare bën një udhëtim . . . shpesh pa kthim . . .