Bukë dhe Art

Të gjithë duan të ikin. Të gjithë të lodhur kërkojnë  prehje diku… larg. Largohen disa me pushime dhe kthehen në këtë tokë si të burgosurit pas lejes. Kush në Amerikë, kush në shtetet fqinje, vazhdon  kurbeti, më pak i egër… kush për shkollë,  kush martohet, ca me hile e ca pa hile.

Ankohen njerëzit, nuk ia dalim, nuk mundemi… këtu nuk rrihet. Mërziten njerëzit, këtu nuk ke çfarë bën, thonë. E ndoshta po … them… Qenkam unë e vetmja që do të ngelet këtu? E vetmja budallaqe. Kanë të drejtë, a nuk do të doja dhe unë të jetoja në një vend Evropian? E ndoshta po …. them … Sigurisht.

I hedh hapat drejt Sheshit Skënderbe, do shkoj tek Muzeu. Atje mblidhen  njerëzit që duan ajër, që duan jetën. Atje pres të hyj te Koncerti Recital Opera Soul.

Recitali? Një mrekulli vjeshte. Vjeshta po bëhet stina ime e preferuar.

Simona Karafili

Ardita Bufaj

Bashkë me tenorin  Denis Skura dhe balerinët Adela Muçollari, Anxhelo Muçollari.

U ktheva në shtëpi e lumtur. Gjithashtu mu sqaruan  mendimet.  Unë mund  të gjej  gjëra  për të bërë. Mund  të jetosh  plot  pasion e ngjyra. Ata që nuk jetojnë me pasion  këtu … Nuk do e gjejnë dot asgjëkundi.  Në çdo cep  të botës  … mund  të gjesh  bukë e Art!

Shiko shfaqjen e Adela Muçollarit dhe Simona Karafilit, shtyp emrat me link!

Advertisements

Rreze

Më kaloftë rrezja nga zemra.

Zemra kristal shumëkëndësh ndriçoftë.

Më shpoftë shpresa të ndriçohem përsëri.

Më kaloftë rrezja në sy.

Syri kristal shumëkëndësh ndriçoftë.

Më shpoftë guximi të forcohem përsëri.

Më kaloftë rrezja jote të jetoj përsëri.

Picture by @hajdeseflasim _

Croatia, Dubrovnik

Tek lokali i lagjes

2015-09-13-22-07-20

I thash pronares së lokalit të më rezervonte një vend në orën shtatë të darkës. Pak kohë më përpara solla nga shtëpia disa orendi… jastëqet e shtëpisë, mbulesë, lule dhe qirinjë.

E zbukurova vendin sipas dëshirës. Habia e njerëzve nuk më shkurajoi. Sytë e njerëzve kurioz nuk  më ndalen. Vendosa lule. Mora me vete kavanozat me tyl të cilët kësaj radhe i përdora si vazo lulesh. Pronarja ishte shumë e mirë dhe më dha nja dy shandane të vogla shtesë.

Atij… i thash zbrit pije një kafe… sa të bëj darken gati. Atje kishte tashmë të porositur një aperitivë nga ana ime tek këndi i rezervuar. Do të kisha dashur të shihja fytyren e tij. Pak minuta më vonë zbrita me koshin e piknikut. Normal, isha veshur për rastin… Pronarja e lokalit më ndihmoi me pak muzikë ndërsa hyja në lokal. Ishte një çast kaq i bukur dhe romantik! Surpriza funksionoi! Ai nuk e priste fare. Pas pak erdhi kamarieri me gota Martini, që i pata porositur më parë dhe këto. Menuja ishte e thjesht, kikirika, fruta të thata, bukë të thekura të vogla dhe salcra pikante. Ishin të mira, por qëllimi nuk ishte ushqimi. Qëllimi ishim ne. U rrethuam nga hija e dashurisë sonë.

Për nja dy orë atje tek lokali i lagjes, pa shpënzuar dhe pa levizur shumë shijuam një nga mbrëmjet më të bukur të jetës sonë. Ai kënd u trasformua në një ishull.

Nuk e fsheh  të gjithë na shikonin të çuditur. E dini çfare? Nuk na interesoi fare!

Nëse do të bësh një surprizë mendo për tjetrin e jo për veten! Hiq komplekset! Ki mendjen tek detajet! Kjo dotë thotë se nuk ka rëndësi vetëm sa ha apo çfarë por dhe si. Ka rëndësi atmosfera që krijohet. Nuk vlen sa lek harxhon por sa mendje shpenzon. Kjo ndihet dhe tjetri do të mbetet i kënaqur. Fotoja sipër ju jep pak idenë e atmosferës që u krijua atë mbrëmje.

A keni provuar diçka të tillë?  Do të kisha shumë qejf të dëgjoja nga ju ç’mendoni!

Shumë faleminderit për suportin dhe  mos harroni të regjistroheni që të merrni të rejat në inboksin tuaj!

Hajdeseflasim!