Një ditë me mua 

Udhëtim fotografik – Galeria e Arteve

Kalova çaste  të bukura midis  ngjyrave të Qamil Grezdes.

Piktori  gjakovar  i diplomuar në Itali.

Nuk mund të komentoj  shumë pasi nuk kam kompetencë. Do t’ju tregoj veç atë  që ndjeva.

Dhembje  të fshehura, poshtë  ngjyrave  gënjeshtare me maturi  dhe talent. Peisazhe  tepër të ëmbla për të qënë të vërteta. Vallë  të ketë  qënë realiteti  apo ëndrra e tij?

Portretet  më ngelën  në mendje. Të fuqishme … atje mu duk sikur pash  shpirtin  e artistit  nëpërmjet  tiparëve  të personit.

Nuk ka nevojë për ngjyra  për  të parë  ngjyrat.

Kohë  e fituar gjithmonë në Galeri. Atje njeh  Artin  dhe njeriun.

Advertisements

Tek Pedonalja

Ndalu pak dhe bli diçka që është bërë nga duar të shtrenjta.

Diçka që rrjedh si gjak ndër shekujsh. Ah sa të varfër jemi, nuk kemi jo para për këto. Kemi për lloj lloj kinkalerish të rëndomtë serie. Kemi për tualete që nuk përdorim kurrë, për bizhuteri vezulluese pa vlerë. Por jo për këto…mjerisht.

Këto copa janë të të thurura me dorë në Tezgjah, Vegj. Janë të punuara në Zadrimë të Shkodres. Do ti gjeni nëpër dyqane por dhe tek Pedonalja.

20170602_115148

Punën e dorës një ditë do të vlerësohet, dhe do të pendoheni që nuk ia bletë atij shitësit ambulant tek Pedonalja. Atje do arrini të ulni pak çmimin vërtet, por jo vlerën.

20170602_115158

Kur kalon nga Pedonalja hap sytë  dhe merr një copë Zadrime në shtëpi!

Shiko videon!

Më prit

Më prit të lutem. E di që do më presësh…

Leviz ti, shumë i zënë dukesh. Nganjëherë nuk të kuptoj se ndryshon çehre shpejt dhe dhunshëm përplasesh. I frikshëm ti, por ta di kokën dhe më ngjan mua. Errësohesh futesh në të thella. Kërkoj të thellat e tua dhe se ç’nxjerr surpriza të çuditshme. Më përgjigjesh ti, me ledhatime të ëmbla dhe me shije të kripur. Leviz ti, ndalon veç në perendim. Qetësohesh ti, atëherë kur shqetësohem unë. Më prit të lutem, e di që do më presësh.


DSCN4427


Më prit det…

Tiranën e marr hua e bëj timen

fb_img_1464690632420.jpg

E shajmë dhe e rishajmë. Ka pluhur, rrugët gjithmonë në rregullim e sipër, makinat  e padisiplinuara . . . këmbësorët dhe më keq! Ka akoma sigurisht . . . por kam qejf t’ju them gjërat që pëlqej. Tirana ka atmosferë, po të rrëmujshme, por plot jetë. Kafenetë e bukura, të çdollojshme janë plot e përplot. E di e di . . . ka kritika dhe për këtë disa bezdisen se ka njerëz që e shtyjnë jetën kot nga një tavolinë tek tjetra. E di e di . . . vjen nga papunësia . . . Por a ke menduar sa bukur është se Tirana i ofron edhe të varfrit mundësinë për të dalë? Mundësinë për të shijuar një muhabet, një gazetë, një libër, një takim me shoqe. Atmosfera që krijohet është kaq festive. Ulu ndonjëherë vetëm, merr një libër bëj sikur lexon. Është estradë. Do gjesh një çift që zihet pa pikë turpi në mes të lokalit. Dy çuna njomcakë me gazetën e hapur për të gjetur punë të shkretët. Dy pleq me republikë që mburren, zëri i tyre bubullues mbulon edhe muzikën pop në sfond. Të duket vetja spektator dhe aktor! Sa më pëlqen të shoh njerëzit nga dritarja, shikon paradokse, por ka jetë. Jetë herë e vështirë, e padrejtë ama jetë. 

Më pëlqen Tirana sepse je një hap nga aktivitetet artistike, shumë shpesh të arritshme. Teatri, opera, koncerte . . . nuk ka veç shfaqje të rëndomta. Gëzoj qytetin që . . . e marr hua e bëj timin. Gëzoj shëtitjet e pafundme. Gëzoj rrëmujën shumëngjyrëshe të tregjeve . . . xixa, ngjyra, mall kinez, plastikë, cohat turke. Pse jo, era e qofteve, era e petullave, kokoshkave. Muhabetet që hapen rastësisht . . . për çudi gruaja në autobus të tregon gjithë hallet e saj vetëm në kohën e një stacioni. Gallatë!

Tirana të lodh por unë e dua! Tirana ka atmosferën e duhur për mua.

Nëse ju pëlqen mos harroni të bëni Like. Ky blog është publik pra mund ta bëni share si të doni e sa të doni. ☺

Shumë faleminderit!