Buka

Qofshim si kjo buka.
E mirë, e bollshme e bukur.
E bukur e pastër e mirë.
Qofshim si kjo buka.
E dashur e vërtetë e arritshme
U bëfshim bukë për shpirtin e pangopur.
U bëfshim buka e njeri tjetrit.

Advertisements

Shitësja e bukur

Vitrina të bukura, shumë ngjyrëshe, drita, dekore të menduara mirë. Çdo dyqan ka stilin e vet, dhe është një kënaqësi të hysh. Edhe shitëset janë të bukura. Kjo më kënaq…Deri sa hapin gojën. Nuk kanë përgatitjen e duhur njerëzore për ti shërbyer klientet.

Më ka ndodhur para ca kohësh të hidhja një sy në një dyqan aromash bimore. Kisha një shishe të Tea Tree në dorë e po ma reklamonte për parfum. Nuk e mbaj mend se si ra muhabeti po i thash vajzës vetull-instagram se Tea Tree nuk është parfum. Vajrat kanë përdorime të ndryshme madje unë i djeg në qiri si aromatizues. Ajo mbeti jo vetëm e habitur por ngulte këmbë se këto janë vetëm parfuma. Edhe sikur të kishte të drejtë, vajza e bukur fliste shemtuar. Vetëdija se ishte ishte hija e dobët e Kardashianit i mjaftonte për tu ndjerë superiore. Mirë, vazhdova bisedën… Nuk dinte çmimet, nuk njihte produkte, nuk kishte veshje profesionale, nuk dinte të artikulonte një fjali. Mbi të gjitha nuk buzëqeshte. Nuk më intereson të kuptoj mallin -tha -unë jam thjesht shitëse. Sa për të qeshur një shitëse qe nuk shet!

Shitësja e bukur nuk shiti! (Tani kuptoj pse marrin kaq pak)

Apel për pronarët e dyqanëve. Nuk duhet të jenë medoemos Miss apo shkencëtare. Mjafton të dinë të flasin, të jenë punëtore dhe të edukuara. Jo për gjë … po ka dhe dyqane online tani!

Shitësja që nuk shet!

Dalim

E ku do shkojmë? – Është pyejtja që vijon ftesës -Dalim?

Po, sepse paskemi nevojë të dimë për fije e për pe itinerarin e përcaktuar. Kemi nevojë të dimë se do të dalim për të hyrë prap diku. Kemi nevojë të jemi nën kontroll të çdo çasti në jetë. Dal prandaj vetëm veç për të ecur. Vërdall. Me hap të ngadaltë. Shijoj hapin tim. Dëgjoj zhurmat e qytetit, zërat, boritë. Ndjej shijen e smogut helmues, aromën e ëmbëltores. Shoh ngjyrat e vitrinave, qentë me pronarët, pleqtë që luajnë domino. Shoh çdo gjë si për herë të parë. I lë këmbët të lira, të më çojnë ku të duan. Pa qëllim. Pa qëllim, pa vrapuar, pa pasur një orar, pa ndjerë presion. Krejtësisht në dorë të rastësisë.

Sahati-Hajdeseflasim
Si sahat me shigjetat mbrapsht. Sahat i prishur jam. Çastet më duken përjetësi.

Në foto Sahati i Tiranës

Si sahat me shigjetat mbrapsht. Sahat i prishur jam. Çastet më duken përjetësi.

Sahati-Hajdeseflasim
Më pëlqen të humb kohë, se koha humbur më bën të fitoj.

Më pëlqen të humb kohë, se koha humbur më bën të fitoj.

Lodrat- Hajdeseflasim
Më pëlqen të endem, kundër kohës.

Në foto Sheshi Skënderbej

Më pëlqen të endem, kundër kohës.

Pictures by Hajdeseflasim

Një çast dashurie

Në kafe, në qendër, plot me të rinj e njerëz qyteti nuk kish se si të mos vija re këtë nënë. Në çast prania e saj stononte me atë ambient modern dhe muzika pop në sfond. Shikimi kalon te shoqëruesi i saj, nipi. I riu fliste me gjyshen si shoqe, teksa i hidhte sheqerin në filxhan. Në vend se të ishte stonim, ishte harmoni. Veç duke i parë ndërsa pinin kafe mësova tepër gjëra. Mu rrit në pak minuta respekti për atë djalë të panjohur. Disa me turp i fshehin pleqtë e tyre. Të tjerë kujtohen vetëm kur marrin lekë … ose tepër vonë. Ky djalë ka marrë një kafe dhe këmbyer dy fjalë. Mendoj se dha më shumë se ç’mendon. Një çast dashurie që ka për t’ia lehtësuar dhembjet. I dha vetes një çast paqeje, dhe mua mësim jete.

Një çast dashurieTek Mulliri i vjetër

Në autobus – Kapedane

Isha në humor  të mirë. Hipa, ishte kaq plot sa duhet të zbrisje  që të zbriste  tjetri … me shpresë se do hipje  përsëri. Zakonisht  pres autobusin tjetër por siç  thash  isha në humor  të mirë. Fatorinoja ishte tym. Përpiqej  të vinte ne vijë “masën” njerëzore … masa që  si brum  krijohet  në  autobus. Bëhemi  të gjithë një. Fermentojmë. Fatorinoja iku nga cepi  i shoferit. Dallova zërat  që bëheshin  gjithmonë  e më të lartë. Plasi sherri midis tyre. Shoferi ndaloi  autobusin. Refuzonte  të ecte. U duk sikur  nuk po mbante  më. I stresuar, i lodhur, i mërzitur  nga sherri  me fatorinon. Fatorinoja qëndronte edhe ai acaruar dhe i  stresuar.  Disa pasagjerë donin të zbrisnin dhe i binin xhamave.

Zëri i një gruaje  u ngrit më lart akoma. Qortoi fatorinon që po shante përgjithësisht pasagjerët me epitete paragjykuese. Qortoi  shoferin  dhe i  kujtoi  përgjegjësinë e tij. Zëri  i saj i  fortë dëgjohej  deri në fund, ku isha unë. Nuk mu prish humori  hiç, madje u kënaqa. Dy cubat  që deri pak para  hidheshin  si gjela,  heshtën. Motorri  u rindez  me qetësi … Gruaja shqiptare  kapedane!

Muri i Berlinit 

A e dini  se në Tiranë  është  një pjesë  e murit  të Berlinit? Muri u ndërtua më 1961  dhe u shemb më 1989. Më pëlqejnë muret … e shembura.

E shoh murin përfaqëson lirinë.

Muri i Berlinit - Hajdeseflasim
Më pëkqejnë muret… të shembura

E shoh murin… kujtoj muret e mia. Muret  që çdo ditë ndërtoj, që rregullisht  mirëmbaj. Frika, paragjykimi, kufizimi, pesimizmi, nënvlerësimi. Mure gjithnjë e më të larta. Më të pakapërcyeshme. Mure që kur mi shemb ndokush të më çlirojë, i rindërtoj me vrap që të mos më shijojë liria. Po, se muret  e betonit u shembkan kollaj e copa-copa u bënkan, sa na e sollën  një çik dhe këtu.  Po të miat, të tuat  vështirë  të rrëzohen.

Sot 1989a nuk është, nuk jam as në Berlin. Po murit  tim  i erdhi fundi.  Do ta rrëzoj e kurrë më mos ta ndërtoj.

Galeria : Li Xiaocheng 

Bashkë  me artistin Helidion Haliti  ishin ekspozuar  pikturat  e artistit Li Xiaocheng. Shijoni  dhe ju disa!

Ato të çojnë larg, në një botë  ca të mistershme.

Ngjyrat e akuarelit  ta sjellin  Kinën  ëmbëlsisht më afër.

Arti ta bën  të panjohurën të afërt…

Tek Liqeni

Tek Liqeni të gjithë shkojmë. Të gjithë ndihemi në natyrë  pa prekur  egërsinë e natyrës. Ndihemi  të lirë, në këtë kapsulë të  gjelbërt. Ka familje  tek Liqeni,  shitës ambulant, të çmendur, artistë rrugësh, sportdashës. Liqeni është i të dashuruarve,  familjeve  të reja, studenteve me kitarë. Të gjithë, të rinj e të vjetër përçapen, ecin, vrapojnë, rrëshqasin me patina  … drejt  së gjelbres. E gjelbra  që mbijeton na tërheq. Ne e shtyejmë, ajo  hakmerret  ëmbël me varësinë që kemi ndaj saj.

E na bën të endemi rreth e rreth  liqenit  në dihatje  për oksigjen, duke  lypur  gjelbërim.