Më prit

Më prit të lutem. E di që do më presësh…

Leviz ti, shumë i zënë dukesh. Nganjëherë nuk të kuptoj se ndryshon çehre shpejt dhe dhunshëm përplasesh. I frikshëm ti, por ta di kokën dhe më ngjan mua. Errësohesh futesh në të thella. Kërkoj të thellat e tua dhe se ç’nxjerr surpriza të çuditshme. Më përgjigjesh ti, me ledhatime të ëmbla dhe me shije të kripur. Leviz ti, ndalon veç në perendim. Qetësohesh ti, atëherë kur shqetësohem unë. Më prit të lutem, e di që do më presësh.


DSCN4427


Më prit det…

Udhëtim fotografik – Freskorja

Më pëlqen ta imagjinoj stërgjyshen në verandë ulur me shoqet, e përkëdhelur nga flladi bregtedar. Më pëlqen ta imagjinoj ndërsa valëvit freskoren me pak tangërllëk. Freskorja u ble në 1928-ën. Nuk i dihet nëse ishte dhuratë martese apo një blerje personale. Di veç se freskorja ka freskuar 4 breza. Ajo ka një pamje të qeshur. . . kontrastet e ngjyrave mendoj se kanë ndikuar tek shijet e mia. E shihja tërë lakmi kur isha e vogël, gjyshja ma fshihte me xhelozi. Derisa vjet gjyshja dhe mami ma dorëzuan. U bëra roje e kujtimit të gjyshes. Një kujtim i lehtë, si ajri që e valëvit. Një kujtim i freskët.

Sendet e saj u ruajtën me shumë kujdes. Gjyshja kur ma dhuroi freskoren sikur më la stafetën e një ëndrre vajzash. Sikur më dha leje të bëhem dhe unë zonjë. Tani freskohem unë në behar, në verandë, buzëdetit.

Është e bukur, e lehtë . . . si nuk qe ndoshta jeta e saj. Por unë e imagjinoj atje . . . verandave të Mesdheut, me qesëndi pas freskores së gjelbërt.