Bukë dhe Art

Po,  hëngra  dhe sonte. Bukë e Art! mjaftueshëm  për të ushqyer shpirtin  tim të pangopur  për  bukuri. Bukuria  e notave, atmosferes, dritave…

Po hëngra dhe sot, falas. U ktheva nën  çadër  e lumtur, me shpirtin  plot.

Enalda Gjoni  – Flaut 

Ingrid  Pulizo – Piano

Ivana Hoxha 

Shiko video  Sidrit Bejleri – Basso Baritono 

 Mos harro të lutëm  të ushqesh  mendjen  dhe shpirtin  me bukurinë  e Artit. Ajo buka  e fortë dhe e vjetër  do të  shtyhet më kollaj. Ha bukë e Art! 

Advertisements

Vintage Pjesa 1

Çfarë është Vintage? Makina e vjetër? Fustani demode? Fjala Vintage i ngjan pak fjalës stazhonuar, pra si vera që me kohë bëhet më e mirë. Stili Vintage ose Retro ka marrë dhenë kohët e fundit. Ka prekur  shijen tek veshjet, makinat, shtëpia dhe muzika. Nuk e di se çfarë i shtyn njerëzit të kthehen tek kaluara. Mbase nostalgjia. Disa ama nuk mjaftohen të ndjekin rrymën e modes por duan të ndihen rehat me stilin e veshjes apo që rrethohen në shtëpi. Personalisht më pëlqen të përziej elemente Vintage në stilin tim pak eklektik dhe gjithmonë në ndryshim.  Ama, ka të tjerë që me besnikëri kanë vendosur të kthejnë jetën e tyre në një udhetim në kohë.

Capture

Ju prezantoj këtë çift të lezetshëm.  Vizito profilin e tyre në Instagram 1930_cherie

Ata do t’ju japin  një ide se çfarë do të  thotë një stil Vintage. Atyre u pëlqen  1930 dhe rrotull dhe me sa duket nuk ka të bëj  veç me veshjen  por me shijimin  e jetës e bazuar  në kulturën e kaluar. Kjo nuk do të thotë se janë të prapambetur  apo të çmendur, thjesht  kanë një shije  tjetër. Madje pas këtyre veshjeve jashtë mode fshihen  mendje modern dhe mjaft  të ndritura!

Më pëlqen  të shoh  persona  që kanë  guximin  të jenë vetvetja.

Capture1

Ajo me sa duket  shet nga koleksioni  i saj në dyqanin  online Catherines Vintage Shop! Pra pasioni mund të jetë  edhe përfitues! 

Më thoni  çfarë dini  për stilin  Vintage!

A keni menduar  ndonjëherë të vishni  diçka  ndryshe  nga ç’është  moderne?

Si do të ndihesh sikur të shikoje  njeri  i veshur totalisht si 1930?

A mendon  se ke një veshje Vintage më dërgo  fotot  e tua!  Më kontakto! 

Pictures by cortesy  1930_cherie

Tek lokali i lagjes

2015-09-13-22-07-20

I thash pronares së lokalit të më rezervonte një vend në orën shtatë të darkës. Pak kohë më përpara solla nga shtëpia disa orendi… jastëqet e shtëpisë, mbulesë, lule dhe qirinjë.

E zbukurova vendin sipas dëshirës. Habia e njerëzve nuk më shkurajoi. Sytë e njerëzve kurioz nuk  më ndalen. Vendosa lule. Mora me vete kavanozat me tyl të cilët kësaj radhe i përdora si vazo lulesh. Pronarja ishte shumë e mirë dhe më dha nja dy shandane të vogla shtesë.

Atij… i thash zbrit pije një kafe… sa të bëj darken gati. Atje kishte tashmë të porositur një aperitivë nga ana ime tek këndi i rezervuar. Do të kisha dashur të shihja fytyren e tij. Pak minuta më vonë zbrita me koshin e piknikut. Normal, isha veshur për rastin… Pronarja e lokalit më ndihmoi me pak muzikë ndërsa hyja në lokal. Ishte një çast kaq i bukur dhe romantik! Surpriza funksionoi! Ai nuk e priste fare. Pas pak erdhi kamarieri me gota Martini, që i pata porositur më parë dhe këto. Menuja ishte e thjesht, kikirika, fruta të thata, bukë të thekura të vogla dhe salcra pikante. Ishin të mira, por qëllimi nuk ishte ushqimi. Qëllimi ishim ne. U rrethuam nga hija e dashurisë sonë.

Për nja dy orë atje tek lokali i lagjes, pa shpënzuar dhe pa levizur shumë shijuam një nga mbrëmjet më të bukur të jetës sonë. Ai kënd u trasformua në një ishull.

Nuk e fsheh  të gjithë na shikonin të çuditur. E dini çfare? Nuk na interesoi fare!

Nëse do të bësh një surprizë mendo për tjetrin e jo për veten! Hiq komplekset! Ki mendjen tek detajet! Kjo dotë thotë se nuk ka rëndësi vetëm sa ha apo çfarë por dhe si. Ka rëndësi atmosfera që krijohet. Nuk vlen sa lek harxhon por sa mendje shpenzon. Kjo ndihet dhe tjetri do të mbetet i kënaqur. Fotoja sipër ju jep pak idenë e atmosferës që u krijua atë mbrëmje.

A keni provuar diçka të tillë?  Do të kisha shumë qejf të dëgjoja nga ju ç’mendoni!

Shumë faleminderit për suportin dhe  mos harroni të regjistroheni që të merrni të rejat në inboksin tuaj!

Hajdeseflasim!

Vajzë Shkodrane

Flori rrëshqet nga supet e larta.

Mjaltë buron nga hojet e shpirtit.

Puhizë kur dorën në flokë e çon.

E bukur hënëz, shpërndan dritë natës së hirtë.

Syrin e mprehtë e mbajttë me vete, e therttë  djalin në zemër.

Oh e bukur lëkur-ndritur, shkëndije malesh, ndize jetën!

Pictures credit  hiddencookiejar

 

Udhëtim fotografik -Radio e vjetër 

Sa e vështirë mund të jetë të gjesh pjesë këmbimi të radios së vjetër? Që kaq e vjetër pastaj nuk është… Megjithatë, llambat, pjesët mekanike duken prej një bote tjetër.Të  shkruarat lexohen kinezçe…shenjë e një historie të hidhur. Druri që  e mbeshtjell është modest gati i papërfillshëm. Ndersa po  përpiqej ta rregullonte,  monto-çmonto, gishtërinjtë shtypën fort telat e zverdhura e fap në korent. Radjoja gumëzhiti! Dha shenjë jete. Për një çast ashtu si Radjoja gulçoi në korent, gulçoi dhe zemra. Rrotullonte më kot butonat me shpresë të  gjente këngen e preferuar të rinisë.  Apo për çudi emisionin e fëmijve, përallën e darkës. Tak u fik!

Oh…mbase pjesët e këmbimit do ti gjejmë dhe radioja e vjetër do fillojë të këndojë përsëri…pak ashtu me të keq…Por ec e mbushja mendjen atij …se fjalët,  kënget …nuk përkojnë më me zemrën fëmijë.

Udhëtim fotografik – Librat e vjetër

Ndala, librat më tërheqin si magnet. Robi i mirë i kish rreshtuar bukur bukur një nga një. S’kishte shumë  por përshkonin pothuajse trotuarin cep më cep.  Nuk para e lëshoj lekun kollaj por librat e përdorur më tundojnë shumë. Pyeta për çmimet, e bleva një. Italisht, i viteve ’30. I mbajtur, i zverdhur, i përsosur. Ai e pa magjepsjen time dhe më tha se librin e kishte një familje intelektualësh që kishin studiuar jashtë. Ai fliste, unë aq desha. Për një çast mendova se po e shpikte, mbase, gjithsesi ishte bukur. Filloja  të doja librin, të doja atë familje . . . Madje  dhe shitësin e shkretë.

Aq dua unë po, libri mu bë kaq i dashur. “Ai qe plak -tha shitësi- vdiq e librat  ia mora fëmijëve me pak lekë”. Tani unë kisha këtë grimcë kulture nëpër duart. Këtë grimcë epoke e histori. Njollat e filxhanit nëpër faqe . . . grimca jete.

Ëndrrën e bukur e thur vet. Më mjafton të ndjej aromën e letrës, të prek faqet të zverdhura, të shkund pluhurin e harresës. Ja kaq desha unë.

Librat e vjetër nuk kanë vetëm përmbajtjen, por kanë shenja e shënime, palosje e njolla, zhgaravina e dedikime të cilat përmbajnë një histori më vete. Një histori që i shton përmbajtjes një vend veç për fantazinë time.

 

Udhëtim fotografik – Freskorja

Më pëlqen ta imagjinoj stërgjyshen në verandë ulur me shoqet, e përkëdhelur nga flladi bregtedar. Më pëlqen ta imagjinoj ndërsa valëvit freskoren me pak tangërllëk. Freskorja u ble në 1928-ën. Nuk i dihet nëse ishte dhuratë martese apo një blerje personale. Di veç se freskorja ka freskuar 4 breza. Ajo ka një pamje të qeshur. . . kontrastet e ngjyrave mendoj se kanë ndikuar tek shijet e mia. E shihja tërë lakmi kur isha e vogël, gjyshja ma fshihte me xhelozi. Derisa vjet gjyshja dhe mami ma dorëzuan. U bëra roje e kujtimit të gjyshes. Një kujtim i lehtë, si ajri që e valëvit. Një kujtim i freskët.

Sendet e saj u ruajtën me shumë kujdes. Gjyshja kur ma dhuroi freskoren sikur më la stafetën e një ëndrre vajzash. Sikur më dha leje të bëhem dhe unë zonjë. Tani freskohem unë në behar, në verandë, buzëdetit.

Është e bukur, e lehtë . . . si nuk qe ndoshta jeta e saj. Por unë e imagjinoj atje . . . verandave të Mesdheut, me qesëndi pas freskores së gjelbërt.

Tiranën e marr hua e bëj timen

fb_img_1464690632420.jpg

E shajmë dhe e rishajmë. Ka pluhur, rrugët gjithmonë në rregullim e sipër, makinat  e padisiplinuara . . . këmbësorët dhe më keq! Ka akoma sigurisht . . . por kam qejf t’ju them gjërat që pëlqej. Tirana ka atmosferë, po të rrëmujshme, por plot jetë. Kafenetë e bukura, të çdollojshme janë plot e përplot. E di e di . . . ka kritika dhe për këtë disa bezdisen se ka njerëz që e shtyjnë jetën kot nga një tavolinë tek tjetra. E di e di . . . vjen nga papunësia . . . Por a ke menduar sa bukur është se Tirana i ofron edhe të varfrit mundësinë për të dalë? Mundësinë për të shijuar një muhabet, një gazetë, një libër, një takim me shoqe. Atmosfera që krijohet është kaq festive. Ulu ndonjëherë vetëm, merr një libër bëj sikur lexon. Është estradë. Do gjesh një çift që zihet pa pikë turpi në mes të lokalit. Dy çuna njomcakë me gazetën e hapur për të gjetur punë të shkretët. Dy pleq me republikë që mburren, zëri i tyre bubullues mbulon edhe muzikën pop në sfond. Të duket vetja spektator dhe aktor! Sa më pëlqen të shoh njerëzit nga dritarja, shikon paradokse, por ka jetë. Jetë herë e vështirë, e padrejtë ama jetë. 

Më pëlqen Tirana sepse je një hap nga aktivitetet artistike, shumë shpesh të arritshme. Teatri, opera, koncerte . . . nuk ka veç shfaqje të rëndomta. Gëzoj qytetin që . . . e marr hua e bëj timin. Gëzoj shëtitjet e pafundme. Gëzoj rrëmujën shumëngjyrëshe të tregjeve . . . xixa, ngjyra, mall kinez, plastikë, cohat turke. Pse jo, era e qofteve, era e petullave, kokoshkave. Muhabetet që hapen rastësisht . . . për çudi gruaja në autobus të tregon gjithë hallet e saj vetëm në kohën e një stacioni. Gallatë!

Tirana të lodh por unë e dua! Tirana ka atmosferën e duhur për mua.

Nëse ju pëlqen mos harroni të bëni Like. Ky blog është publik pra mund ta bëni share si të doni e sa të doni. ☺

Shumë faleminderit!