Muzikë e ngrirë

Shoh me shumë kënaqësi që disa nga ndërtesat e Tiranës po restaurohen. Po i kthehet lavdia arkitekturës, pavarësisht se kush e kreu. Ka shumë shtëpi dhe ndërtesa të cilat meritojnë të rivlerësohen. Kam frikë se mos shemben. Për tu zëvëndësuar nga ndërtime anonime e pa poezi.

Për shumë vjet të braktisura, të lëna pas dore, të lëshuara. Por ndërtesat flasin. Ato tregojnë historinë, shpalosin shije, krijojnë atmosferë. I bën mirë njeriut të shkretë të ec e të shohë bukuri.

Është një ndërtesë e bukur në rrugë të Durrësit e cila më ka ngacmuar vazhdimisht imagjinatën. Ajo ka vite që është bosh, e braktisur, e rrënuar. Do të doja të dija më shumë për të. A ka qënë institut? Shkollë? E kujt ka qënë? Përbri Ministrisë së Arsimit lëngon e mjerë. Po pret rradhën e lodhur.

Arkitektura është muzikë e ngrirë – Johan Volfgang Gëte
Advertisements

Jo jo jam mësuar

… në fakt sikur të kishte pranuar ndihmën tonë nuk do të dinim ç’të bënim. Ishim ca miq me makinë thamë ta ndihmojmë. Ajo thatë – Jo jo jam mësuar-

E po më erdhi keq se insistuam… por nuk hoqi dorë. Më erdhi keq sepse për mua nuk ka kuptim që një grua sidomos në atë moshë të mbajë pesha të tilla.

Sa keq më erdhi…për mua. Po se nuk mbaj dot as qeset e supermarketit.

Ajo është mësuar e tha vet. Na shihte ajo si e çuditur ndërsa dihatnim për tu ngjitur …veç me celular në dorë.

Po unë një foto e shkrepa dhe bëra mirë.

Kur ti zbulon

Kur të zbulosh se jeta ka shumë ngjyra, do arrish të shohësh. Kur të zbulosh se nuk je më i miri, se ke shitur mend po s’ishte e jotja, do arrish të kuptosh. Kur me në fund do arrish të japësh pa pritur në këmbim, do marrësh rehat. Kur të zbulosh se atë që di nuk ka vlerë nëse nuk do. Atëherë do të jetosh.

Kur të zbulosh që nuk je qëndra e botës, do fillosh të jetosh.

Mirë është ta zbulosh sa më shpejt

Shtëpitë e mia -Dubrovniku

Nuk e di akoma ku vërtetë do të doja të banoja. Në udhëtim shpesh kam menduar – këtu do të doja të banoja…

Po është një vend që kam në zemër, Dubrovnikun.

Kudo është shtëpia ime

Ky ballkon me vetrata të larta e përmbush nevojën time për dritë. Ndodhet në qytetin tim të preferuar Dubrovnik. E dua Dubrovnikun. Sa herë dua të iki nga marrëzia më shkon mendja të shkoj atje. Atje gjej frymëzim. Ka det, ka natyrë, histori, kulturë, art. Sa herë shkon zbulon ndonjë pjesë që të thotë miradhsh. Të bredh nëpër rrugica e shkallare të ngushta.

Po kjo shtëpi mes sheshit të vogël do ishte e përsosur. E vjetër, me mure që kanë ç’tregojnë. E hapur, me pamje nga sheshi plot kafenesh e restorante. Fisnike, pa bujë e luks të shfrenuar. Afër detit. Porti dy hapa, qëndra dy hapa. Ëndërroj unë e shkreta se tjetër nuk di të bëj.

Kudo është shtëpia ime

Më prit Dubrovnik…

Pranvera idiote

Oh Pranverë!
S‘beson tek dimri dhe
guximshëm çel lulet e tua.
Kapërcen stinë dhe mot,
mospërfillëse lëshon sytha e gonxhe.
Kot.
A ngrin ato nga bora e ngrica?
A thahen ato nga era dhe stuhitë?
Ç’do gjë ia vlen për një çast të ëmbël pranvere
edhe nëse idiote.

flower-3123130_1920.jpg

 

Lufta e ankesës

E njihni? Unë po. Është beteja që shpesh dëgjon midis dy njerëzve që duan të bëjnë sikur po interesohen për njeri-tjetrin. Njëri hedh, tjetri pret. Njëri ankohet, tjetri duhet të shtojë të paktën një ankesë, që të fitojë. I pari vazhdon e tjetri, duhet t’ia kalojë. Derisa sfilitet njëri. Derisa njëri duhet të ndihet keq se nuk qenka dhe aq keq. Çfarë fitohet? Fitohet një ndjesi e habitshme krenarie e mbuluar me viktimizëm. E mira nuk ka fund por as e keqja. Prandaj ia vlen apo jo të luftosh? Sa të kërkosh të mirat më mirë të mburresh me të këqijat. E pra, e si të jetë tjetri më i sëmur se unë, uh po halle? Halle kam unë më shumë.

Ushqehemi me shijen e ëmbël të dhembjeve të vogla të jetës, sikur na bëjnë të ndihemi më të mirë. Sikur meritojmë më shumë. E luftojmë të gjithë këtë betejë, është e pashmangshme. Qenka njerëzore. Kur e luaj këtë lojë më vjen të qesh se e di që kam më pak halle se ty por se si ti rrotulloj fjalët dhe fitoj. E ti ikën o i zi sikur nuk ke halle, i zhgënjyer. Disa e duan hallin më shumë se vet jeta. Disave u duhet halli. Sepse çfarë do të ishte jeta e tyre nëse nuk do të kishin një gjë për tu qarë?

Unë dua të humbas luftën e ankesës, më mirë po tërhiqem. Nuk dua të luaj më. Kur jam keq, më mirë nuk po ia them njeriut. E lë të kujtojnë se jam mirë. Se edhe të jesh mirë nuk është faj apo jo? Se kur vuan ia vlen të shijosh çfarë të mbetet. Mua më mbetet ta marr veten me të mirat se sa të rri e të të mbush mendjen njerëzve.

Unë do të ndez qirinjtë, do bëj një dush e do të dëgjoj muzikë, mbase dhe do të kërcej. Unë dhe hallet e mia! Se mund të jem e mirë edhe kështu. Mund të jem e mirë edhe pa dukur fatëkeqe. E po pata një hall, sa të luftoj kot …më mirë po e zgjidh.

candles-pixabay

Buka

Qofshim si kjo buka.
E mirë, e bollshme e bukur.
E bukur e pastër e mirë.
Qofshim si kjo buka.
E dashur e vërtetë e arritshme
U bëfshim bukë për shpirtin e pangopur.
U bëfshim buka e njeri tjetrit.

Bisedë mençurie

-Pse je bërë kaq i thartë? Pse kaq i vrazhdë?

-Nuk është faj im, të tjerët më kanë bërë ashtu. Më kanë zhgënjyer shumë dhe shumë herë!-

-Çfarë të kanë bërë? –

-Më kanë zhgënjyer, mashtruar, më kanë përdorur. Kanë përfituar nga unë. Prandaj vendosa të jem i keq e ti largoj të gjithë. Nuk dua më të ndihem i shfrytëzuar. –

-Atëherë nuk është nevoja të bëhesh më i vrazhdë por më i zgjuar. Vazhdo të jesh i sjellshëm, jo budalla. –

Nëse ndihesh i shfrytëzuar mos u bëj më i vrazhdë por më i zgjuar

Organizimi – Plusko!

Nuk ka gjë më të vështirë se sa të vazhdosh. Sidomos nëse je një person si unë i cili frymëzohet shpejt dhe … mjerisht mërzitet po aq shpejt. Disa i paragjykojnë personat që fillojnë shumë gjëra, sikur nuk dinë të bëjnë asgjë mirë, dhe janë të paqëndrueshëm. Është e vërtet, por nuk janë të gjithë ashtu. Disa prej nesh kanë vetinë të bëjnë shumë gjëra njëkohësisht, kanë kuriozitet të pangopur dhe duan të dinë, të provojnë, të realizojnë sa më shumë të jetë e mundur. E luftoja këtë prirje duke u përpjekur të qëndroja e përqendruar vetëm tek një gjë.

Me kohë mësova se më duhej të provoja shumë aktivitete nëse doja të ndihesha e plotë. Në vetë vete nuk më intereson produkti që nxjerr por emocionet, përjetimet.

Plusko pra! – i them vetes. Mos mendo se duhet të bësh veç një gjë. Provo, përshtatu me veten. Provo gjërat e reja.

Shpesh shtëpia ime i ngjan një punishte artistike, rrobaqepsi, galeri arti dhe depo kopshtarie me laptopin gjithmonë gati për të shkruar. Pluskoj me frymëzim nga një projekt në tjetrin.

E pranoj se organizimi i sendeve mund të jetë sfidues. Me kalimin e kohës rrethohem nga shumë projekte të pambaruara.

Kur më del përpara diçka që dua të bëj, përpiqem të vlerësoj se ç’mund të nxjerr prej asaj përvoje. Nëse kam provuar një herë Decoupage përshembull, dhe nuk më ka frymëzuar, preferoj të provoj diçka tjetër më mirë.

Kur dua të merrem me një hobby sa për të provuar tani bëj kështu. Ftoj dikë që të merremi bashkë dhe e përfundojmë brenda ditës.

Kur filloj diçka e nis si përvojë, provë. Prandaj nuk investoj shumë në blerjen e çdo pajisje e material.

Përdor kutia për secilin projekt. Nëse shoh se nuk i hap për shumë kohë. Frymëzo dikë duke dhuruar gjithë kutinë!

Mos harro se pluskimi nga një aktivitet në tjetrin duhet të jetë kënaqësi e jo stres. Ndoshta hobby yt është thjesht të provosh hobby të tjerëve!

Tani, nuk kam më hobby, por thjesht punë që më japin kënaqësi. Sepse po kthej hobby në punë!

Pluskim të mbarë oh qenie të veçanta!

Dalim

E ku do shkojmë? – Është pyejtja që vijon ftesës -Dalim?

Po, sepse paskemi nevojë të dimë për fije e për pe itinerarin e përcaktuar. Kemi nevojë të dimë se do të dalim për të hyrë prap diku. Kemi nevojë të jemi nën kontroll të çdo çasti në jetë. Dal prandaj vetëm veç për të ecur. Vërdall. Me hap të ngadaltë. Shijoj hapin tim. Dëgjoj zhurmat e qytetit, zërat, boritë. Ndjej shijen e smogut helmues, aromën e ëmbëltores. Shoh ngjyrat e vitrinave, qentë me pronarët, pleqtë që luajnë domino. Shoh çdo gjë si për herë të parë. I lë këmbët të lira, të më çojnë ku të duan. Pa qëllim. Pa qëllim, pa vrapuar, pa pasur një orar, pa ndjerë presion. Krejtësisht në dorë të rastësisë.

Sahati-Hajdeseflasim
Si sahat me shigjetat mbrapsht. Sahat i prishur jam. Çastet më duken përjetësi.

Në foto Sahati i Tiranës

Si sahat me shigjetat mbrapsht. Sahat i prishur jam. Çastet më duken përjetësi.

Sahati-Hajdeseflasim
Më pëlqen të humb kohë, se koha humbur më bën të fitoj.

Më pëlqen të humb kohë, se koha humbur më bën të fitoj.

Lodrat- Hajdeseflasim
Më pëlqen të endem, kundër kohës.

Në foto Sheshi Skënderbej

Më pëlqen të endem, kundër kohës.

Pictures by Hajdeseflasim