Të lutem

Më mbulo me fjalë, të lutem.

Nëse nuk di, mësoji.

Më fol, ma thuaj ëndrrën, ma thuaj dëshirën.

Më fol, më trego ç’kërkon e ç’do të më japësh.

Merrja fjalët poetëve hua dhe m’thuaj se janë të tuat.

Merrja këngëve e më gënje po deshe …veç mi thuaj.

Se po thahem pa fjalë dhe kam frikë se do zhdukem.

Se lulja jote jam, po më jep ujë, të çel.

Më mbulo me fjalë, të lutem.

Advertisements

Je apo ke?

Dyqanet, qëndrat tregtare, boutiques, blerje online. Të gjitha gëlojnë me njerëz të pasur dhe jo. Të gjithë kërkojnë arsye për të blerë, përherë e gjejnë. Qeset mbushen kollaj, syri hapet më shumë, ndoshta zemrat mbeten të zbrazura.

Si të jesh i kamur apo dëshpërimisht i varfër, mund të kesh problemin e një shtëpie mbushur me sende të bukura por të papërdorura ose një gjendje shpirtore mjeranesh sa herë duam diçka që nuk e zotëron dot.

Do t’ju zbuloj një sekret timin.

Më ka ndodhur jo rrallë, të kem shije të hollë. Se si nuk e di, po më shkon syri tek gjëra të bukura e të shtrenjta. Ato këpucë, ajo pallto ma bëjnë me sy, fjala “jo” e arsyes ndizet dhe më fik pak.

Mendova pse ka kaq shumë rëndësi për mua ti kem pikërisht ato, pse i dua kaq shumë?

Pasja është më e fuqishmja se qënia? Shpika një lojë që çmend shitësit dhe më kënaq mua. Futem në dyqanin ku do të gjej më të mirën. Në fund të fundit qëllimi është të ndihesh mirë. Në fund të fundit e meritoj të ndihem mirë.

Vesh pallton e bukur, këpucët. Shihem në pasqyrë. Shitësja tek sa më ndihmon më thotë: Sikur është prerë për ju. Sa ju shkon. – Në moment bëj një lojë psikologjike dhe përqëndrohem tek ndjesia që më japin. Pyes veten, si ndihem brenda palltos, po me këto këpucë?

Oh si ndihem?! Jam e fuqishme! Tigër! Po me këpucët? Oh ndjej gjithë feminilitetin që shpërthen nga takat. Jam version tjetër. Pra të kesh të bënka të jesh ndryshe? Eh jo, nuk e pranoj. Unë dua të Jem e fortë dhe femërore e jo ti kem këto cilësi varur në dollap.

Të jesh është më e rëndësishme se sa të kesh.

Me krenari i them se nuk do t’i blej. Të paktën jo për momentin. Shkoj në shtëpi dhe provoj ato që kam, dhe e di? Unë jam tiger dhe femërore. Nuk kam nevojë ta blej atë lirë apo shtrenjtë qoftë.

Një ditë ndoshta do ti kem, dëshirat janë të bukura, por ndërkohë nuk do Jem më pak.

Ka raste që provon atë kolltukun e bukur e ndihesh si në paqe, apo ndoshta ti djal provon atë makinë që të bën të ndihesh si boss. Nuk i ke dhe pra nuk je? Provoje lojën! Është më mirë të Jesh se sa të Kesh!

Buzëqeshja

Buzëqeshja lind nga mendja. Është një qëndrim me të cilin lind, besoj, por e mëson dhe rrugës. Nëse e ke, mjerisht, jeta do të bëjë të pamundurën të ta heqë.

Për çudi tek disa njerëz ndodh e kundërta. Sa më shumë vuajnë aq më tepër i thellohet buzëqeshja.

Nuk jam bërë ndonjëherë pishman se kam buzëqeshur. Edhe kur duket se nuk e meritojnë, ajo zbut zemrat e serta. Por mbi të gjitha buzëqeshja të mbron nga ngurtësimi i vet zemrës tënde.

Ai që buzëqesh me sinqeritet di të qajë edhe me dënesë, ky është çmimi.

Buzëqeshja … do të jetë dritarja nëpërmjet së cilës do të hyjë drita në shpirtin tënd.

Zejtarët e Tiranës II

Para ca kohësh gjeta këtë oaz bukurie në Tiranë. Gjeta se disa kanë aftësinë për të punuar me fijet ëndrrave.

Foto nga profili Emanuelatelier

Atelieri që mu desh ta kërkoja me ngulm pasi isha shumë kurioze ta shihja, kishte ngjyrat e ëndrrave të mia.

Foto nga profili Emanuelatelier

Një vend krijimtarie dhe ndjenjash të mira ku çdo gjë është e tjerrur me fillin e dashurisë. Një derë që të çon jashtë dhe brenda në të njëjtën kohë. Jashtë realitetit dhe brenda shpirtit.

Quhet Emanuelatelier

Foto nga profili Emanuelatelier

Atje qepen dëshirat, dhe mund të veshesh përrallën dhe të ndihesh zanë, najadë, shtojzovalle zgjidhe vet!

Atje ti bëhesh kanavacë artisti.

Hapa sirtarin

Jam e kënaqur që di të ëndërroj kaq bukur sa realiteti bëhet gati i pabesueshëm…

Jam e kënaqur që sirtari i mbyllur prej kohësh u hap dhe çelësin lumturisht e humba. Kështu që tani ëndrrat janë kështu, të gjitha të hapura. Të shpalosura. Duhet të duket si një libër përrallash ma do mendja.

Jam e kënaqur se po shndërroj ëndrrat në synime. Po marr secilën dëshirë në shqyrtim dhe për çudi shoh se asgjë nuk është tërësisht e pamundur.

Nxorra ëndrrat një nga një. Ato që ishin venitur i pikturova sërish. Të rejave u dhashë përparësi … hartova një plan.

Në sirtar nuk ka më asnjë ëndërr … Kam vetëm plane, nëse nuk funksionojnë… kam planin B.

Ndërkohë, këtu dua t’ju tregoj se si një tabelë vizive mund t’ju ndihmojë të shndërroni ëndrrat në synime. Ky është thjesht një shembull. E kam bërë me Canva, nga celulari apo pc. Por mund ta bësh edhe me letra, të shkruara dhe kolazhe. Rëndësi ka që ta mbash para syve me synimet e tua. Mjafton të kërkosh në Google për #visionboards!

Mund ta bësh për çdo gjë që dëshiron të arrish në jetë, arritjet shpirtërore, profesionale, shkollore, udhëtimet. Mjafton të shkruash dëshirën dhe si do punosh që ta arrish. Unë mbaj timen në celular dhe herë pas here e shoh që të frymëzohem të bëj hapat drejt “ëndrrës”.

Nëse doni të dini më shumë më shkruani!

Më gjeni edhe në Instagram Hajdeseflasim

Unë po shkoj të jetoj

Sa kostume kanë ngelur pa u veshur, sa gjerdane pa u vënë. Sa gjëra kanë ngelur pa bërë se presim çastin e duhur. Do ta ruaj për raste, e rastet nuk vijnë kurrë. Në dollap shumë shpejt do gjejmë rroba të reja dhe ëndrra të vjetra.

Mos prit që të vij rasti. Konsumoje jetën! Vish këpucët e reja, se ndryshe do të vrasin deri në varr. Mos prit një djalë që të jesh e bukur. Mos prit një punë që të ndihesh i arrirë. Krihu, vishu, dil, bëj ç’ke për të bërë. Prodho diçka, prodho një ndjenjë, bëj një vepër të mirë. Krijo veten tënde mbitëgjitha!

Mos prit rastin e duhur, sepse rastin e krijojmë vet. Nuk ka ditë që nuk duhet të jetë kremtim, qoftë edhe më e trishtuara.

Mos e shtyj jetën për më vonë – hë sa të gjej punë – hë sa të fejohem – hë sa të shërohem. Bo-bo, ç’bën ashtu nuk e sheh? Jeta është aty … në ajër. Është në një pëqafim, në një lule që këput, është në duart e nënës, është në sytë e një fëmijë. Jeta është brenda teje e ti e kërkon jashtë? Ajo ka ardhur me kohë, dhe ti e pret ende?

Eh po njerëzit do të çuditen kur të të shohin zbukuruar, do pyesin duke u tallur: Ej ti ku po shkon, ke sebep?

E ti përgjigju seriozisht: Unë, po. Po shkoj të jetoj!

Pse e dua të hënën?

Nga të gjitha ditët e javës unë preferoj të hënën. Madje do thosha se nuk më pëlqen shumë e diela.

E dua të hënën sepse është dita e parë. E hëna ka emocionin e nisjes. Përmban frymëzimin e së ardhmës.

Më pëlqen sepse i rikthehesh punës. A ke menduar ndonjëherë sa fatlum je nëse e ke një punë? E hëna të jep shansin të rifillosh nga e para, ti japësh vetes mundësi të reja.

E hëna është e bukur dhe kur nuk je në punë, se mjerisht edhe kjo ndodh. A ke menduar sa fatlum je të shijosh pushimin kur të gjithë janë në punë? Lokale, rrugët, stolat janë të gjitha për ty ashtu sikur dhe plazhi?

Një arsye tjetër pse e dua të hënën është se kam frikë nga e diela. E diela mbivlerësohet dhe më fut ankthin se duhet patjetër të kënaqësh… Kur në fakt unë nuk dua të pres të dielën.

E hëna është dita ime. Dita e motivimit. Dita kur fillojnë programet dhe synimet.

E hëna dita ime.

Nxitim

E shkathët jam, mendoja. Mund të bëj disa gjëra një kohësisht. Mos humb kohë, i thosha vetes. Duhet të bësh më shumë. Shto e shto nuk ka më kohë për të jetuar.

Nxitimi po më merrte jetën. Tani nuk nxitoj më, as nuk nxitoj dot. E shkathët jam akoma.

Mendësia që të “shfrytëzosh” kohën medoemos të mohon mundësinë për të shfrytëzuar vërtet jetën. Por mund të jetë ndryshe. Si?

Bej gjërat një nga një. I shijoj, i marr pak më shtruar. Vjen koha kur nuk ka rëndësi sa bën por si i bën.

Mbaj një ritëm timin pa vrapuar. Çdo ditë jemi ndryshe, ki durim me veten. Nuk je makineri. Bëj më të mirën por edhe ji mirë.

Mendoj për atë që bëj. Provoj të shijoj edhe ato punë që nuk preferoj. Nëse një punë a detyrë nuk më pëlqen gjej arsyet për ta bërë. “Pa e shtyrë”.

Kollon zanore. Pse jeta në filma është gjithnjë me interesante? Sepse ka muzikë! Ndiz radion, krijo një playlist, kërce sa herë mundesh.

Atmosferë. I krijoj vetes atmosferën e duhur. Ndez qirinj edhe nëse jam vetem. Ndez abazhurin, rregulloj gjërat bukur.

Kam caktuar edhe kohë për të mos bërë asgjë. Veç merr frymë! Nuk është përtaci është domosdoshmëri! Është koha e frymëzimit. Koha kur lindin idetë, ndjenjat lulëzojnë. Koha për të gjetur energjinë e të vazhdosh të jetosh, pa nxitim!

 

Shkarko falas Jeto pdf free

Për qejf

Për qejf, gjeta këto “relike” i ridhash jetë. Për qejf këputa luleborë dhe ia vura vetes në tabaka. Po, po, për qejf. Për qejf bëra dhe foto. Sepse jam e bindur se kur gjej bukuri rreth meje ndihem e bukur edhe unë, brenda. Për qejf e piva kafen time me atë filxhan të mbijetuar dekadave. Për qejf dhe asgjë nga halli. Se kur gjej kënaqësi në gjëra të vogla rigjej gjithë pasionin që kam për jetën, e të jetoj për qejf e jo për hall.

Mbylla hesapet

I mbylla. Pagova kamatët e fundit. I kisha premtuar vetes se kurrë nuk do të merrja borxh…ja që i ka jeta këto. Ah jo … Nuk flas për para. Flas për ditë, jetë, çaste … I pata kërkuar borxh së kaluarës. Ajo vuri kamat të lart. Duhet ta paguaja. E kaluara, nostalgjike e poshtër. Të mashtron me ato “sikur” me ato “nëse”, dhe ti ngec. Kamata është e lart se për çdo iluzion të heq një ditë jete nga sot. Pa kuptuar fillon jeton gjithnjë e më pak.

Jo nuk shkon. I mbylla hesapet… Tani nuk kam borxhe. E kaluara të mbetet souvenir … Jeta është sot.