Vintage Pjesa 2

Stili Vintage po përhapet…dhe unë jam shumë e lumtur! Kam pasur gjithnjë pikë të dobët veshjet e epokave të mëparshme. Po si mund të jesh Vintage në jetën e përditshme? Unë ndihem rehat me disa veshje moderne, të cilat më duken praktike dhe të rehatshme për jetën tonë. Nuk do të hiqja dorë nga materialet e pambukta dhe të buta që kemi sot. Po si mund të mos humbasësh stilin Vintage?

Aksesorët!

Duke shtuar një ose 2 aksesorë që e personalizojnë veshjen. Mund të jetë një spilë, një shall, doreza apo çantë. Edhe burrat mund të shtojnë element vintage, një shami xhepi apo thjesht skeletin e duhur të syzeve. Për shembull shikoni këto elementë, shalli është i stërgjyshes dhe varësja prej korali gjyshes. Këto mund t’i japin një nuancë Vintage shumë veshjeve.

Kombino ndryshe ngjyrat!

Kombinimi i ngjyrave ndryshon pamjen. Ngjyrat janë kombinuar ndryshe ndër vite. Ajo që nuk shkon tani ndoshta për prinderit tanë quhej kontrast i këndshëm. Shiko ndonjë foto për tu frymëzuar në rrjet, unë përdor Pinterest. Mos ki frikë të guxosh me ngjyrat. Disa e kufizojnë kombinimin e ngjyrave por shiko këtë pamje. Lulet e kuqe me shallin manushaqe dhe dorezat gati rozë. Interesante apo jo?

Foto nga pinterest

Pra nëse do të dukesh pak Vintage kujdesu me aksesorë dhe kombinimin e ngjyrave të epokës që preferon! Duhet pak guxim…por dhe ki kujdes të mos e ekzagjerosh!

Unë kam gjetur shumë frymëzim nga Lilly Jarlson e cila e zotëron bukur stilin e saj Vintage duke provuar dhe eksploruar epoka të ndryshme.

Mua më pëlqen shumë 1900 deri 1920 po ju cilën përiudhë preferoni?

Advertisements

Keqkuptim apo “moskuptim”? 

Sa lehtë e shpesh  i japim fund bisedës me: -me siguri  ka qënë keqkuptim-. Sigurisht, ashtu  do të jetë.  Sigurisht ashtu  leverdis  të jetë! Nuk ka shpjegim tjetër as shpëtim tjetër!

Në disa raste le ta quajmë “moskuptim”. Po po, se ç’emër t’i japësh  kur nuk duan të kuptojnë?  Ç’emër t’i japësh kur më mirë  i uron  të jenë  të mangët…

Keqkuptimet lindin, lindin tek njerëzit që kuptojnë…e nganjëherë gabojnë.

“Moskuptimet” lindin tek njerëzit  që nuk duan  të gabojnë  dhe vendosin  të  mos kuptojnë.

Zgjidhja? Unë e kam gjetur me dhembje  dhe rrugë të gjatë. Kur nuk duan  të kuptojnë  është  vendim  dhe duhet  respektuar. Çfarë provoj të bëj?

  • Ndal se shpjeguari, koha është thesar.
  • Vazhdo të sillesh  me edukatë
  • Pak largësi nuk vret njeri
  • Hapi derën  miqësive të reja, të duhura.

Karikatura nga @lascelta_migliore

Veç ji

Veç ji! Mos u mundo  tepër.

Veç ji! Mos u duk tepër.

Shpëlaje veten  nga boja  e tjetrit.

Shpëlaje  fytyrën  nga buzëqeshjet e rreme.

Ji real! Mos u ngatërro me aktrimin.

Ji real! Mos u ngatërro  me pëlqimin.

Veç jeto! Natyrshëm …