Për qejf

Për qejf, gjeta këto “relike” i ridhash jetë. Për qejf këputa luleborë dhe ia vura vetes në tabaka. Po, po, për qejf. Për qejf bëra dhe foto. Sepse jam e bindur se kur gjej bukuri rreth meje ndihem e bukur edhe unë, brenda. Për qejf e piva kafen time me atë filxhan të mbijetuar dekadave. Për qejf dhe asgjë nga halli. Se kur gjej kënaqësi në gjëra të vogla rigjej gjithë pasionin që kam për jetën, e të jetoj për qejf e jo për hall.

Advertisements

Mbylla hesapet

I mbylla. Pagova kamatët e fundit. I kisha premtuar vetes se kurrë nuk do të merrja borxh…ja që i ka jeta këto. Ah jo … Nuk flas për para. Flas për ditë, jetë, çaste … I pata kërkuar borxh së kaluarës. Ajo vuri kamat të lart. Duhet ta paguaja. E kaluara, nostalgjike e poshtër. Të mashtron me ato “sikur” me ato “nëse”, dhe ti ngec. Kamata është e lart se për çdo iluzion të heq një ditë jete nga sot. Pa kuptuar fillon jeton gjithnjë e më pak.

Jo nuk shkon. I mbylla hesapet… Tani nuk kam borxhe. E kaluara të mbetet souvenir … Jeta është sot.

Tek lokali i lagjes

2015-09-13-22-07-20

I thash pronares së lokalit të më rezervonte një vend në orën shtatë të darkës. Pak kohë më përpara solla nga shtëpia disa orendi… jastëqet e shtëpisë, mbulesë, lule dhe qirinjë.

E zbukurova vendin sipas dëshirës. Habia e njerëzve nuk më shkurajoi. Sytë e njerëzve kurioz nuk  më ndalen. Vendosa lule. Mora me vete kavanozat me tyl të cilët kësaj radhe i përdora si vazo lulesh. Pronarja ishte shumë e mirë dhe më dha nja dy shandane të vogla shtesë.

Atij… i thash zbrit pije një kafe… sa të bëj darken gati. Atje kishte tashmë të porositur një aperitivë nga ana ime tek këndi i rezervuar. Do të kisha dashur të shihja fytyren e tij. Pak minuta më vonë zbrita me koshin e piknikut. Normal, isha veshur për rastin… Pronarja e lokalit më ndihmoi me pak muzikë ndërsa hyja në lokal. Ishte një çast kaq i bukur dhe romantik! Surpriza funksionoi! Ai nuk e priste fare. Pas pak erdhi kamarieri me gota Martini, që i pata porositur më parë dhe këto. Menuja ishte e thjesht, kikirika, fruta të thata, bukë të thekura të vogla dhe salcra pikante. Ishin të mira, por qëllimi nuk ishte ushqimi. Qëllimi ishim ne. U rrethuam nga hija e dashurisë sonë.

Për nja dy orë atje tek lokali i lagjes, pa shpënzuar dhe pa levizur shumë shijuam një nga mbrëmjet më të bukur të jetës sonë. Ai kënd u trasformua në një ishull.

Nuk e fsheh  të gjithë na shikonin të çuditur. E dini çfare? Nuk na interesoi fare!

Nëse do të bësh një surprizë mendo për tjetrin e jo për veten! Hiq komplekset! Ki mendjen tek detajet! Kjo dotë thotë se nuk ka rëndësi vetëm sa ha apo çfarë por dhe si. Ka rëndësi atmosfera që krijohet. Nuk vlen sa lek harxhon por sa mendje shpenzon. Kjo ndihet dhe tjetri do të mbetet i kënaqur. Fotoja sipër ju jep pak idenë e atmosferës që u krijua atë mbrëmje.

A keni provuar diçka të tillë?  Do të kisha shumë qejf të dëgjoja nga ju ç’mendoni!

Shumë faleminderit për suportin dhe  mos harroni të regjistroheni që të merrni të rejat në inboksin tuaj!

Hajdeseflasim!

Ta pimë një kafe

Në Tiranën tonë kafja është fillimi dhe përfundimi. Unë sigurisht pi kafe dhe bie lehtë pre e shijes së kafesë në kafene. Atje ku ne banoret e këtij qyteti e ndalim kohën për ca minuta . . . ose orë . . . ç’rëndësi ka. Disave mund t’u duket çudi. Në fakt ta shtysh një filxhan kafe për një orë do një çik talent. Talent i lindur që kërkon shumë praktikë. Aroma e kafesë ka aromën e miqësisë. Ka shijen e ujdive. Kafja pihet me shumë por të ngjit veç me disa. Rituali i përditshëm do kohën e vet. Ndalohet nxitimi. E urrej nxitimin. E dua kafen. Kafja ka shije takimesh dashurie. Kafja ka nxehtësinë e polemikave. Atje qahen hallet, zgjidhen . . . ose harrohen. Bluarja e kafesë ngjason me bluarjen e esencës njerëzore e cila shtrydhet nën presion dhe del . . . kryevepër. E shtrydhur, e fortë apo e hollë sipas muhabetit ajo përshtatet.