Udhëtim fotografik – Shkenca dhe jeta

I kujton njeri këto? Rrëmova sa rrëmova dhe gjëta këto!

2017-05-25-12-02-41-104

Nuk po reklamoj asnjëlloj nostalgjie as epoke apo politike. Thjesht i gjeta dhe mendoj se bëjnë pjesë e historisë. Mendoni si i sheh një i huaj. Kurioziteti është gricës.

2017-05-25-12-05-42-344.jpg

E kaluara nuk fshihet.

2017-05-25-12-07-09-151

Gjithsecili i ka disa kujtime, të vetat, të prinderve. Të mira, të hidhura. Të pagjykueshme se kanë kaluar.

2017-05-25-20-46-41

2017-05-25-12-06-12-047

E kaluara nuk mund të kthehet dhe kjo është mirë.

2017-05-25-12-03-01-952

 

 

Advertisements

Udhëtim fotografik – Librat e vjetër

Ndala, librat më tërheqin si magnet. Robi i mirë i kish rreshtuar bukur bukur një nga një. S’kishte shumë  por përshkonin pothuajse trotuarin cep më cep.  Nuk para e lëshoj lekun kollaj por librat e përdorur më tundojnë shumë. Pyeta për çmimet, e bleva një. Italisht, i viteve ’30. I mbajtur, i zverdhur, i përsosur. Ai e pa magjepsjen time dhe më tha se librin e kishte një familje intelektualësh që kishin studiuar jashtë. Ai fliste, unë aq desha. Për një çast mendova se po e shpikte, mbase, gjithsesi ishte bukur. Filloja  të doja librin, të doja atë familje . . . Madje  dhe shitësin e shkretë.

Aq dua unë po, libri mu bë kaq i dashur. “Ai qe plak -tha shitësi- vdiq e librat  ia mora fëmijëve me pak lekë”. Tani unë kisha këtë grimcë kulture nëpër duart. Këtë grimcë epoke e histori. Njollat e filxhanit nëpër faqe . . . grimca jete.

Ëndrrën e bukur e thur vet. Më mjafton të ndjej aromën e letrës, të prek faqet të zverdhura, të shkund pluhurin e harresës. Ja kaq desha unë.

Librat e vjetër nuk kanë vetëm përmbajtjen, por kanë shenja e shënime, palosje e njolla, zhgaravina e dedikime të cilat përmbajnë një histori më vete. Një histori që i shton përmbajtjes një vend veç për fantazinë time.

 

Udhëtim fotografik – Freskorja

Më pëlqen ta imagjinoj stërgjyshen në verandë ulur me shoqet, e përkëdhelur nga flladi bregtedar. Më pëlqen ta imagjinoj ndërsa valëvit freskoren me pak tangërllëk. Freskorja u ble në 1928-ën. Nuk i dihet nëse ishte dhuratë martese apo një blerje personale. Di veç se freskorja ka freskuar 4 breza. Ajo ka një pamje të qeshur. . . kontrastet e ngjyrave mendoj se kanë ndikuar tek shijet e mia. E shihja tërë lakmi kur isha e vogël, gjyshja ma fshihte me xhelozi. Derisa vjet gjyshja dhe mami ma dorëzuan. U bëra roje e kujtimit të gjyshes. Një kujtim i lehtë, si ajri që e valëvit. Një kujtim i freskët.

Sendet e saj u ruajtën me shumë kujdes. Gjyshja kur ma dhuroi freskoren sikur më la stafetën e një ëndrre vajzash. Sikur më dha leje të bëhem dhe unë zonjë. Tani freskohem unë në behar, në verandë, buzëdetit.

Është e bukur, e lehtë . . . si nuk qe ndoshta jeta e saj. Por unë e imagjinoj atje . . . verandave të Mesdheut, me qesëndi pas freskores së gjelbërt.

Udhëtim fotografik – “Carte des Vins”

Kam një lidhje të veçantë me gjërat. Nuk ka të bëjë me çmimin apo me bukurinë por me vlerën e tyre shpirtërore. Kam trashëguar nga gjyshi këtë dosje. “Carte des vins” në frëngjisht, si një meny verërash. Ka qenë nëpër duart të gjyshit dhe të babait më vonë. Tani e zotëroj unë.

Zbulova se kjo meny është përdorur nga gjyshi që merrej me tregti. Firma e verës ishte Charles Heidsieck  prodhonte shampanjë. U habita kur pashë se akoma prodhon  shampanjë!

Pjesa e brendshme e dosjes daton 1919. Dhe prezanton firmën më së miri.

Sa herë e shoh mendja ime ëndërrimtare bën një udhëtim . . . shpesh pa kthim . . .