Në autobus – Bagëti

I pashmangshëm herët a vonë. Autobusi mbetet akuariumi ku takohen njerëz që ndryshe nuk do të ishin puqur kurrë. Autobusi është për mua torturë dhe zbavitje.

Herën e fundit për të shkuar në destinacion mu desh të prisja gati një orë për të hipur në automjetin e cili nuk mbante më. Ishim kaq shumë sa nuk mund të levizje, frymëmarrja ishte e tepërt. Sa gjynah më erdhi për vete, për të gjithë. Atje ngjeshur -ngjeshur pësuam një shkrirje. U bëmë një. Kisha disa djem prapa që ulërisnin se donin të zbrisnin. Një grua goxha e mbajtur bezdisej nga unë … që nuk dija ku të shkoja. – Na shtype – tha. Kërkova falje por me sa duket nuk mjaftoi. Unë shtyja se më shtynin …

Nuk ka edukatë, etikë, shtresë shoqerorore, ndjesi njerëzore që mos të shtrëmbërohet kur je nën trysni. Të gjithë dalin nga vetja e nxjerrin më të keqen. Kthehemi në bagëti.

Sharjet, ulërimat, fjalët ordinere pëllitjet … janë porsi djersa, të pashmangshme.

Ja që mban erë autobusi, nga pjekja e mishit dhe nga shpërbërja njerëzore.

Disa gjëra nuk do të ndryshojnë kurrë.

Advertisements

Çfarë mësova nga ” mikja ” ime.

Dashuri, shumë dashuri falin. Disa, si unë thonë se qeni është i veçantë. Të tjerë me të drejtë thonë se është macja apo cilado të jetë kafsha e tyre, ashtu është më e mira. Vet kam pasur mace, brejtës, breshka ujë, breshka toke. Kujtoj se e vogël mbaja zhapikë në kavanoz dhe në fantazinë time hapa një spital bletash kur isha me pushime në mal.

Dashuri falin pasi janë në gjendje të çkopsitin shpirtin tonë të mbyllur. Na bëjnë neve të ndihemi në gjendje të falim dashuri.

Tani kam një qenushe të dashur dhe çapkëne. Ajo është  një West Highland wheaten Terrier i përzier me Lushnjar…. po po!… Ah ah!

Duke e vezhguar nga afër mësoj shumë prej saj. Ja çfarë 4 gjëra që kam mësuar prej qenit:

Kujdesi për veten. Një qen harxhon shumë kohë duke u marr me pastrimin vetjak, lëpirje, heqjen e nyjeve dhe le të themi krehjes … Kjo veçantë asaj që i bëj unë. Nëse një qen e bën këtë çdo njeri duhet ti kushtojë vetes kohë çdo ditë!

Pushim. Kur ajo është e lodhur pushon. Pushon vërtet ama. Nganjëherë preferon të mos e prish gjumin as për të ngrënë. Ajo instinktivisht merr kohën e mjaftueshme për të marr veten. Oh sa duhet ta imitoj në këtë.

Nuk i beson çdo kujt. E dashur është por … ka një nuhatje të mirë për tipat të vështirë. Edhe nëse e qetësoj, ajo vazhdon të jetë në gjendje alarmi me atë njeri.

Dashuri pa kushte. Ajo më do kur jam mirë edhe keq. Ngre bishtin kur e përkdhel dhe qëndron afër kur jam indiferente. Qëndron afër gjithmonë, kur qesh e kur qaj. Prej saj kam mësuar çfarë është miqësia.

Ngadal dhe ndryshe

Prej vitesh jam e fiksuar me lindjen. Më pëlqen arti, kultura, ushqimi, mençuria. Me anë të ushqimit mund të udhëtojmë larg.

Ushqimi kinez shijohet me çaj. Ai përgatit stomakun për pikantet dhe të ëmblat. Ai përgatit dhe atmosferën për bisedë.

Të hash me shkopat pastaj … nëse di do të shijosh gjithçka më mirë. Ato të detyrojnë të ngadalsojnë ritmin dhe përmasat kafshatës. Nëse nuk di, puna e madhe do shkrihesh së qeshuri duke mësuar. Të paktën do të jesh zbavitës.

Ngadal dhe ndryshe ha dhe ngadal dhe ndryshe jeto!

Tek restoranti Oriental City

Për qejf

Për qejf, gjeta këto “relike” i ridhash jetë. Për qejf këputa luleborë dhe ia vura vetes në tabaka. Po, po, për qejf. Për qejf bëra dhe foto. Sepse jam e bindur se kur gjej bukuri rreth meje ndihem e bukur edhe unë, brenda. Për qejf e piva kafen time me atë filxhan të mbijetuar dekadave. Për qejf dhe asgjë nga halli. Se kur gjej kënaqësi në gjëra të vogla rigjej gjithë pasionin që kam për jetën, e të jetoj për qejf e jo për hall.

Rreth liqenit

Fëmijë që shprehen si pleq, pleq që sillen si të papjekur. Gra që shajnë me fjalor burgaxhinsh, burra që heshtin si nuse me duvak. Të rinj të lodhur pa e nisur jetën, të vjetër pa përvojë. Endemi vërdall liqenit. Disa të zbrazur nga dështimi, të tjerë të mbushur nga zëmërimi. Një kitarist i dehur bërtet me bindje se këndon ndërsa dy djem liceu i bien violinçelës të turpshëm.

Unë e çuditur po aq sa e çuditshme. Endem si të gjithë rreth këtij liqenit.

Paradoks

Shqipëria ka shumëllojshmëri natyrore marramendëse. Gjen male të thepisura dhe det të qelqët. Gjen kodra të buta dhe rrëke të freskëta. Sot gjen qytetin e Tiranës bashkëkohorë, modern, të shpejtë, disi në qejf. Është qytet ku pihet happy hour, ku u përshendetet me Ciao, Bye bye.

Tirana, ku paradokset janë si buka që ha.

Filtrin e duhur

Shkrep foto ca andej-këtej. Kthehem në shtëpi, e plandosem në kolltuk. Filloj të loz si padashje me filtrat në foto. I zbardh, i pres, i kthej. Provoj dritat, efektet me rradhë. Ikën koha, e gjej veten në një dimension ngjyrash e relievesh… derisa nuk zgjedh filtrin e duhur, të paktën për vete.

Gjetça një filtër dhe për vete. Një efekt të bukur që të më pëlqej vetja. Gjetça një efekt për vete, ta shoh veten ndryshe.

Shitësja e bukur

Vitrina të bukura, shumë ngjyrëshe, drita, dekore të menduara mirë. Çdo dyqan ka stilin e vet, dhe është një kënaqësi të hysh. Edhe shitëset janë të bukura. Kjo më kënaq…Deri sa hapin gojën. Nuk kanë përgatitjen e duhur njerëzore për ti shërbyer klientet.

Më ka ndodhur para ca kohësh të hidhja një sy në një dyqan aromash bimore. Kisha një shishe të Tea Tree në dorë e po ma reklamonte për parfum. Nuk e mbaj mend se si ra muhabeti po i thash vajzës vetull-instagram se Tea Tree nuk është parfum. Vajrat kanë përdorime të ndryshme madje unë i djeg në qiri si aromatizues. Ajo mbeti jo vetëm e habitur por ngulte këmbë se këto janë vetëm parfuma. Edhe sikur të kishte të drejtë, vajza e bukur fliste shemtuar. Vetëdija se ishte ishte hija e dobët e Kardashianit i mjaftonte për tu ndjerë superiore. Mirë, vazhdova bisedën… Nuk dinte çmimet, nuk njihte produkte, nuk kishte veshje profesionale, nuk dinte të artikulonte një fjali. Mbi të gjitha nuk buzëqeshte. Nuk më intereson të kuptoj mallin -tha -unë jam thjesht shitëse. Sa për të qeshur një shitëse qe nuk shet!

Shitësja e bukur nuk shiti! (Tani kuptoj pse marrin kaq pak)

Apel për pronarët e dyqanëve. Nuk duhet të jenë medoemos Miss apo shkencëtare. Mjafton të dinë të flasin, të jenë punëtore dhe të edukuara. Jo për gjë … po ka dhe dyqane online tani!

Shitësja që nuk shet!

Dalim

E ku do shkojmë? – Është pyejtja që vijon ftesën -Dalim?

Po, sepse paskemi nevojë të dimë për fije e për pe itinerarin e përcaktuar. Kemi nevojë të dimë se do të dalim për të hyrë prap diku. Kemi nevojë të jemi nën kontroll të çdo çasti në jetë. Dal prandaj vetëm veç për të ecur. Vërdall. Me hap të ngadaltë. Shijoj hapin tim. Dëgjoj zhurmat e qytetit, zërat, boritë. Ndjej shijen e smogut helmues, aromën e ëmbëltores. Shoh ngjyrat e vitrinave, qentë me pronarët, pleqtë që luajnë domino. Shoh çdo gjë si për herë të parë. I lë këmbët të lira, të më çojnë ku të duan. Pa qëllim. Pa qëllim, pa vrapuar, pa pasur një orar, pa ndjerë presion. Krejtësisht në dorë të rastësisë.

Sahati-Hajdeseflasim
Si sahat me shigjetat mbrapsht. Sahat i prishur jam. Çastet më duken përjetësi.

Në foto Sahati i Tiranës

Si sahat me shigjetat mbrapsht. Sahat i prishur jam. Çastet më duken përjetësi.

Sahati-Hajdeseflasim
Më pëlqen të humb kohë, se koha humbur më bën të fitoj.

Më pëlqen të humb kohë, se koha humbur më bën të fitoj.

Lodrat- Hajdeseflasim
Më pëlqen të endem, kundër kohës.

Në foto Sheshi Skënderbej

Më pëlqen të endem, kundër kohës.

Pictures by Hajdeseflasim