Ty të besohet?

… ty të besohet?
E ndjej lumturinë tënde më shumë se timen.
Gëzimi që ndjen ti më shumëfishohet brenda vetes.
Ty të besohet?
E ndjej mërzinë tënde më shumë se timen.
Keqardhja që ndjen ti më përpjesëton shpirtin.

I uroj vetes pak … nuk pres shumë. Po ty të uroj më të mirën se e ndjej më shumë – pra në empati paska një pikë egoizëm.

Ah sa keq ngatërrohem kur shoh të tjerët e palumtur. Ndjej detyrën t’i lumturoj, t’i shpëtoj, t’i bëj të qeshin.

Ty të besohet se lumturia jote është në fakt e imja? E prandaj më dhemb shpesh zemra se nuk shoh dot kaq shumë trishtim e dhembje përreth.

Prandaj më duhet të largohem herë pas here, të gjej mënyrën të jem e lumtur vetë. Të gjej forcën të kapërcej gjithë dhembjen e botës e të vazhdoj të buzëqesh.

Reklama

Unë po shkoj të jetoj

Sa kostume kanë ngelur pa u veshur, sa gjerdane pa u vënë. Sa gjëra kanë ngelur pa bërë se presim çastin e duhur. Do ta ruaj për raste, e rastet nuk vijnë kurrë. Në dollap shumë shpejt do gjejmë rroba të reja dhe ëndrra të vjetra.

Mos prit që të vij rasti. Konsumoje jetën! Vish këpucët e reja, se ndryshe do të vrasin deri në varr. Mos prit një djalë që të jesh e bukur. Mos prit një punë që të ndihesh i arrirë. Krihu, vishu, dil, bëj ç’ke për të bërë. Prodho diçka, prodho një ndjenjë, bëj një vepër të mirë. Krijo veten tënde mbitëgjitha!

Mos prit rastin e duhur, sepse rastin e krijojmë vet. Nuk ka ditë që nuk duhet të jetë kremtim, qoftë edhe më e trishtuara.

Mos e shtyj jetën për më vonë – hë sa të gjej punë – hë sa të fejohem – hë sa të shërohem. Bo-bo, ç’bën ashtu nuk e sheh? Jeta është aty … në ajër. Është në një pëqafim, në një lule që këput, është në duart e nënës, është në sytë e një fëmijë. Jeta është brenda teje e ti e kërkon jashtë? Ajo ka ardhur me kohë, dhe ti e pret ende?

Eh po njerëzit do të çuditen kur të të shohin zbukuruar, do pyesin duke u tallur: Ej ti ku po shkon, ke sebep?

E ti përgjigju seriozisht: Unë, po. Po shkoj të jetoj!

Pranvera ime …

Pse duhet të ndihem e lumtur se çdo gjë çel? E pse duhet të dashurohem veç se është Pranverë? Pse duhet të më shkëlqejnë sytë se çdo gjë ndriçon ndryshe?

Lojërat e natyrës, lojërat e fëmijve, lojërat të mendjes që të detyrojnë të gëzosh.

Qesh njeriu kur qeshin të tjerët imitues i mjerë. E pse kjo Pranverë euforike duhet të më bëj të ndihem gëzueshëm, si këngë zogjsh pavetëdije?

E pse duhet të rinjtë të bien pre e kimisë e quajtur ndryshe dashuri që ngatërron botën e tërë?

E pse nuk qenkam unë e aftë të jem e lumtur vet? Pa lule, rreze, dashuri? Pa këngë zogjsh, pa dritë dhe shkëlqim. E po kaq i dobët njeriu që gjen lumturi veç në një stinë.

Organizimi fillon nga qëndrimi

Qëndrimi që më mungon së pari mua. Po, sepse sinqerisht kush do vërtetë të kalojë gjithë ditën çdo ditë duke bërë punët e shtëpisë? Megjithatë për të shijuar aktivitetet e tjera duhet  një ambienti i  rregullt dhe i  rehatshëm.

Vlerësoje punën tënde! Si mund të pretendosh që të tjerët të jenë mirënjohës nëse as vet nuk e çmon punën tënde? Pasi ke mbaruar  punën në një dhomë, për shembull, dil mbyll  derën e futu prap  duke  e soditur. Duhen  pak sekonda për  të ndjerë  kënaqësinë!

Si mund të gjesh kënaqësi ndërsa  bën punë shtëpie? Ja disa gjëra që më ndihmojnë mua!

  • Muzika, zgjidh ritme të hareshme!
  • Mos puno me pizhame! Vishu, krihu dhe rregullohu edhe nëse nuk do të shohë njeri!
  • Mendo me pozitivitet!
  • Shpërbleje veten! Sa herë mbaron një gjë bëj një pushim, një telefonatë, diçka për të pirë apo për të ngrënë. Në fund fare trajtoje veten mirë. Ndoshta një mask fytyre, manikyr, apo një shëtitje.

Përveç qëndrimit, organizimi kërkon planifikim, vend dhe metodë. Do të pëlqente të dije më shumë?

Mënëfund mësova 

… se nuk mund të varet lumturia ime nga të tjeret. Jo, as nga humori i ndryshueshëm  i tyre. Nuk ndryshon jeta ime nëse miqtë që kam nuk bëhen të gjallë  a nuk mund të jenë dot me mua. Nëse ata që kam pranë  nuk janë kurrë të kënaqur. Mësova se jam unë përgjegjëse  nëse jam apo jo e lumtur.  Situatat ideale nuk ekzistojnë  ka gjithmonë diçka që nuk shkon.  Por kjo nuk duhet të më ndal të jem e kënaqur. Njerëzit  që na rrethojnë  janë shetitës në oborrin tonë. Por lulet çelin veç nëse ne i mbjellim…dhe asnjë s’ka të drejtë ti shkulë. Mësova se unë jam e vetmja  përgjegjëse  të lumturisë  sime.