Vangogh – Frymëzim

Ra qielli në tokë.

Pa kuptuar u shpërbë në dhe.

E mori toka qiellin e qielli e shkriu të kaltrën në kashtë e baltë.

Kufijt lëvizin ashtu si mendja shkrin marrëzinë dhe urtësinë.

Advertisements

Veç ji

Veç ji! Mos u mundo  tepër.

Veç ji! Mos u duk tepër.

Shpëlaje veten  nga boja  e tjetrit.

Shpëlaje  fytyrën  nga buzëqeshjet e rreme.

Ji real! Mos u ngatërro me aktrimin.

Ji real! Mos u ngatërro  me pëlqimin.

Veç jeto! Natyrshëm …

Nuk kam shkruar

Nuk kisha ç’të shkruaja? Mjerisht  nuk më ndodh. Kam kaq shumë mendime  sa nuk arrij  ti vë në rradhë. Idetë e pashtershme, frymëzime dhe projekte. Kaq shumë mendime  sa të shpërthej. Sikur  plas. Ndjej gati dhimbje, ndoshta si  dhimbjet e lindjes para se të krijoj  diçka. Sikur  më mblidhen të gjitha përjetimet dhe … Nuk di ç’të bëj më parë. Atëherë  eksploroj. Po, studjoj ndonje teknik poezie si Hajku, studjoj epokat … Romanticizmin  apo Rilindjen. Lexoj, lexoj, lexoj. Çdo gjë lind poezi, muzikë, pikturë. Atëherë shetis.

Në vend të zbraz mendjen  e mbush më tepër. Idetë  marrin  jetë e fillojnë  të më bëhen  si shokët imagjinarë  të fëmijërisë. Rrugët, njerëzit  shndërrohen  në vargje dhe zhurmat  në muzikë. Muzika në qetësues.

Kur nuk shkruaj do të thotë se po plas!

Je, do të doje të ishe, duan të jesh. 

Sa faqe ditari kam shkruar  për këtë. Kam ditarin e parë… Faqet  e bukura u mbushën me pikëpyetjet e para, me “mospërgjigjet” e para. U mbushën me ndjenjat më të ndërlikuara dhe të pa zgjidhura. Ajo që jam nuk ka përkuar  gjithmonë me atë që dukem, duhet apo dua  të jem. Lëmsh foljesh, po pikërisht atë lëmsh ndjej vazhdimisht.

Kush jam? Jam një qenie e ujëshme. Çdo  gjë kalon e duket përtej.  Marr forma të ndryshme por dhe rrëshqas nga duart. Jashtë kontureve. 

Ç’duan të jem? Një palaço që spërkat lozonjare me përkorje ujë publikut. Ajo që për të qeshur bën … kur për vete qan. Gjithmonë në rregull, brenda kontureve. . . Ujë i ngrirë.

Ç’dua të jem? Ujë, por i mirë. Dua të jem rrëke e të freskoj këdo. Prandaj dal nga konturet që të derdhem.

Ftohtë, shumë.

Është shumë ftohtë. Duket nga avulli që del nga goja ndërsa flasim. Gishtërinjtë mpihen, veshët s’ndihen, hunda ngrin. Këmbët dru. I ftohti nuhatet, aroma e drurit të djegur. Tymnajat shfryejnë shfryej dhe unë se oxhak nuk kam. I ftohti mjerisht lexohet, në faturat e energjisë. Ai peshon, se shtohen shtresat dhe rrobat. Dhe rëndon dimri rëndon.

Ne nuk e ndjejmë dhe shumë sepse jemi akullnaja vet. Jemi ajsberg që ecim. Të gjithë të ngrirë disa të buzëqeshur, të tjerë të përlotur por të ngrirë. Zemra e zvogëluar gati kubet. Ç’qenka ky dimër shpirtëror? Ku nuk paska zjarr të ngrohë njerëzit e mpirë nga indiferenca. E cila ëmbël-ëmbël në formë piklash ka ardhur e pastaj ka zaptuar gjë e send. Ka zaptuar gjak e mish.

E urrej të ftohtin se kë më kujton…