Etika në rrjet – Whatsapp

Emigracioni, puna, situatat e ndryshme na kanë ndarë nga familja. Ja që xhaxhai që kishte mbajtur mbesat në krahë, tani nuk di më shumë nga jeta e tyre. Kushërinjtë nuk njihen fare. Mjerisht lidhjet ftohen dhe bëhen të parikuperueshme. Teknologjia ka anët e saj të errëta…por ka edhe shumë dritë. Para disa kohësh provova ti shkruaja kushërinjve të mi, ishte shumë prekëse të ndjeje sa shumë i kishim munguar njeri-tjetrit.

Formova pa e menduar gjatë një grup në Whatsapp veç për familjen. Kush ka dëshirë çon foto dhe përshëndetje.  Plasin ca muhabete të lezetshme dhe qesharake. Video mesazhet dhe mesazhet zanore na kënaqin duke dëgjuar zërin e stërnipave dhe stërmbesave. Është bukur të ndash përditshmërinë. Duket sikur jemi të gjithë më afër. Disa marrëdhënie mund të mos jenë të thjeshta, nderlikohen nga heshtjet të gjata. Mund të mos kemi shumë për të thënë, ndoshta nuk kemi asgjë për të ndarë…Por ka gjithmonë mjaft dashuri.

Nuk do të thotë se duhet të ndihemi të detyruar  të postojmë orë e çast. Ama di se sa të lumtur ndihemi kur ndajmë ato pak copëza jete së bashku.

Familjen e gjen kur vjen në jetë por varet nga ty nëse do të vazhdosh ta kesh pranë!

Kur krijon një grup familjar ki parasysh se:

  • Dashuria nuk varet nga pjesëmarrja tek grupi.
  • Të gjithë jemi të zënë, mos pretendo të shkruajnë sa herë shkruan ti.
  • Përpiqu të jesh pozitiv, mbështetës dhe i dashur.
  • Ki kujdes kur dërgon Mirëmëngjes apo Natënemirë… ndoshta të tjerët janë në gjumë.
  • Çmo mundësinë të ndash çastet e bukura të jetës.
  • Shpreh dashurinë kjo nuk shkon kurrë dëm.

 

SSFS_Wreaths_Laurels natemire

Je, do të doje të ishe, duan të jesh. 

Sa faqe ditari kam shkruar  për këtë. Kam ditarin e parë… Faqet  e bukura u mbushën me pikëpyetjet e para, me “mospërgjigjet” e para. U mbushën me ndjenjat më të ndërlikuara dhe të pa zgjidhura. Ajo që jam nuk ka përkuar  gjithmonë me atë që dukem, duhet apo dua  të jem. Lëmsh foljesh, po pikërisht atë lëmsh ndjej vazhdimisht.

Kush jam? Jam një qenie e ujëshme. Çdo  gjë kalon e duket përtej.  Marr forma të ndryshme por dhe rrëshqas nga duart. Jashtë kontureve. 

Ç’duan të jem? Një palaço që spërkat lozonjare me përkorje ujë publikut. Ajo që për të qeshur bën … kur për vete qan. Gjithmonë në rregull, brenda kontureve. . . Ujë i ngrirë.

Ç’dua të jem? Ujë, por i mirë. Dua të jem rrëke e të freskoj këdo. Prandaj dal nga konturet që të derdhem.

Mënëfund mësova 

… se nuk mund të varet lumturia ime nga të tjeret. Jo, as nga humori i ndryshueshëm  i tyre. Nuk ndryshon jeta ime nëse miqtë që kam nuk bëhen të gjallë  a nuk mund të jenë dot me mua. Nëse ata që kam pranë  nuk janë kurrë të kënaqur. Mësova se jam unë përgjegjëse  nëse jam apo jo e lumtur.  Situatat ideale nuk ekzistojnë  ka gjithmonë diçka që nuk shkon.  Por kjo nuk duhet të më ndal të jem e kënaqur. Njerëzit  që na rrethojnë  janë shetitës në oborrin tonë. Por lulet çelin veç nëse ne i mbjellim…dhe asnjë s’ka të drejtë ti shkulë. Mësova se unë jam e vetmja  përgjegjëse  të lumturisë  sime.