Në autobus – Trishtimi

Shtypemi  dhe ngjeshemi, betohem  se nuk rri  kaq  gjatë  përqafuar  as me personin e dashur. Intimiteti deformohet. Gjendesh ngjitur me një të panjohur,  ndjen  frymën  në qafë të tjetrit, mbështetesh  tek shpatulla  e tetës, e cila mirëkupton. Shkrihen qeniet  tona. Nuk kuptohet  ku fillon  shpirti im  e ku mbaron i tjetrit.
Një nënë nga fshati mban një torbë të rëndë me shishe qumështi.  Fle, koka i lëkundet  rregullisht. Sa herë  frenon  mjeti, zgurdullon  sytë e më pas kthehet  ëmbël  në gjumë. Frenon  autobusi edhe një herë  e kësaj  rradhe unë bie tek torba  e qumështit. Ndjej lëngun  që tundet  e them me vete  – u bë gjalp -. I kërkoj falje  dhe nëna  hap zemrën. Më tregon  gjithë ditën e saj.

Ajo nuk ishte nënë, ishte më pak se 50 vjeçe. Ishte çuar në 3 që  të milte lopët, të mbaronte punët, t’arrinte  në Tiranë. Në Tiranë e kapën policët dhe e kthyen. Nuk kishte  shitur asgjë. Ishte tmerrsisht e lodhur. Tmerrsisht e lodhur. E dëgjova, nuk dija çfarë të thoja, nuk dija çfarë  të thoja.

Stacioni im. E përshëndes. Ajo më sheh e thotë – Na iku jeta kot – mbyll  sytë  prap që të flinte.

Zbrita.  Kisha grumbulluar gjithë  trishtimin  e saj. Torba  e saj e pashitur më mbeti  mua në zemër.

Advertisements

Etika në rrjet – Whatsapp

Emigracioni, puna, situatat e ndryshme na kanë ndarë nga familja. Ja që xhaxhai që kishte mbajtur mbesat në krahë, tani nuk di më shumë nga jeta e tyre. Kushërinjtë nuk njihen fare. Mjerisht lidhjet ftohen dhe bëhen të parikuperueshme. Teknologjia ka anët e saj të errëta…por ka edhe shumë dritë. Para disa kohësh provova ti shkruaja kushërinjve të mi, ishte shumë prekëse të ndjeje sa shumë i kishim munguar njeri-tjetrit.

Formova pa e menduar gjatë një grup në Whatsapp veç për familjen. Kush ka dëshirë çon foto dhe përshëndetje.  Plasin ca muhabete të lezetshme dhe qesharake. Video mesazhet dhe mesazhet zanore na kënaqin duke dëgjuar zërin e stërnipave dhe stërmbesave. Është bukur të ndash përditshmërinë. Duket sikur jemi të gjithë më afër. Disa marrëdhënie mund të mos jenë të thjeshta, nderlikohen nga heshtjet të gjata. Mund të mos kemi shumë për të thënë, ndoshta nuk kemi asgjë për të ndarë…Por ka gjithmonë mjaft dashuri.

Nuk do të thotë se duhet të ndihemi të detyruar  të postojmë orë e çast. Ama di se sa të lumtur ndihemi kur ndajmë ato pak copëza jete së bashku.

Familjen e gjen kur vjen në jetë por varet nga ty nëse do të vazhdosh ta kesh pranë!

Kur krijon një grup familjar ki parasysh se:

  • Dashuria nuk varet nga pjesëmarrja tek grupi.
  • Të gjithë jemi të zënë, mos pretendo të shkruajnë sa herë shkruan ti.
  • Përpiqu të jesh pozitiv, mbështetës dhe i dashur.
  • Ki kujdes kur dërgon Mirëmëngjes apo Natënemirë… ndoshta të tjerët janë në gjumë.
  • Çmo mundësinë të ndash çastet e bukura të jetës.
  • Shpreh dashurinë kjo nuk shkon kurrë dëm.

 

SSFS_Wreaths_Laurels natemire