Etika në rrjet- Komentet

Të komentosh në rrjete sociale mund të jetë shumë zbavitëse dhe madje dobiprurëse. Zbavitëse sepse në disa raste mund të hapen tema shumë qesharake me persona që kanë të njëjtën shije humori me tëndin. Shpesh gjej veten duke bërë gallat me miq në Instagram,  çdo gjë nisur nga një koment i goditur. Dobiprurëse sepse komentet  të çojnë në komunikim me klientë të mundshëm, lidhesh me personat që kanë të njëjtat interesa pune, dhe mbi të gjitha merr feedback të postimit. Kjo vlen sidomos nëse ke një profil bisnesi apo pune.  Pra, nëse përdor rrjete sociale komenti bëhet pjesë e domosdoshme.

Për sa i përket pjesës zbavitëse,  ki kujdes, pasi jo të gjithë kemi të njëjtin lloj humori. Nja dy herë më ka ndodhur të shkruaj komente krejtësisht të pafajshëm por që marrësi nuk i ka perceptuar siç mendoja. Nëse ke një profil publik, të hapur, apo bisnesi, ki kujdes me komentet pasi ato mund të ulin nivelin profesional të faqes. Nëse e ke të mbyllur vetëm për miq,  normale që një sqarim i shpejtë mund të mjaftojë. Është gjithësesi bukur të përdorim komente me edukatë kundrejt të gjithëve. Kujdesi paraprak do të shmangë keqkuptimet dhe . . . nuk harxhon kohën kot.

Nëse ke një profil publik, komentet duhet të jenë të  menduara mirë. Zgjidh me kujdes se në cilën faqe po komenton. Fjalët duhet të jenë të shkruara saktë dhe sa më profesionalisht. Aktiviteti yt i menduar mirë mund të përbëjë  suksesin e faqes tënde. Do të tërheqë shikuesit e duhur, ndjekësit e duhur dhe me rradhë klientët e duhur. Shmang polemikat, shmang kritikat, mos shaj kurrë!

Gjithashtu, kur sheh diçka që ia vlen, mos ki frikë të shkruash një koment pozitiv. Mbase ai koment mund të ndryshojë ditën apo të përmirësojë punën e dikujt tjetër!

etikanerrjet - Copy (4)

Advertisements

Përvoja e shijes

Ekziston një mënyrë për të udhëtuar. Një mënyrë për të shijuar gjëra të reja. Ngjyra frymëzuese, aroma të panjohura, është ushqimi. Të provosh ushqime  të reja besoj se ndikon  tek mendja jonë. Na hap horizonte, na çliron  nga zakonet e përditshme. Trondit  pak qiellzën e nëmur  nga gjella  e mërzitshme. Kam vënë re se njerëzit që nuk janë të hapur  në ushqim  … janë disi  të mbyllur  në mendje. Kapen  pas një shijeje dhe nuk e lëshojnë.

Kam provuar  ushqimin  Indian. Ishte përvojë intense  shijeje. Mu duk sikur brenda gojës  pati një festë  me fishekzjarrë!  Aromat, erzat, ngjyrat, konsistenca  … dhe enët më çuan  larg  në  ëndrra të ngjyrosura.

Bota jonë nuk është e vetmja, nuk është  më e keqja as më e mira. Bota jonë e vogël duhet  të hapë dritare  sado të vogla që  të futet dritë.

Me siguri do të kthehem te Chakra jonë.

Një restorant  i lezetshëm, ku mund të hash  me qejf  dhe të kapërdish  një kapsulë Indie. Website  i tyre Chakra jonë  ka shpjegime  të kënaqshme  për ushqimin  që serviret.

Ushqimi  bëhet  pjesë  e jona  … nëse ne jemi  çka  hamë, unë po ndihem  pak indiane. Chakra jonë shumë faleminderit!

Etika në rrjet

Vdes të them atë që mendoj! Sinqeriteti më karakterizon. Mjerisht, kam mësuar se jo gjithmonë është mirë të thuash atë që ke në mendje. Aq më tepër kur e shkruan në rrjet.

Ki kujdes kur shkruan mendimet e tua më të thella në rrjetet sociale apo në mesazhe. Ato lehtësisht kopjohen, ruhen … dhe shpërndahen. Tani, urojmë të ekzistojë dhe mirëbesimi. Por pak kujdes nuk bën kurrë dëm.

opinionet

Opinionet tona mund të ndryshojnë ashtu si ne. Prandaj ki kujdes kur i bën publike. Një ditë do të  habitesh si mendoje ashtu …

Etika në rrjet – Whatsapp

Emigracioni, puna, situatat e ndryshme na kanë ndarë nga familja. Ja që xhaxhai që kishte mbajtur mbesat në krahë, tani nuk di më shumë nga jeta e tyre. Kushërinjtë nuk njihen fare. Mjerisht lidhjet ftohen dhe bëhen të parikuperueshme. Teknologjia ka anët e saj të errëta…por ka edhe shumë dritë. Para disa kohësh provova ti shkruaja kushërinjve të mi, ishte shumë prekëse të ndjeje sa shumë i kishim munguar njeri-tjetrit.

Formova pa e menduar gjatë një grup në Whatsapp veç për familjen. Kush ka dëshirë çon foto dhe përshëndetje.  Plasin ca muhabete të lezetshme dhe qesharake. Video mesazhet dhe mesazhet zanore na kënaqin duke dëgjuar zërin e stërnipave dhe stërmbesave. Është bukur të ndash përditshmërinë. Duket sikur jemi të gjithë më afër. Disa marrëdhënie mund të mos jenë të thjeshta, nderlikohen nga heshtjet të gjata. Mund të mos kemi shumë për të thënë, ndoshta nuk kemi asgjë për të ndarë…Por ka gjithmonë mjaft dashuri.

Nuk do të thotë se duhet të ndihemi të detyruar  të postojmë orë e çast. Ama di se sa të lumtur ndihemi kur ndajmë ato pak copëza jete së bashku.

Familjen e gjen kur vjen në jetë por varet nga ty nëse do të vazhdosh ta kesh pranë!

Kur krijon një grup familjar ki parasysh se:

  • Dashuria nuk varet nga pjesëmarrja tek grupi.
  • Të gjithë jemi të zënë, mos pretendo të shkruajnë sa herë shkruan ti.
  • Përpiqu të jesh pozitiv, mbështetës dhe i dashur.
  • Ki kujdes kur dërgon Mirëmëngjes apo Natënemirë… ndoshta të tjerët janë në gjumë.
  • Çmo mundësinë të ndash çastet e bukura të jetës.
  • Shpreh dashurinë kjo nuk shkon kurrë dëm.

 

SSFS_Wreaths_Laurels natemire