Poetit 

Poeti dhe poezia nuk janë të nevojshëm. Jetohet  pa poezi, rrohet  dhe pa poet. Ashtu si jetohet pa ngjyra, pa shije, pa muzikë, pa dashuri. Ritmi i fjalës tënde do të mbetet  në vesh  të atyre që nuk duan të rrojnë pa ngjyra, shije, muzikë, dashuri, pa poetë e poezi.

Foto nga web 

Advertisements

#letëflasimsishoqe por dhe shokë …

Shtëpi e ëmbla shtëpi atje ku zemra pushon, tha një poetPor shpesh ajo veç na streson. Në vend se të ndihen rehat, pjesëtarët e familjes duan të jenë diku tjetër.

Patjetër, nuk duam që shtëpia jonë të jetë si fabrikë apo regjiment ushtrie por pak organizim mund të ndikojë për mirë tek e gjithë familja. Së  pari  duhet motivim, shiko 2 arsye të forta:

  •  Organizimi të lë kohë  për të bërë atë që do apo aktivitete  më të rëndësishme.
  • Organizimi lehtëson stresin.

Tani, të jem e sinqertë,  jam gjithnjë në  luftë me rrëmujën time. Por po ia dal mbanë! Shiko  2 këshilla fillestare që më kanë ndihmuar:

  • Zbraze shtëpinë. Kjo do të thotë se herë pas here (unë e bëj  në ndërrimin e stinës) heq çdo gjë që nuk kam përdorur.
  • Mos bli kot. Kjo do të thotë të mos blesh vetëm sepse  është lirë, apo se na e jep truri.

Këto  2 sugjerime  tashmë  mund ta lehtësojnë  disi shtëpinë tuaj!

Rreze

Më kaloftë rrezja nga zemra.

Zemra kristal shumëkëndësh ndriçoftë.

Më shpoftë shpresa të ndriçohem përsëri.

Më kaloftë rrezja në sy.

Syri kristal shumëkëndësh ndriçoftë.

Më shpoftë guximi të forcohem përsëri.

Më kaloftë rrezja jote të jetoj përsëri.

Picture by @hajdeseflasim _

Croatia, Dubrovnik

Mbetsh atje  dritë

Bie errësira…dhe  sheh dritë.

Shkëlqime të imta jete.

Pikla rrezatuese shprese.

Shpime në qiellin pafund, janë yje.

U dashka të bjerë errësira  herë-herë, se shoh që paska mbetur pak dritë edhe në sytë e mi.

Mbetsh atje dritë.

Veç ji

Veç ji! Mos u mundo  tepër.

Veç ji! Mos u duk tepër.

Shpëlaje veten  nga boja  e tjetrit.

Shpëlaje  fytyrën  nga buzëqeshjet e rreme.

Ji real! Mos u ngatërro me aktrimin.

Ji real! Mos u ngatërro  me pëlqimin.

Veç jeto! Natyrshëm …

Nuk kam shkruar

Nuk kisha ç’të shkruaja? Mjerisht  nuk më ndodh. Kam kaq shumë mendime  sa nuk arrij  ti vë në rradhë. Idetë e pashtershme, frymëzime dhe projekte. Kaq shumë mendime  sa të shpërthej. Sikur  plas. Ndjej gati dhimbje, ndoshta si  dhimbjet e lindjes para se të krijoj  diçka. Sikur  më mblidhen të gjitha përjetimet dhe … Nuk di ç’të bëj më parë. Atëherë  eksploroj. Po, studjoj ndonje teknik poezie si Hajku, studjoj epokat … Romanticizmin  apo Rilindjen. Lexoj, lexoj, lexoj. Çdo gjë lind poezi, muzikë, pikturë. Atëherë shetis.

Në vend të zbraz mendjen  e mbush më tepër. Idetë  marrin  jetë e fillojnë  të më bëhen  si shokët imagjinarë  të fëmijërisë. Rrugët, njerëzit  shndërrohen  në vargje dhe zhurmat  në muzikë. Muzika në qetësues.

Kur nuk shkruaj do të thotë se po plas!

Më prit

Më prit të lutem. E di që do më presësh…

Leviz ti, shumë i zënë dukesh. Nganjëherë nuk të kuptoj se ndryshon çehre shpejt dhe dhunshëm përplasesh. I frikshëm ti, por ta di kokën dhe më ngjan mua. Errësohesh futesh në të thella. Kërkoj të thellat e tua dhe se ç’nxjerr surpriza të çuditshme. Më përgjigjesh ti, me ledhatime të ëmbla dhe me shije të kripur. Leviz ti, ndalon veç në perendim. Qetësohesh ti, atëherë kur shqetësohem unë. Më prit të lutem, e di që do më presësh.


DSCN4427


Më prit det…

Vajzë Shkodrane

Flori rrëshqet nga supet e larta.

Mjaltë buron nga hojet e shpirtit.

Puhizë kur dorën në flokë e çon.

E bukur hënëz, shpërndan dritë natës së hirtë.

Syrin e mprehtë e mbajttë me vete, e therttë  djalin në zemër.

Oh e bukur lëkur-ndritur, shkëndije malesh, ndize jetën!

Pictures credit  hiddencookiejar

 

Bora 

Bora e këtyre ditëve më kujtoi këto vargje që kam postuar një herë…

Bora

E bukur borë e bardhë, e pastër. 

E butë, e kadiftë.
Hipokrite bora, poshtë fsheh plehra, baltë.


Dy fytyra ka bora.
Të gënjen me lojëra naive, fsheh gropa të pabesa


Nuk e di nëse e dua atë bardhësi që fsheh kaq shumë, gënjen aq shumë.

E bukur bora mbetet . . . por unë kam hall kur të tretet.