Hej dështak

Heronjtë e vërtetë

Ata nuk kanë kohë të jenë të suksesshëm. Nuk kanë kohë të valëvisin arritjet e tyre. Ata kujdesen tepër të shpëtojnë botën e jo të jenë të famshëm. Nuk kanë kohë të korrin lavdi e fitore.

Jeta nuk të ka bërë fitimtar, nuk të ka bërë të arrish “diku”. Ndoshta, ndoshta zgjedhjet e gabuara, gafat e adoleshencës, njohjet e gabuara, mundësitë që nuk vareshin nga ty. Nuk ke arritur aty ku “duhet”. Nuk ke arritur aty ku të gjithë thoshin se duhej të ishe. Sinqerisht, po ku duhet të ishe?

Nuk ke arritur majën, hë? E cila na qenka maja? Kush e ka vendosur se duhet të arrijmë të gjithë madhështinë? A është maja të kesh gjithçka të kalon në mendje? A është maja të ndihesh i plotfuqishëm mbi të tjerët?

Pa shikoje veten, o dështak, nuk arrite dot majën sepse ke qenë gjithmonë i zënë të merreshe me të tjerët, miqtë, familjen, tërë botën. I the vetes Jo për t’i thënë gjithkujt Po. Dhe ti e quan akoma veten dështak?

Arritjet e tua janë të tjera.

Je hero sepse çdo ditë i buzëqesh jetës, kur në të vërtetë të vjen të qash. Je akoma në këmbë, ndonëse të kanë rrahur shpesh. Nuk shtyp njeri edhe nëse ty të kanë ulur gjithmonë. Ke guxim të shohësh akoma ëndrra të reja se të vjetrat ti kanë shkulur një e nga një. Ti thua se nuk ke asgjë, por shumë ushqehen nga dora jote. Ushqen me fjalë të mira shokë e të panjohur. Ti ulërin ndaj padrejtësisë dhe thua se nuk ke zë të flasësh. Sa më shumë dështon me veten, ngrihesh fluturues në sytë e njerëzve mirënjohës. Sa më shumë të duket se je mbrapa do hedhësh hapa të vegjël, por të vërtetë. Ti që nuk e rëndon shpirtin e askujt, ngre të tjerët. Ti që ke frikë edhe të marrësh frymë se mos pengon a prish punë, nuk e kupton se je balonë në furtunë?

Ti shpëton botën çdo ditë dhe thua se je dështak!. Je superman, e ti ndihesh dështak!. Fluturon lart dhe ke frikë nga hapi yt!. Heronjtë e vërtetë nuk janë gjithnjë të famshëm, ata fshihen rrugëve të errëta të qytetit ndërsa gjuajnë raste për të dhënë një dorë.

Je hero sepse di të kapësh qiellin me dorë, me dorë di të përkëdhelësh e të mbash fillin e jetës. Je hero zemër-fëmijë që guxon të shpresosh, të kërkosh akoma të mirën rreth teje, dhe e gjen edhe kur nuk ka më.

Nëse ndihesh dështak është sepse ke një zemër që rreh më shumë se ç’duhet. Sepse ke luftuar, rrahur fort, ke vrapuar, ecur vetëm për tepër kohë. Po prapë çdo herë që je ndier i braktisur ke vendosur të shoqërosh dikë.

Ndoshta nuk ke për atë arritur diku, sepse tashmë ke ecur shumë. Ke bërë më shumë se ç’mendon, më shumë ç’mundje.

*Është shkruar në gjini mashkullore por sigurisht vlen për të gjithë

Reklama

Unë jam revolucion

Endem nëpër rrugicat e humbura të qytetit. Dritaret mbyllen të turpshme. Eci me hap, vëzhgoj, hapi më merr me vete. Cepat e rrugicës janë mbushura me plehra… dhe nga ato plehrat, e çuditshme…

Gërmadhë. Rrënojë. Filloj si e goditur nga vetë furia ime, të ndërtoj diçka. Një karrige e vjetër, këmbë e tavoline. Dollap, korniza e një pikture, tenxhere. Gjeta një kuti, gjeta një kolltuk të shqyer, tela, tulla, tjegulla, një piano. Pianoja e cunguar, më qesh me dhëmbët e thyer. E tërheq sa kam forcë, nxjerr  për çudi një tingull t’ashpër, dhe më qesh  pa dhëmbë si plakat e  pashpresa të këtij qyteti. Ato të leckosura, qeshin . . . një dhemb po e një  jo, ironike tërheqin zvarrë këmbët e tyre të rënduara ndërsa lëshojnë herë britmë herë rënkim, herë britmë, herë grahmë. Më shumë djerrsitem më shumë forcohem. Po lodhem ndërsa shtoj kapicë sendet  e humbura nga të tjerët por të gjetura nga unë. E kënaqem. Dikush ka hedhur një dërrasë, unë gjeta një shtyllë. Dikush hodhi një piano, unë gjeta një mbrojtje. E kush hodhi leckat e regjura në shi, unë gjeta  jastëk të butë. Midis kësaj  përpëlitjeje gjeniale, unë  krijova barrikadë! Barrikada ime është kryevepra e shpirtit tim. Është një ide, jo rastësore. Është një ndërtim, jo një lajthitje. Është monument:

Forcën time e gjeta midis brishtësisë, lodhjes,  vuajtjeve të mia.  Rrëmova sa rrëmova gjeta ndonjë gjë. Jam tani pas barrikadës sime, e cila më bëhet kullë dhe shtëpi. Më bëhet strehë dhe bazë lufte. E shkartisur midis ideve të mia, fshihem e druajtur pas pianos së vjetër. Nuk ka më asnjë zhurmë në qytet. U fik, ngadalë ngadalë… Deri më dje pazari i rrëmbyer, shitësit ambulantë, lypësit, zonjat e rënda dhe plakat gumëzhinin, tani  nuk i shifkam më. Fjalë, shumë fjalë, për shumë kohë.

Tani, nuk ka më asgjë përveç frymës sime… e shpeshtuar nga emocioni. Zelli im u kurorëzua më në fund me ngritjen e këtij muri. Ndjenjat e mia janë ngjeshur mirë mbi çdo shtresë.  Jam vetëm versus botës, dhe bashkë me të gjithë botën.

Jam afër shpirtrave rebelë, shpirtrave pa ëndrra. Jam me ata  që për ndonjë arsye kanë mbetur pa arsye. Jam me ata që nuk kuptojnë asgjë, me fëmijët që rrinë pezull në mes të mëhallës. Mendimet e mia i bëra shtresë barrikade. Nga plehrat, dobësitë, frikat dhe mendimet më të humbura, ndërtova barrikadë. Barrikadë me dhembjet e mia.

Jam në gjendje të mjeruar? Ndoshta, por nga mjerimi del fisnikëria. Jam e mbaruar? Mbase, por a nuk është e vërtetë se nga vuajtja lind shpresa më e ëmbël? Jam e pa vlerë!? Pra asgjë nuk jam por  jam plot.

Armiq nuk kam. Luftoj.

Jam vetëm, kam frikë? Fitoj.

Kujdes: Unë jam revolucion.


Nga ditari  2015

Çfarë është një blog? 

Blogu

Fjala blog vjen nga anglishtja WEB-LOG. Për vete do ta përshkruaja ditar në rrjet. pra, blogu nuk është veç një bllok shenimësh, ditar po regjistrim në rrjet. Ashtu si në një bllok shënimesh, mund të shkruash çfarë të duash. Zakonisht shkruhet me një gjuhë bisedore dhe pa u zgjatur shumë si do të bëje në një libër. Lezeti është se mund të shtosh foto e veçori të ndryshme. Ke mundësi pafund për të zhvilluar fantazinë. Ajo që e bën të bukur një blog ësht se edhe lexuesit mund të komentojnë. Kjo të jep shumë kënaqesi. Nëse do të shkruash një blog të duhetë të paguash një “vend” në rrjet. Lumturisht ka disa site si wordpress.com që të ofrojnë një mundësi falas. Pastaj mundë vendosësh të blesh apo jo paketat e tyre për më shumë veçori. E thënë ndryshe, ata kanë një bllok shënimësh të madh të clin ia japion hua atyre që e kërkojnë. Nga fjala blog del fjala blogger, pra ai që shkruan blogun. Një blogger mundë të reklamojë produktet apo punën e vet. Mund të paraqesë foto për modën dhe artin. Disa thjesht ndajnë interesat e tyre si gatimi, punime të ndryshme, këshilla për estetikëm e të tjera. Mjerisht disa janë kopje e kopjeve të blogëve të tjera dhe nuk ia vlejnë fare. Të tjera merren veç me thashathemnaja të vipave, po nejse…

 

Pse shkruaj unë një blog?

Sepse në faktë e kam bërë gjithmonë. Kam mbajtur bllok me vete gjithmonë, gjithandej e gjithësesi. Nuk rri dot pa shkruar. Blogu më jep mundësinë e bukur tani ta ndaj me të tjerët këtë pasion. Gjithashtu, sepse më kënaq. Kur shkruaj jam unë. Më pëqen të komunikoj dhe kjo është mënyra më e mirë që njoh.

Si funksionon Hajdeseflasim?

Blogu Hajdeseflasim lexohet nga çdokush. Nëse doni të shkruani një koment mund të regjistroheni. Vendosni një email dhe një fjalkalim. Mos kini frikë, adresa juaj nuk do të jetë publike nëse nuk doni, madje mund të zgjidhni të shkruani komente anonime. Regjistrimi do të bëj të mundur të dini sa herë ngarkohet diçka të re. Zakonisht të regjistruarit kanë përparësi nëse shitet apo jepet diçka falas.

Autori i një libri kupton sa u çmua vepra e tij nga shitja. Autori i blogut mezi pret komentet tuaja! Mund të kuptoj se çfarë ju pëlqen më shumë dhe t’ju vij pas avazit! Prandaj pres me kënaqësi komentet tuaj!

Nëse doni shpërndajeni me ndihmën e butonave në fund të faqes ose duke kopjuar linkun.

Ju falënderoj shumë! Nuk prisja të ishit kaq shumë!

Nëse keni pyetje ju lutëm komentoni!

Hajdeseflasim!

Sinqeriteti

Çfarë është? Nuk e di! Ose të paktën nuk e di më . . . Më dukej sikur e kisha të qartë. Por sa më shumë kalon koha më shumë prishet imazhi që kam në mendje për njeriun e sinqertë. Mendoja se të jesh i sinqertë ishte e vetmja mënyrë për të qenë njeri. Nuk është. . . tani e di, shumë e jetojnë të përditshmen e tyre pa qenë të vërtetë. Është gabim të jesh tepër i sinqertë, thonë. Them se po. Nuk është nevoja të shpalosësh gjithmonë veten nga të katërta anët pa kufij. Nuk është mirë të thuash çdo gjë që mendon. Nuk është mirë ti hapesh çdo njeriu që takon.  Më kanë thënë shpesh -Ti je libër i hapur-. Sa budallaqe, mendoja se ishte kompliment! Në fakt ne nuk jemi libra por njerëz. Librin dhe po ta grisësh copa copa nuk ndjen gjë. Ne po! Pastaj këto kohë të fundit librat nuk i do njeri. Të lexojnë disa me interesin më të madh se . . . ku gjejnë rast tjetër për të zhbiruar . . . e pastaj i grisin faqet një nga një. Ose më keq i lëshojnë në erë, ty të mbetet kapaku i gërryer nga duart e yndyrshme të kuriozitetit. Nuk dua me të jem Libër! Jam Njeri. Nuk dua më të jem e sinqertë, por nuk di si të jem ndryshe, mjerisht. Herë pas here ndjej nevojën të jem koherente me mendimet e mia. Të jem e sinqertë me veten mbi të gjitha, kur e bëj, jam e lumtur. Por e gjithë bota mund të jetë kundër meje . . . e ç’vlerë ka një e sinqertë e vetmuar? Herë dua të jem e sinqertë me të tjerët, të jem ajo çka të tjerët kanë nevojë. Ja që zbehem avash-avash, sepse bëhem libër i keq-i lexuar, i grisur, i njollosur. Faqet e të cilit dikush i ka cenuar dhe nuk ngjiten më. Atëherë i thua vetes: Ia vlen?

Vjen një ditë kur nuk ke më ç’ndan me të tjerët. Çdo fjalë është thënë, të gjitha janë treguar. Të gjitha historitë për të qeshur e për të qarë janë thënë. Vjen një ditë që dinë për ty më shumë se di ti për veten. Ajo ditë vjen dhe sinqeriteti i lodhur çuditërisht të jep forcë për të qenë mirë me veten pavarësisht ç’dukesh, pavarësisht perceptimit të të tjerëve. Vjen një ditë që afrohen ca njerëz që të shohin në sy dhe ti s’flet, por e dinë se kush je. Nuk të shohin si libër por si njeri. Njeri që rritet, ndryshon, përpëlitet nga dhembjet dhe shembet nga të qeshurat. Njeri që nuk ka konture të përcaktuara, nuk ka kapak, nuk ka kompozim, nuk ka rregulla gramatikore. Ata kuptojnë se sinqeriteti yt është si buka që hahet, e mirë, e thjeshtë, e pastër.  Vjen dita kur vetëm pak të shohin në sy dhe pa pyetur, pa ditur shumë, thjesht të duan. E nuk ka nevojë për shpjegime, interpretime. Thjesht kanë besim tek ty.

Mos harro se ti nuk je libër! Je njeri! Nëse dikush do të lexojë që të zbavitet le të shkojë tek Biblioteka Kombëtare ! Mos lejo të fryhen me bëmat e tua, as me fjalët e tua të cilat do tjetërsohen sa mos t’i njohësh më. Nëse të thonë se je libri i hapur, ik! Mos lejo të shohin veç duan! Ruaje vetën për ata që të duan pa të lexuar.