Buka

Qofshim si kjo buka.
E mirë, e bollshme e bukur.
E bukur e pastër e mirë.
Qofshim si kjo buka.
E dashur e vërtetë e arritshme
U bëfshim bukë për shpirtin e pangopur.
U bëfshim buka e njeri tjetrit.

Advertisements

Dhembja nuk e ka emrin tim

Hajdeseflasim

Dhembja nuk ka emrin tim. Dhembjen që ndjej është jashtë meje. Nuk jam unë burimi. Ka firmën e paqartë, nuk e njoh. E sigurt është nuk ka emrin tim.

Dhembjen që më lexon në sy nuk e kam lindur unë. Dhembjen që më sheh ndër vetullë nuk e kam vizituar unë.

Janë zhgarravina kalimtaresh, janë shenja të panjohurish. Unë e kam një emër dhe  është ndryshe. Kur sheh dhembjen tek unë mos e ngatërro me mua. Unë jam thjeshtë e mbuluar me të, ki guxim zbulomë.

Hareja ka emrin tim.

Në autobus – Kapedane

Isha në humor  të mirë. Hipa, ishte kaq plot sa duhet të zbrisje  që të zbriste  tjetri … me shpresë se do hipje  përsëri. Zakonisht  pres autobusin tjetër por siç  thash  isha në humor  të mirë. Fatorinoja ishte tym. Përpiqej  të vinte ne vijë “masën” njerëzore … masa që  si brum  krijohet  në  autobus. Bëhemi  të gjithë një. Fermentojmë. Fatorinoja iku nga cepi  i shoferit. Dallova zërat  që bëheshin  gjithmonë  e më të lartë. Plasi sherri midis tyre. Shoferi ndaloi  autobusin. Refuzonte  të ecte. U duk sikur  nuk po mbante  më. I stresuar, i lodhur, i mërzitur  nga sherri  me fatorinon. Fatorinoja qëndronte edhe ai acaruar dhe i  stresuar.  Disa pasagjerë donin të zbrisnin dhe i binin xhamave.

Zëri i një gruaje  u ngrit më lart akoma. Qortoi fatorinon që po shante përgjithësisht pasagjerët me epitete paragjykuese. Qortoi  shoferin  dhe i  kujtoi  përgjegjësinë e tij. Zëri  i saj i  fortë dëgjohej  deri në fund, ku isha unë. Nuk mu prish humori  hiç, madje u kënaqa. Dy cubat  që deri pak para  hidheshin  si gjela,  heshtën. Motorri  u rindez  me qetësi … Gruaja shqiptare  kapedane!

Poetit 

Poeti dhe poezia nuk janë të nevojshëm. Jetohet  pa poezi, rrohet  dhe pa poet. Ashtu si jetohet pa ngjyra, pa shije, pa muzikë, pa dashuri. Ritmi i fjalës tënde do të mbetet  në vesh  të atyre që nuk duan të rrojnë pa ngjyra, shije, muzikë, dashuri, pa poetë e poezi.

Foto nga web 

Rreze

Më kaloftë rrezja nga zemra.

Zemra kristal shumëkëndësh ndriçoftë.

Më shpoftë shpresa të ndriçohem përsëri.

Më kaloftë rrezja në sy.

Syri kristal shumëkëndësh ndriçoftë.

Më shpoftë guximi të forcohem përsëri.

Më kaloftë rrezja jote të jetoj përsëri.

Picture by @hajdeseflasim _

Croatia, Dubrovnik

Mbetsh atje  dritë

Bie errësira…dhe  sheh dritë.

Shkëlqime të imta jete.

Pikla rrezatuese shprese.

Shpime në qiellin pafund, janë yje.

U dashka të bjerë errësira  herë-herë, se shoh që paska mbetur pak dritë edhe në sytë e mi.

Mbetsh atje dritë.

Vangogh – Frymëzim

Ra qielli në tokë.

Pa kuptuar u shpërbë në dhe.

E mori toka qiellin e qielli e shkriu të kaltrën në kashtë e baltë.

Kufijt lëvizin ashtu si mendja shkrin marrëzinë dhe urtësinë.

Etika në rrjet

Vdes të them atë që mendoj! Sinqeriteti më karakterizon. Mjerisht, kam mësuar se jo gjithmonë është mirë të thuash atë që ke në mendje. Aq më tepër kur e shkruan në rrjet.

Ki kujdes kur shkruan mendimet e tua më të thella në rrjetet sociale apo në mesazhe. Ato lehtësisht kopjohen, ruhen … dhe shpërndahen. Tani, urojmë të ekzistojë dhe mirëbesimi. Por pak kujdes nuk bën kurrë dëm.

opinionet

Opinionet tona mund të ndryshojnë ashtu si ne. Prandaj ki kujdes kur i bën publike. Një ditë do të  habitesh si mendoje ashtu …

Veç ji

Veç ji! Mos u mundo  tepër.

Veç ji! Mos u duk tepër.

Shpëlaje veten  nga boja  e tjetrit.

Shpëlaje  fytyrën  nga buzëqeshjet e rreme.

Ji real! Mos u ngatërro me aktrimin.

Ji real! Mos u ngatërro  me pëlqimin.

Veç jeto! Natyrshëm …