Etika në rrjet – Respekti 

Për  shumë vjet  nuk kisha  asnjëlloj profili  në  rrjete  sociale. Besoj se nevoja  për privacitet ishte shumë  e fortë. Kisha shumë  bezdi  të dija  se fotot e  mia ishin  ekspozuar nga të tjerët  me të tjerët. Akoma e kam  nëse  të paktën  nuk më bëjnë  tag.  Prandaj  i kuptoj shumë  mirë  ata që nuk duan ti përdorin, madje as nuk duan që të postohet  ndonjë foto e tyre. Patjetër që duhet respektuar mendimi i tyre.

Megjithatë, duhen respektuar  ata që i përdorin. Tashmë,  dashje  pa dashje  janë  pjesë  e jetës  moderne. Ne mund të zgjedhim  të lajmë  me dorë  por nuk do të shanim  ato që përdorin  lavatriçen.

Rrjetet sociale  sot përdoren  për punë, reklamë, për qëllime  shoqërore, art etj. Përdorimi i tyre të lejon  të ndjekësh  interesat e tua, të jesh në kontakt me miqtë  që kanë të përbashkëta  me ty. Megjithatë përdorimi i lavatriçes  edhe prish  rrobat  nganjëherë, prandaj duhet  të dish  ta përdorësh.

Çdo  rrjet  ka disa opsione  ku ti mund të mbash  nën  kontroll  privatësinë, komentet, madje dhe  sugjerimet  nga vet rrjeti  të cilat  bazohen  mbi pëlqimet e tua.  Lexo mirë se si përdoren  dhe nuk do të bëhesh  pishman.

Respekto  ata që  nuk duan  ti nxjerrësh në rrjete. Respekto ata që kënaqën duke ndarë  çastet  e tyre  me të  tjerët.

Advertisements

Etika në rrjet 

Dëgjova dikë që tha:  -“Likes” në Instagram  janë bërë si qokat!- Sa e vërtetë!

Po zëvëndësohen  marrëdhëniet njerëzore me dërgime emoji patetike.

Qokat  le të mbeten qoka njerëzore. Nëse për  shpejt komenton  në  Instagram apo Facebook, kjo nuk i zëvëndëson as urimet as ngushëllimet.

Nëse mendon se një mesazh  mjafton, përpiqu të shkruash fraza nga zemra.

Keqkuptim apo “moskuptim”? 

Sa lehtë e shpesh  i japim fund bisedës me: -me siguri  ka qënë keqkuptim-. Sigurisht, ashtu  do të jetë.  Sigurisht ashtu  leverdis  të jetë! Nuk ka shpjegim tjetër as shpëtim tjetër!

Në disa raste le ta quajmë “moskuptim”. Po po, se ç’emër t’i japësh  kur nuk duan të kuptojnë?  Ç’emër t’i japësh kur më mirë  i uron  të jenë  të mangët…

Keqkuptimet lindin, lindin tek njerëzit që kuptojnë…e nganjëherë gabojnë.

“Moskuptimet” lindin tek njerëzit  që nuk duan  të gabojnë  dhe vendosin  të  mos kuptojnë.

Zgjidhja? Unë e kam gjetur me dhembje  dhe rrugë të gjatë. Kur nuk duan  të kuptojnë  është  vendim  dhe duhet  respektuar. Çfarë provoj të bëj?

  • Ndal se shpjeguari, koha është thesar.
  • Vazhdo të sillesh  me edukatë
  • Pak largësi nuk vret njeri
  • Hapi derën  miqësive të reja, të duhura.

Karikatura nga @lascelta_migliore

Etika në rrjet

Mos e merrni seriozisht  jetën në rrjete  sociale. Nëse nuk pëlqejnë  atë që pëlqeni  ju nuk do të thotë se ju urrejnë.

Jeta vazhdon!

2017-05-16-15-22-41.jpg

Image by Samuela K. Support new Artist!

Vajzë Prishtinase

 

2017-06-12-14-45-42

Vazhdoni me leximin e “Vajzë Prishtinase”

Sinqeriteti

Çfarë është? Nuk e di! Ose të paktën nuk e di më . . . Më dukej sikur e kisha të qartë. Por sa më shumë kalon koha më shumë prishet imazhi që kam në mendje për njeriun e sinqertë. Mendoja se të jesh i sinqertë ishte e vetmja mënyrë për të qenë njeri. Nuk është. . . tani e di, shumë e jetojnë të përditshmen e tyre pa qenë të vërtetë. Është gabim të jesh tepër i sinqertë, thonë. Them se po. Nuk është nevoja të shpalosësh gjithmonë veten nga të katërta anët pa kufij. Nuk është mirë të thuash çdo gjë që mendon. Nuk është mirë ti hapesh çdo njeriu që takon.  Më kanë thënë shpesh -Ti je libër i hapur-. Sa budallaqe, mendoja se ishte kompliment! Në fakt ne nuk jemi libra por njerëz. Librin dhe po ta grisësh copa copa nuk ndjen gjë. Ne po! Pastaj këto kohë të fundit librat nuk i do njeri. Të lexojnë disa me interesin më të madh se . . . ku gjejnë rast tjetër për të zhbiruar . . . e pastaj i grisin faqet një nga një. Ose më keq i lëshojnë në erë, ty të mbetet kapaku i gërryer nga duart e yndyrshme të kuriozitetit. Nuk dua me të jem Libër! Jam Njeri. Nuk dua më të jem e sinqertë, por nuk di si të jem ndryshe, mjerisht. Herë pas here ndjej nevojën të jem koherente me mendimet e mia. Të jem e sinqertë me veten mbi të gjitha, kur e bëj, jam e lumtur. Por e gjithë bota mund të jetë kundër meje . . . e ç’vlerë ka një e sinqertë e vetmuar? Herë dua të jem e sinqertë me të tjerët, të jem ajo çka të tjerët kanë nevojë. Ja që zbehem avash-avash, sepse bëhem libër i keq-i lexuar, i grisur, i njollosur. Faqet e të cilit dikush i ka cenuar dhe nuk ngjiten më. Atëherë i thua vetes: Ia vlen?

Vjen një ditë kur nuk ke më ç’ndan me të tjerët. Çdo fjalë është thënë, të gjitha janë treguar. Të gjitha historitë për të qeshur e për të qarë janë thënë. Vjen një ditë që dinë për ty më shumë se di ti për veten. Ajo ditë vjen dhe sinqeriteti i lodhur çuditërisht të jep forcë për të qenë mirë me veten pavarësisht ç’dukesh, pavarësisht perceptimit të të tjerëve. Vjen një ditë që afrohen ca njerëz që të shohin në sy dhe ti s’flet, por e dinë se kush je. Nuk të shohin si libër por si njeri. Njeri që rritet, ndryshon, përpëlitet nga dhembjet dhe shembet nga të qeshurat. Njeri që nuk ka konture të përcaktuara, nuk ka kapak, nuk ka kompozim, nuk ka rregulla gramatikore. Ata kuptojnë se sinqeriteti yt është si buka që hahet, e mirë, e thjeshtë, e pastër.  Vjen dita kur vetëm pak të shohin në sy dhe pa pyetur, pa ditur shumë, thjesht të duan. E nuk ka nevojë për shpjegime, interpretime. Thjesht kanë besim tek ty.

Mos harro se ti nuk je libër! Je njeri! Nëse dikush do të lexojë që të zbavitet le të shkojë tek Biblioteka Kombëtare ! Mos lejo të fryhen me bëmat e tua, as me fjalët e tua të cilat do tjetërsohen sa mos t’i njohësh më. Nëse të thonë se je libri i hapur, ik! Mos lejo të shohin veç duan! Ruaje vetën për ata që të duan pa të lexuar.

E pra 

E pra them . . . Ç’janë gjithë këta miq . . . që lidhen e zgjidhen. Gjithë këto buzëqeshje ortodontike. Foto “ngjit e ngjit” e dy ditë pas blok në rrjet social. E ç’janë gjithë këto përhapje ëmbëlsie të kopjuara me zotësi. “E pra” përgjigjem e velur nga një ëmbëlsi e pashijshme e pahijshme. Shoqe e shokë të sheqerosur e të yndyrshëm nga egoja dhe interesi. E ja, që habitem e them “e pra” ç’janë këto maska groteske. Nga sheqerkë bëhen lubi vëmendjeje. Më velin . . . më velin këto shoqëri të lidhura me zor, nga halli. Më velin shfaqjet e lumturisë të fryra nga dëshira për t’u dukur. Dhe kur . . . të thonë . . . jemi shoqe për jetë. Unë them . . . . E pra . . .

Adoleshente e mençur!

Para disa ditësh pata kënaqësinë të njihja një vajzë nga fundi i adoleshencës. E ëmbël, e ndrojtur, e dëlirë si pak. Mendova se vajza të tilla ishin sosur . . . Mjerisht kur ke një të ri përpara, të vjen natyrshëm të mendosh se duhet ta ndihmosh. Po, futesh në rolin e të gjithdijshmit. Fillon me leksione të gjata, të mërzitshme. Nejse, ndërsa flisnim ajo këputi një fjali mbresëlënse. Duke folur për shoqërinë tha:

image

-Që të gjesh shoqe të mirë duhet të jesh shoqe e mirë e vetes-

Sa e habitshme! Mua më janë dashur vite që ta kuptoja e ta pranoja. E po kaq vite që të arrija të bëhesha shoqe e mirë me veten. U ndjeva lehtësisht xheloze që ajo e dinte këtë që 18 vjeçe ndërsa mua më është dashur të pres e të vuaj ca . . .
Mësova se gjithmonë mund të mësosh edhe nga më të rinjtë. Mësova se nuk duhet të kem mendjen të jap leksione por dhe të dëgjoj . . . e të marr nga të rinjtë.
Ç’mendoni për thënien?