Dyert e jetës

Zhgënjim, mërzitje, frikë, mohime. Jeta që të thotë edhe Jo. Shumë jo. Përpëlitesh se mos rregullohet  ndonjë gjë po hiç, asgjë. Dyert që të rrethojnë janë të gjitha të mbyllura.

Troket  kot se je mësuar … të luftosh, të kërkosh, të shpresosh. Shpresa, dera e fundit  e pluhurosur, e gërryer.

Dera - Hajdeseflasim

Një derë  që ndoshta  dhe po u hap, nuk  ka asgjë dhe askund nuk të çon. Dyert e jetës… Hapen me vonesë, të tjera nuk hapen kurrë. Të tjera akoma hapen për të të kyçyr brenda.

Eh, dyert e jetës… Le të mbyllen,  le të kyçen. Jeta thotë jo? Unë them po! Dyert mbyllen? Unë fluturoj. Shpresa nuk është dera e fundit. Shpresa  është  fluturimi i parë!

Kur të gjitha dyert mbyllen mëson  të fluturosh!

Advertisements

Dimri i ngrohtë 

Dimrin nuk e dua. Duket sikur  kam lindur  për të nxehtin, diellin, ditën e gjatë, shëtitjet  në darkë. Po dimri im prap i ngrohtë po duket sepse zjarri i Artit po më nxeh qenien. Po ruaj një ngrohtësi konstante në zemër e cila po më bën mirë. Po më bën mirë fizikisht.

Që kur po ngroh shpirtin me Artin… ndihem më e fortë, më e shëndetshme. Ndihem me më shumë energji.

Etrita Ibrahimi – Piano

Shiko dhe videon

Arti më ndez e nuk kam më ftohtë se bëhem vet zjarr.

Shpresa Beka – Soprano, Etrita Ibrahimi – Piano

Shiko dhe videon 

Në autobus – Kontrolli

Autobusi po kthehet në një eksperiment  social i  përditshëm. Hipi dhe shndërrohem në vëzhguese e natyrës  njerëzore në kaptivitet.

Pasi u ula, fatorino mu drejtua – Urdhëroni  zonjë! – Gulçova. Vinte lart e poshtë duke prerë bileta dhe fjalët  urdhëroni, të lutem nuk i ndaheshin. Madje u kujdes për një nënë me fëmijë  duke e ndihmuar teksa ngjitej. U kujdes që të mos kishte njëri tek dyert. U kujdes për sigurinë e pasagjerëve. Nuk di si ta shpreh  kënaqësinë që ndjeva. Ja që paska  shpresë!

Shpresa  zbriti  me gjithë kontrollorin. Po, fatorinoja po sillej ashtu sepse ishte gjatë kontrollit. E pashë me mëshirë kontrollorin e mashtruar … bashkë me “shpresën” që  iku bashkë me të. Pak sekonda u deshën dhe autobusi  u trasformua në vagon  bagëtish. Shoferi  ndalonte si ia donte qejfi, zbriti  për  të pirë  cigare  se … domosdo  ishte stresuar. Tani nuk të thoshte njeri zonjë, as të ndihmonte njeri. Filloi ti shtynte njërëzit me shpatulla që të kalonte vet. Dyert hapeshin si ia donte qejfi. Bëra  një pyetje  për ndalesën  … -Ehu- ulëriti duke  u tallur  – E ke kalu mi me kohë – Tani  ai ecte  bark përpjetë, me kapadai, duke mbajtur biletat si me kërcënim.

Unë  zbrita  pak krenare  … se isha po e njëjta zonjë.

Rreze

Më kaloftë rrezja nga zemra.

Zemra kristal shumëkëndësh ndriçoftë.

Më shpoftë shpresa të ndriçohem përsëri.

Më kaloftë rrezja në sy.

Syri kristal shumëkëndësh ndriçoftë.

Më shpoftë guximi të forcohem përsëri.

Më kaloftë rrezja jote të jetoj përsëri.

Picture by @hajdeseflasim _

Croatia, Dubrovnik