Për qejf

Për qejf, gjeta këto “relike” i ridhash jetë. Për qejf këputa luleborë dhe ia vura vetes në tabaka. Po, po, për qejf. Për qejf bëra dhe foto. Sepse jam e bindur se kur gjej bukuri rreth meje ndihem e bukur edhe unë, brenda. Për qejf e piva kafen time me atë filxhan të mbijetuar dekadave. Për qejf dhe asgjë nga halli. Se kur gjej kënaqësi në gjëra të vogla rigjej gjithë pasionin që kam për jetën, e të jetoj për qejf e jo për hall.

Advertisements

Rreth liqenit

Fëmijë që shprehen si pleq, pleq që sillen si të papjekur. Gra që shajnë me fjalor burgaxhinsh, burra që heshtin si nuse me duvak. Të rinj të lodhur pa e nisur jetën, të vjetër pa përvojë. Endemi vërdall liqenit. Disa të zbrazur nga dështimi, të tjerë të mbushur nga zëmërimi. Një kitarist i dehur bërtet me bindje se këndon ndërsa dy djem liceu i bien violinçelës të turpshëm.

Unë e çuditur po aq sa e çuditshme. Endem si të gjithë rreth këtij liqenit.

Mbylla hesapet

I mbylla. Pagova kamatët e fundit. I kisha premtuar vetes se kurrë nuk do të merrja borxh…ja që i ka jeta këto. Ah jo … Nuk flas për para. Flas për ditë, jetë, çaste … I pata kërkuar borxh së kaluarës. Ajo vuri kamat të lart. Duhet ta paguaja. E kaluara, nostalgjike e poshtër. Të mashtron me ato “sikur” me ato “nëse”, dhe ti ngec. Kamata është e lart se për çdo iluzion të heq një ditë jete nga sot. Pa kuptuar fillon jeton gjithnjë e më pak.

Jo nuk shkon. I mbylla hesapet… Tani nuk kam borxhe. E kaluara të mbetet souvenir … Jeta është sot.

Blog dhe Website cili është ndryshimi?

Kjo do të jetë e vështirë pak, pasi jam mësuar që truri të më punoj “romantikisht”. Megjithatë, kam parë se shumë kanë lexuar artikullin Çfarë është një blog?

Tani, disa më pyesin vazhdimisht të hap një Website apo një Blog? Këtë pyetje ia kam bërë dhe vetes. Sinqerisht, nuk është aq është e vështirë. Do të përpiqem ta shpjegoj “romantikisht” për njerëzit si unë.
KARAKTERISTIKAT E BLOGUT :

  • Shkrimet janë ruajtur dhe dalin në mënyrë kronologjike
  • Shkrimet arkivohen sipas datës, kategorive dhe tags
  • Lexuesit mund të komentojn

KARAKTERISTIKAT E UEBSAJTIT:

Faqe kryesore me ndarje e cilat mund të përmbajë:

  • Blog
  • Kontakt
  • Të dhëna ligjore nëse është kompani apo bisnes
  • Informacione profesionale
  • Portfolio pune

Sinqerisht mjafton të hapësh ndonjë website me nam të mirë që të kuptosh sa shumë mund të punohet me të. Pra, në bazë janë të ngjashme por ndryshon përdorimi. Si websajti dhe blogu kanë opsionin të jenë privatë. Kjo varet nga qëllimi i përdorimit.

Pyetja e radhës është: Kush duhet të hapë një blog apo website?

Ju lutëm nëse keni pyetje të tjera mos ngurroni! Më thoni nëse ju ka pëlqyer dhe mbi të gjitha a ishte e kuptueshme?

Unë përdor platformën WordPress , nëse ke nevojë për ndonjë ide, më kontakto!

Hajdeseflasim, ju përqafoj!

2017-02-08-23-11-02.jpg

po ti flet “romantikishten”?

Paradoks

Shqipëria ka shumëllojshmëri natyrore marramendëse. Gjen male të thepisura dhe det të qelqët. Gjen kodra të buta dhe rrëke të freskëta. Sot gjen qytetin e Tiranës bashkëkohorë, modern, të shpejtë, disi në qejf. Është qytet ku pihet happy hour, ku u përshendetet me Ciao, Bye bye.

Tirana, ku paradokset janë si buka që ha.

Ksamil

I dashur Ksamil kur të pash për herë të parë qe goditje. Rruga drejt teje ishte mbushur me portokaje dhe bimësi mesdhetare. Tre ishujt qëndronin të paprekur, mrekullisht të virgjër. Guralecat rrokulisnin e këndonin me ritmin e valëve.

Qetësi, paqe dhe flutura.

Mbi të gjitha ishe falas oh Ksamil!

Foto nga plazhi privat Abalone

Tani për të gjetur një vend hije duhet të paguash 800 lekë. Për të qëndruar ngjitur e ngjitur me njerëz të tjerë. Në mes një det me mish që nuk notohet.

Nëse do pak qetësi do të duhet të kërkosh dhe të paguash pak më shtrenjtë ( 1000 lekë minimumi). Të paktën do të shpëtosh nga ajo rëra fallso që kanë hedhur gjithandej. E bardhë … ajo është pluhur inertesh. Unë dua guralecat karakteristikë të kësaj zone.

Ah i dashur Ksamil sa keq që ke ndryshuar. Ndoshta edhe unë.

Filtrin e duhur

Shkrep foto ca andej-këtej. Kthehem në shtëpi, e plandosem në kolltuk. Filloj të loz si padashje me filtrat në foto. I zbardh, i pres, i kthej. Provoj dritat, efektet me rradhë. Ikën koha, e gjej veten në një dimension ngjyrash e relievesh… derisa nuk zgjedh filtrin e duhur, të paktën për vete.

Gjetça një filtër dhe për vete. Një efekt të bukur që të më pëlqej vetja. Gjetça një efekt për vete, ta shoh veten ndryshe.

Më dhemb kurrizi

A të dhemb ty kurrizi? Mua po shpesh. Më dhemb nga peshat e vogla që mbaj për ditë. Ato fjalë që hedhin njerëzit pa u menduar, ato sjelljet pa edukatë, të bërtiturat e rëndomta.

Më dhemb nga peshat e mëdha. Nga gjithë dhembja e botës mbarë. Nga rënkimet më të largëta. Nga deti i lotëve që mbledh me kova.

Më dhemb kurrizi të mbaj peshën arogancës. Atë trastë të vogël injorance e ligë e cila kalon dorë më dorë e më ngec mua.

Po sikur të përmendim kërrusjen e dorëzimit? Dorëzimi se nuk çan dot, se nuk bërtet dot, nuk mashtron dot, nuk jep dot ryshfete qofshin këto edhe shpirtërore.

Eh, nuk mban kurrizi i lodhur ato gurë të rënda që mbledh nga ankesat e tjerëve … që pa dashje ngarkoj.

Më dhemb kurrizi, nga ato bagazhet që turistët e së kaluarës më lanë peng e kanë ikur… përgjithmonë.

Hamall ndjenjash.

New York

Është nëpër venat e qytetit që gjen esencen e vërtetë njerëzore. Ajo që shfaqet “në qendër” nuk është veç se një kartolinë mashtruese. Janë “rrënxat” e një vendi që zbulojnë identitetin real të tij.

New Yorku vërtert nuk fle. Vërtet nëse ecen natën dëgjon saksofonin jazz që qan nga një dritare e zymtë. Do të shohësh plehra, të pastrehë, grupe djemsh qosheve. Do ndjesh aromat të çdo kombi nga çdo dritare. Në një rrugicë të vetme do gjesh të mirën dhe të keqën e gjithë botës. Do të dëgjosh ndonjë të sharë shqip. Graffiti nëpër mure, nuk janë veç se gazeta e rrugicave dhe ndjen gjithë dhembjen, zëmërimin dhe lodhjen e të rinjve që janë plakur para kohe.

Realiteti sade. Pa garnityra e zbukurime. Ku njeriu i braktisur në xhunglen e egër provon të mbijetojë. Dhe po … ka akoma poezi.

Picture by @noascriptum