Në autobus – Bagëti

I pashmangshëm herët a vonë. Autobusi mbetet akuariumi ku takohen njerëz që ndryshe nuk do të ishin puqur kurrë. Autobusi është për mua torturë dhe zbavitje.

Herën e fundit për të shkuar në destinacion mu desh të prisja gati një orë për të hipur në automjetin e cili nuk mbante më. Ishim kaq shumë sa nuk mund të levizje, frymëmarrja ishte e tepërt. Sa gjynah më erdhi për vete, për të gjithë. Atje ngjeshur -ngjeshur pësuam një shkrirje. U bëmë një. Kisha disa djem prapa që ulërisnin se donin të zbrisnin. Një grua goxha e mbajtur bezdisej nga unë … që nuk dija ku të shkoja. – Na shtype – tha. Kërkova falje por me sa duket nuk mjaftoi. Unë shtyja se më shtynin …

Nuk ka edukatë, etikë, shtresë shoqerorore, ndjesi njerëzore që mos të shtrëmbërohet kur je nën trysni. Të gjithë dalin nga vetja e nxjerrin më të keqen. Kthehemi në bagëti.

Sharjet, ulërimat, fjalët ordinere pëllitjet … janë porsi djersa, të pashmangshme.

Ja që mban erë autobusi, nga pjekja e mishit dhe nga shpërbërja njerëzore.

Disa gjëra nuk do të ndryshojnë kurrë.

Advertisements

“Pa qejf ” por me stil

Më pëlqen kjo shprehje “pa qejf”. A nuk është e mrekullueshme? Është një nga ato shprehjet të pakta shqipe që ka konceptin e privacitetit në të. Nëse dikush të përgjigjet “pa qejf” do të thotë se nuk po ndihet mirë fizikisht por nuk është tepër keq. Apo, është shumë keq por nuk ka dëshirë t’ia shpallë gjithë botës, praktikisht po thotë nuk dua të flas për këtë. Do të thotë edhe dhe se nuk është mirë emocionalisht, ka pasur një ditë të keqe. Ose siç më ndodh shpesh mua janë të gjitha këto bashkë! Fjala pa qejf të bën të mos ndihesh e mjerë dhe të mbulon me hir. Mbi të gjitha të shpëton nga detajet.

Një herë që kemi shpëtuar nga të tjerët, duke ikur me lezet me një – Jam pa qejf sot, të marr unë.- Duhet të bëjmë llogaritë me veten.

Njenja e fajit

Në momentin që anulojmë diçka sepse jemi sëmurë, apo pa qejf, një ndjenjë faj zakonisht nuk do të lejojë të rrimë rehat as atë ditë të shpifur me temperaturë. Fillojmë mendojmë se mund të kishim duruar, çfarë do të mendojnë të tjerët? Mendojmë për të gjitha gjërat nuk do të arrijmë të bëjmë.

Mentaliteti i dhembjes

Shtrihemi ndoshta pa menduar dhe presim shërimin në mëshirë të fatit. E vetmja gjë ndoshta, pijmë një qetësues. Sigurisht që duhet të mësojmë të bëjmë diçka për t’ia lehtësuar vetes dhembjen. Sikur thjesht mendërisht.

Nuk ka pse të jesh mjeran vetëm se je pa qejf. – artikull i mëparshëm

Nëse je shumë keq, kujdesu vërtet për veten. Duke u vizituar tek doktori, apo thirrur një person të dashur. Nëse është diçka kalimtare nuk është nevoja të bluash mendime negative për veten. Është veç një ditë, do të kalojë. Gjumi, mjekimet e duhura dhe pak humor bëjnë mrekullira. Shijoje ditën tënde. Mund të mbarosh me në fund atë romanin që ke lënë gjysëm, mund të shohësh video gazmore, apo të dehesh me luksin e gjumit. Pij çaj dhe shijoje jetën edhe “pa qejf”.

Pa qejf por me stil …

Çfarë mësova nga ” mikja ” ime.

Dashuri, shumë dashuri falin. Disa, si unë thonë se qeni është i veçantë. Të tjerë me të drejtë thonë se është macja apo cilado të jetë kafsha e tyre, ashtu është më e mira. Vet kam pasur mace, brejtës, breshka ujë, breshka toke. Kujtoj se e vogël mbaja zhapikë në kavanoz dhe në fantazinë time hapa një spital bletash kur isha me pushime në mal.

Dashuri falin pasi janë në gjendje të çkopsitin shpirtin tonë të mbyllur. Na bëjnë neve të ndihemi në gjendje të falim dashuri.

Tani kam një qenushe të dashur dhe çapkëne. Ajo është  një West Highland wheaten Terrier i përzier me Lushnjar…. po po!… Ah ah!

Duke e vezhguar nga afër mësoj shumë prej saj. Ja çfarë 4 gjëra që kam mësuar prej qenit:

Kujdesi për veten. Një qen harxhon shumë kohë duke u marr me pastrimin vetjak, lëpirje, heqjen e nyjeve dhe le të themi krehjes … Kjo veçantë asaj që i bëj unë. Nëse një qen e bën këtë çdo njeri duhet ti kushtojë vetes kohë çdo ditë!

Pushim. Kur ajo është e lodhur pushon. Pushon vërtet ama. Nganjëherë preferon të mos e prish gjumin as për të ngrënë. Ajo instinktivisht merr kohën e mjaftueshme për të marr veten. Oh sa duhet ta imitoj në këtë.

Nuk i beson çdo kujt. E dashur është por … ka një nuhatje të mirë për tipat të vështirë. Edhe nëse e qetësoj, ajo vazhdon të jetë në gjendje alarmi me atë njeri.

Dashuri pa kushte. Ajo më do kur jam mirë edhe keq. Ngre bishtin kur e përkdhel dhe qëndron afër kur jam indiferente. Qëndron afër gjithmonë, kur qesh e kur qaj. Prej saj kam mësuar çfarë është miqësia.

Pse e dua të hënën?

Nga të gjitha ditët e javës unë preferoj të hënën. Madje do thosha se nuk më pëlqen shumë e diela.

E dua të hënën sepse është dita e parë. E hëna ka emocionin e nisjes. Përmban frymëzimin e së ardhmës.

Më pëlqen sepse i rikthehesh punës. A ke menduar ndonjëherë sa fatlum je nëse e ke një punë? E hëna të jep shansin të rifillosh nga e para, ti japësh vetes mundësi të reja.

E hëna është e bukur dhe kur nuk je në punë, se mjerisht edhe kjo ndodh. A ke menduar sa fatlum je të shijosh pushimin kur të gjithë janë në punë? Lokale, rrugët, stolat janë të gjitha për ty ashtu sikur dhe plazhi?

Një arsye tjetër pse e dua të hënën është se kam frikë nga e diela. E diela mbivlerësohet dhe më fut ankthin se duhet patjetër të kënaqësh… Kur në fakt unë nuk dua të pres të dielën.

E hëna është dita ime. Dita e motivimit. Dita kur fillojnë programet dhe synimet.

E hëna dita ime.

Nxitim

E shkathët jam, mendoja. Mund të bëj disa gjëra një kohësisht. Mos humb kohë, i thosha vetes. Duhet të bësh më shumë. Shto e shto nuk ka më kohë për të jetuar.

Nxitimi po më merrte jetën. Tani nuk nxitoj më, as nuk nxitoj dot. E shkathët jam akoma.

Mendësia që të “shfrytëzosh” kohën medoemos të mohon mundësinë për të shfrytëzuar vërtet jetën. Por mund të jetë ndryshe. Si?

Bej gjërat një nga një. I shijoj, i marr pak më shtruar. Vjen koha kur nuk ka rëndësi sa bën por si i bën.

Mbaj një ritëm timin pa vrapuar. Çdo ditë jemi ndryshe, ki durim me veten. Nuk je makineri. Bëj më të mirën por edhe ji mirë.

Mendoj për atë që bëj. Provoj të shijoj edhe ato punë që nuk preferoj. Nëse një punë a detyrë nuk më pëlqen gjej arsyet për ta bërë. “Pa e shtyrë”.

Kollon zanore. Pse jeta në filma është gjithnjë me interesante? Sepse ka muzikë! Ndiz radion, krijo një playlist, kërce sa herë mundesh.

Atmosferë. I krijoj vetes atmosferën e duhur. Ndez qirinj edhe nëse jam vetem. Ndez abazhurin, rregulloj gjërat bukur.

Kam caktuar edhe kohë për të mos bërë asgjë. Veç merr frymë! Nuk është përtaci është domosdoshmëri! Është koha e frymëzimit. Koha kur lindin idetë, ndjenjat lulëzojnë. Koha për të gjetur energjinë e të vazhdosh të jetosh, pa nxitim!

 

Shkarko falas Jeto pdf free

Për qejf

Për qejf, gjeta këto “relike” i ridhash jetë. Për qejf këputa luleborë dhe ia vura vetes në tabaka. Po, po, për qejf. Për qejf bëra dhe foto. Sepse jam e bindur se kur gjej bukuri rreth meje ndihem e bukur edhe unë, brenda. Për qejf e piva kafen time me atë filxhan të mbijetuar dekadave. Për qejf dhe asgjë nga halli. Se kur gjej kënaqësi në gjëra të vogla rigjej gjithë pasionin që kam për jetën, e të jetoj për qejf e jo për hall.

Rreth liqenit

Fëmijë që shprehen si pleq, pleq që sillen si të papjekur. Gra që shajnë me fjalor burgaxhinsh, burra që heshtin si nuse me duvak. Të rinj të lodhur pa e nisur jetën, të vjetër pa përvojë. Endemi vërdall liqenit. Disa të zbrazur nga dështimi, të tjerë të mbushur nga zëmërimi. Një kitarist i dehur bërtet me bindje se këndon ndërsa dy djem liceu i bien violinçelës të turpshëm.

Unë e çuditur po aq sa e çuditshme. Endem si të gjithë rreth këtij liqenit.

Mbylla hesapet

I mbylla. Pagova kamatët e fundit. I kisha premtuar vetes se kurrë nuk do të merrja borxh…ja që i ka jeta këto. Ah jo … Nuk flas për para. Flas për ditë, jetë, çaste … I pata kërkuar borxh së kaluarës. Ajo vuri kamat të lart. Duhet ta paguaja. E kaluara, nostalgjike e poshtër. Të mashtron me ato “sikur” me ato “nëse”, dhe ti ngec. Kamata është e lart se për çdo iluzion të heq një ditë jete nga sot. Pa kuptuar fillon jeton gjithnjë e më pak.

Jo nuk shkon. I mbylla hesapet… Tani nuk kam borxhe. E kaluara të mbetet souvenir … Jeta është sot.

Paradoks

Shqipëria ka shumëllojshmëri natyrore marramendëse. Gjen male të thepisura dhe det të qelqët. Gjen kodra të buta dhe rrëke të freskëta. Sot gjen qytetin e Tiranës bashkëkohorë, modern, të shpejtë, disi në qejf. Është qytet ku pihet happy hour, ku u përshendetet me Ciao, Bye bye.

Tirana, ku paradokset janë si buka që ha.