Etika në rrjet- Komentet

Të komentosh në rrjete sociale mund të jetë shumë zbavitëse dhe madje dobiprurëse. Zbavitëse sepse në disa raste mund të hapen tema shumë qesharake me persona që kanë të njëjtën shije humori me tëndin. Shpesh gjej veten duke bërë gallat me miq në Instagram,  çdo gjë nisur nga një koment i goditur. Dobiprurëse sepse komentet  të çojnë në komunikim me klientë të mundshëm, lidhesh me personat që kanë të njëjtat interesa pune, dhe mbi të gjitha merr feedback të postimit. Kjo vlen sidomos nëse ke një profil bisnesi apo pune.  Pra, nëse përdor rrjete sociale komenti bëhet pjesë e domosdoshme.

Për sa i përket pjesës zbavitëse,  ki kujdes, pasi jo të gjithë kemi të njëjtin lloj humori. Nja dy herë më ka ndodhur të shkruaj komente krejtësisht të pafajshëm por që marrësi nuk i ka perceptuar siç mendoja. Nëse ke një profil publik, të hapur, apo bisnesi, ki kujdes me komentet pasi ato mund të ulin nivelin profesional të faqes. Nëse e ke të mbyllur vetëm për miq,  normale që një sqarim i shpejtë mund të mjaftojë. Është gjithësesi bukur të përdorim komente me edukatë kundrejt të gjithëve. Kujdesi paraprak do të shmangë keqkuptimet dhe . . . nuk harxhon kohën kot.

Nëse ke një profil publik, komentet duhet të jenë të  menduara mirë. Zgjidh me kujdes se në cilën faqe po komenton. Fjalët duhet të jenë të shkruara saktë dhe sa më profesionalisht. Aktiviteti yt i menduar mirë mund të përbëjë  suksesin e faqes tënde. Do të tërheqë shikuesit e duhur, ndjekësit e duhur dhe me rradhë klientët e duhur. Shmang polemikat, shmang kritikat, mos shaj kurrë!

Gjithashtu, kur sheh diçka që ia vlen, mos ki frikë të shkruash një koment pozitiv. Mbase ai koment mund të ndryshojë ditën apo të përmirësojë punën e dikujt tjetër!

etikanerrjet - Copy (4)

Advertisements

Dyert e jetës

Zhgënjim, mërzitje, frikë, mohime. Jeta që të thotë edhe Jo. Shumë jo. Përpëlitesh se mos rregullohet  ndonjë gjë po hiç, asgjë. Dyert që të rrethojnë janë të gjitha të mbyllura.

Troket  kot se je mësuar … të luftosh, të kërkosh, të shpresosh. Shpresa, dera e fundit  e pluhurosur, e gërryer.

Dera - Hajdeseflasim

Një derë  që ndoshta  dhe po u hap, nuk  ka asgjë dhe askund nuk të çon. Dyert e jetës… Hapen me vonesë, të tjera nuk hapen kurrë. Të tjera akoma hapen për të të kyçyr brenda.

Eh, dyert e jetës… Le të mbyllen,  le të kyçen. Jeta thotë jo? Unë them po! Dyert mbyllen? Unë fluturoj. Shpresa nuk është dera e fundit. Shpresa  është  fluturimi i parë!

Kur të gjitha dyert mbyllen mëson  të fluturosh!

Nuk kam shkruar

Nuk kisha ç’të shkruaja? Mjerisht  nuk më ndodh. Kam kaq shumë mendime  sa nuk arrij  ti vë në rradhë. Idetë e pashtershme, frymëzime dhe projekte. Kaq shumë mendime  sa të shpërthej. Sikur  plas. Ndjej gati dhimbje, ndoshta si  dhimbjet e lindjes para se të krijoj  diçka. Sikur  më mblidhen të gjitha përjetimet dhe … Nuk di ç’të bëj më parë. Atëherë  eksploroj. Po, studjoj ndonje teknik poezie si Hajku, studjoj epokat … Romanticizmin  apo Rilindjen. Lexoj, lexoj, lexoj. Çdo gjë lind poezi, muzikë, pikturë. Atëherë shetis.

Në vend të zbraz mendjen  e mbush më tepër. Idetë  marrin  jetë e fillojnë  të më bëhen  si shokët imagjinarë  të fëmijërisë. Rrugët, njerëzit  shndërrohen  në vargje dhe zhurmat  në muzikë. Muzika në qetësues.

Kur nuk shkruaj do të thotë se po plas!