Pikat mbi “i”

Kujtoj sa herë mundohesha t’i rregulloja gjërat, duke vënë pikat mbi “i”. Madje duke shtuar pika aty ku nuk duheshin. Duke u përpjekur të përmirësoja veten deri në obsesion e të tjerët po ashtu. Analizë mbi analizë për të kërkuar defekt e në fakt për të gjetur veç mirësi, në fund të fundit. Aq mësohemi me të mirën sikur me të keqen, sa nuk e dallojmë më.

Nuk dua më të vë pikat mbi i, le ti lëmë pa pika. Le ti lëmë i-të në qejf të tyre dhe pikat gjithashtu.

Zbulimi i ëmbëlsisë ishte mbi të gjitha një nevojë e imja, ndihesha e rënduar nga fjalët e forta, pushtuese, nxitja e vrazhdë, shkundjet shpirtërore. Mungesa e një fjale të mirë, një ledhatimi shpirtëtor.

Zbulova se sa e fortë është ëmbëlsia.

Pra, e lashë derën e shpirtit të hapur, fillova të thith ëmbëlsinë e tokës, të qiellit, të kafshëve, të natyrës, të njerëzve, timen. Se isha e ëmbël shumë, dhe nuk e dija. Fillova të rrezatoja e të pasqyroja kë takoja. Pa u vrarë, pa vrarë. Pa u bezdisur, pa bezdisur. Pasqyrimi i dritës thyhet tek prizmat e ndryshme dhe ndahet, shtohet në dritë po aq të bukur. Nëse dua të shoh dritë, duhet ta rrezatoj, duke lënë shpirtin e hapur. Shpirti i hapur tërheq veç ëmbëlsi.

Shoh sa dritë ka rreth meje aty ku nuk kisha parë kurrë. Aty ku nuk e prisja. Tek njerëzit që as vet nuk e dinë se kanë. Pa gërrmuar e mira del vetë…

Ngadalë jeta ndryshon për mirë, jo duke vënë pikat mbi “i”, por duke thënë një fjalë të mirë, një kompliment, një faleminderit. Duke nxjerrë më të mirën nga vetja e çdokënd që takon në rrugën tënde.

Fytyra ndryshon kur jep dritë. Zemra ndryshon, shpirti ndryshon. Drita do të shumëfishohet ndërsa jap e marr.

Po mbledh të gjitha pikat të pavëna mbi “i” dhe po i përzjej si yjet në univers.

 

 

 

Reklama

Siç ta ka ënda

Do të doja të isha më e shëmtuar, të largoja të gjithë shikimet që s’janë të tuat.

Do të doja të isha më e bukur, të skalitesha në mendjen tënde.

Të isha fryt i fantazisë tënde.

Do të doja të më vizatoje ashtu siç ta ka ënda.

Kur ecën ndryshe

Kur ecën ndryshe ata që të shohin u lodhkan. Ti hipën e zbret, atyre u këputet mesi. Kur ecën ndryshe nuk arrijnë të kënaqën se mbërrite po shohin hapin, këpucën, ndjekin ijët. Ti ecën drejt, atyre u duket përpjetë. Ti ecën hijshëm atyre u duket snob.

Ti mban peshat e tua, po kush ankohet? Prap të tjerët. U lodhkan të tjerët me hapin tënd.

Po unë do vazhdoj të ecë kështu me klas, kush është i cekët e nuk kupton, le të hapë rrugë.

Frymëzohem

Frymëzohem shpejt, sa shpejt frymëzohem. Nuk dua, por më ndodh. Sajoj historira, koleksionoj ndjenja. I ruaj ato, u gjej emra, metafora. I mbaj ca kohë dhe dalin një ditë vetvetiu, të papërmbajtshme.

Nuk meriton çdokush një poezi, një shprehje? Unë fal pak nga shpirti im në këmbim të asgjëje. Një asgjë e pamerituar … si fjalët që u dhuroj.

Po e pashmangshme është për mua të mos fal një çik dashuri. T’u buzëqesh të panjohurve, e t’u shkruaj dy rreshta mirësisht.

Ndjej më shumë se të tjerët prandaj më duhet nga ndjenjat të lirohem.

T’i kthej në shkrime, t’u jap jetë.

Frymëzohem shpejt ki kujdes me mua.

Tulipanë

Midis një loti dhe një ironie shtyhet jeta, mes pikëpyetjesh dhe pikëçuditësesh. Unë eksploruese zemrash, guxoj pak, me shumë frikë.

Fantazia shoqe e mirë, më lëshon nga një balonë në një fushë me tulipanë. Ato shtohen, valëviten. Vallëzojnë mes erërash të panjohura. Kokën ulin por nuk thyhen.

Fantazia shoqe e mirë, ajo më njeh. Më lëshon në një fushë me tulipanë. Të eksploroj zemra të vërteta që fshihen pas imagjinatës. Mbase shoh atë që dua, tulipanët më shohin mua.

I ujis me lotë se ato kam. Nisem prap me balonë … sa të bukura janë tulipanët.

Të lutem

Më mbulo me fjalë, të lutem.

Nëse nuk di, mësoji.

Më fol, ma thuaj ëndrrën, ma thuaj dëshirën.

Më fol, më trego ç’kërkon e ç’do të më japësh.

Merrja fjalët poetëve hua dhe m’thuaj se janë të tuat.

Merrja këngëve e më gënje po deshe …veç mi thuaj.

Se po thahem pa fjalë dhe kam frikë se do zhdukem.

Se lulja jote jam, po më jep ujë, të çel.

Më mbulo me fjalë, të lutem.

Je apo ke?

Dyqanet, qëndrat tregtare, boutiques, blerje online. Të gjitha gëlojnë me njerëz të pasur dhe jo. Të gjithë kërkojnë arsye për të blerë, përherë e gjejnë. Qeset mbushen kollaj, syri hapet më shumë, ndoshta zemrat mbeten të zbrazura.

Si të jesh i kamur apo dëshpërimisht i varfër, mund të kesh problemin e një shtëpie mbushur me sende të bukura por të papërdorura ose një gjendje shpirtore mjeranesh sa herë duam diçka që nuk e zotëron dot.

Do t’ju zbuloj një sekret timin.

Më ka ndodhur jo rrallë, të kem shije të hollë. Se si nuk e di, po më shkon syri tek gjëra të bukura e të shtrenjta. Ato këpucë, ajo pallto ma bëjnë me sy, fjala “jo” e arsyes ndizet dhe më fik pak.

Mendova pse ka kaq shumë rëndësi për mua ti kem pikërisht ato, pse i dua kaq shumë?

Pasja është më e fuqishmja se qënia? Shpika një lojë që çmend shitësit dhe më kënaq mua. Futem në dyqanin ku do të gjej më të mirën. Në fund të fundit qëllimi është të ndihesh mirë. Në fund të fundit e meritoj të ndihem mirë.

Vesh pallton e bukur, këpucët. Shihem në pasqyrë. Shitësja tek sa më ndihmon më thotë: Sikur është prerë për ju. Sa ju shkon. – Në moment bëj një lojë psikologjike dhe përqëndrohem tek ndjesia që më japin. Pyes veten, si ndihem brenda palltos, po me këto këpucë?

Oh si ndihem?! Jam e fuqishme! Tigër! Po me këpucët? Oh ndjej gjithë feminilitetin që shpërthen nga takat. Jam version tjetër. Pra të kesh të bënka të jesh ndryshe? Eh jo, nuk e pranoj. Unë dua të Jem e fortë dhe femërore e jo ti kem këto cilësi varur në dollap.

Të jesh është më e rëndësishme se sa të kesh.

Me krenari i them se nuk do t’i blej. Të paktën jo për momentin. Shkoj në shtëpi dhe provoj ato që kam, dhe e di? Unë jam tiger dhe femërore. Nuk kam nevojë ta blej atë lirë apo shtrenjtë qoftë.

Një ditë ndoshta do ti kem, dëshirat janë të bukura, por ndërkohë nuk do Jem më pak.

Ka raste që provon atë kolltukun e bukur e ndihesh si në paqe, apo ndoshta ti djal provon atë makinë që të bën të ndihesh si boss. Nuk i ke dhe pra nuk je? Provoje lojën! Është më mirë të Jesh se sa të Kesh!

Buzëqeshja

Buzëqeshja lind nga mendja. Është një qëndrim me të cilin lind, besoj, por e mëson dhe rrugës. Nëse e ke, mjerisht, jeta do të bëjë të pamundurën të ta heqë.

Për çudi tek disa njerëz ndodh e kundërta. Sa më shumë vuajnë aq më tepër i thellohet buzëqeshja.

Nuk jam bërë ndonjëherë pishman se kam buzëqeshur. Edhe kur duket se nuk e meritojnë, ajo zbut zemrat e serta. Por mbi të gjitha buzëqeshja të mbron nga ngurtësimi i vet zemrës tënde.

Ai që buzëqesh me sinqeritet di të qajë edhe me dënesë, ky është çmimi.

Buzëqeshja … do të jetë dritarja nëpërmjet së cilës do të hyjë drita në shpirtin tënd.

Romantizëm

A të pëlqejnë zemrat? Arushat e pellushit? Mendon se kur dashuron bëhesh automatikisht romantik?

Ndoshta je më pak se ç’mendon ose më shumë se ç’kujton. Sepse romantizmi i vërtet është shumë ndryshe nga ç’ka mendojnë njerëzit.

Romantizmi lind si lëvizje shpirtërore, artistike, kulturore nga fundi 1700-ës deri 1800-ës, në Evropë. Solli një risi në literaturë, art dhe koncept.

Në atë periudhë sipas një enciklopedie termi “romantik” përdorej për të përcaktuar një stil jashtë së zakonshmës. Me kalimin e kohës romantizmi u zhvillua në shumë vende duke u rritur në një levizje më revolucionare. Njeriu, natyra e tij ishte në qëndër të vëmendjes. Vlera të reja si liria, ndergjegjësimi social dhe politik, vlerat kulturore të reja dhe rryma shpirtërore mistike lindën pikërisht gjatë asaj epoke e quajtur romantike. Romantizmi përfshin ndjenjë edhe racionalitet. Ekzaltimi i të qënit në jetë, çlirimi nga kode klasike la vendin krijimtarisë së lirë. Imagjinata me në fund mund të ishte e prekshme në të gjitha llojet e artit. Romantizmi ishte një “mënyrë të ndjerit”. Çdo vend, kulture e pëvetësoi ndryshe apo e adresoi kauzës se vet.

Një ndjeshmëri e formuar nga kërkimi shpirtëror dhe intelektual. Një diapazon të gjerë ndjenjash e njohurish. Një gërrmim të brëndshëm sublim dhe të dhunshëm.

E gjithë kjo e preku dhe mënyrën se si do të përshkruhej, ndihej, dashuria. Por jo veç atë, dashuria, miqësia, besimi, fisnikëria, fjala, ndjenjat, të gjitha vlerat njerëzore morën thellësi.

Prandaj eksziston, po, dashuria romantike, por mund ekzistojë edhe miqësia romantike, dhembja, gëzimi, arti romantik po aq sa dhe ushqimi romantik, ndoshta.

Mund ti sjellësh lule të dashurës, por mund të mos jesh romantik. Mund të jesh duke lënguar për të dashurin e largët por nuk je romantike. Lule, çokollata, postime në rrjete sociale të sheqerosura, puthje në mes të rrugës, pseudopoezi, këngë ” baby baby”, ky është  romantizmi komercial. Që të jesh romantik duhet më shumë se kaq.

Zejtarët e Tiranës II

Para ca kohësh gjeta këtë oaz bukurie në Tiranë. Gjeta se disa kanë aftësinë për të punuar me fijet ëndrrave.

Foto nga profili Emanuelatelier

Atelieri që mu desh ta kërkoja me ngulm pasi isha shumë kurioze ta shihja, kishte ngjyrat e ëndrrave të mia.

Foto nga profili Emanuelatelier

Një vend krijimtarie dhe ndjenjash të mira ku çdo gjë është e tjerrur me fillin e dashurisë. Një derë që të çon jashtë dhe brenda në të njëjtën kohë. Jashtë realitetit dhe brenda shpirtit.

Quhet Emanuelatelier

Foto nga profili Emanuelatelier

Atje qepen dëshirat, dhe mund të veshesh përrallën dhe të ndihesh zanë, najadë, shtojzovalle zgjidhe vet!

Atje ti bëhesh kanavacë artisti.