Pikat mbi “i”

Kujtoj sa herë mundohesha t’i rregulloja gjërat, duke vënë pikat mbi “i”. Madje duke shtuar pika aty ku nuk duheshin. Duke u përpjekur të përmirësoja veten deri në obsesion e të tjerët po ashtu. Analizë mbi analizë për të kërkuar defekt e në fakt për të gjetur veç mirësi, në fund të fundit. Aq mësohemi me të mirën sikur me të keqen, sa nuk e dallojmë më.

Nuk dua më të vë pikat mbi i, le ti lëmë pa pika. Le ti lëmë i-të në qejf të tyre dhe pikat gjithashtu.

Zbulimi i ëmbëlsisë ishte mbi të gjitha një nevojë e imja, ndihesha e rënduar nga fjalët e forta, pushtuese, nxitja e vrazhdë, shkundjet shpirtërore. Mungesa e një fjale të mirë, një ledhatimi shpirtëtor.

Zbulova se sa e fortë është ëmbëlsia.

Pra, e lashë derën e shpirtit të hapur, fillova të thith ëmbëlsinë e tokës, të qiellit, të kafshëve, të natyrës, të njerëzve, timen. Se isha e ëmbël shumë, dhe nuk e dija. Fillova të rrezatoja e të pasqyroja kë takoja. Pa u vrarë, pa vrarë. Pa u bezdisur, pa bezdisur. Pasqyrimi i dritës thyhet tek prizmat e ndryshme dhe ndahet, shtohet në dritë po aq të bukur. Nëse dua të shoh dritë, duhet ta rrezatoj, duke lënë shpirtin e hapur. Shpirti i hapur tërheq veç ëmbëlsi.

Shoh sa dritë ka rreth meje aty ku nuk kisha parë kurrë. Aty ku nuk e prisja. Tek njerëzit që as vet nuk e dinë se kanë. Pa gërrmuar e mira del vetë…

Ngadalë jeta ndryshon për mirë, jo duke vënë pikat mbi “i”, por duke thënë një fjalë të mirë, një kompliment, një faleminderit. Duke nxjerrë më të mirën nga vetja e çdokënd që takon në rrugën tënde.

Fytyra ndryshon kur jep dritë. Zemra ndryshon, shpirti ndryshon. Drita do të shumëfishohet ndërsa jap e marr.

Po mbledh të gjitha pikat të pavëna mbi “i” dhe po i përzjej si yjet në univers.

 

 

 

Reklama

Siç ta ka ënda

Do të doja të isha më e shëmtuar, të largoja të gjithë shikimet që s’janë të tuat.

Do të doja të isha më e bukur, të skalitesha në mendjen tënde.

Të isha fryt i fantazisë tënde.

Do të doja të më vizatoje ashtu siç ta ka ënda.

Kur ecën ndryshe

Kur ecën ndryshe ata që të shohin u lodhkan. Ti hipën e zbret, atyre u këputet mesi. Kur ecën ndryshe nuk arrijnë të kënaqën se mbërrite po shohin hapin, këpucën, ndjekin ijët. Ti ecën drejt, atyre u duket përpjetë. Ti ecën hijshëm atyre u duket snob.

Ti mban peshat e tua, po kush ankohet? Prap të tjerët. U lodhkan të tjerët me hapin tënd.

Po unë do vazhdoj të ecë kështu me klas, kush është i cekët e nuk kupton, le të hapë rrugë.

Frymëzohem

Frymëzohem shpejt, sa shpejt frymëzohem. Nuk dua, por më ndodh. Sajoj historira, koleksionoj ndjenja. I ruaj ato, u gjej emra, metafora. I mbaj ca kohë dhe dalin një ditë vetvetiu, të papërmbajtshme.

Nuk meriton çdokush një poezi, një shprehje? Unë fal pak nga shpirti im në këmbim të asgjëje. Një asgjë e pamerituar … si fjalët që u dhuroj.

Po e pashmangshme është për mua të mos fal një çik dashuri. T’u buzëqesh të panjohurve, e t’u shkruaj dy rreshta mirësisht.

Ndjej më shumë se të tjerët prandaj më duhet nga ndjenjat të lirohem.

T’i kthej në shkrime, t’u jap jetë.

Frymëzohem shpejt ki kujdes me mua.

Je apo ke?

Dyqanet, qëndrat tregtare, boutiques, blerje online. Të gjitha gëlojnë me njerëz të pasur dhe jo. Të gjithë kërkojnë arsye për të blerë, përherë e gjejnë. Qeset mbushen kollaj, syri hapet më shumë, ndoshta zemrat mbeten të zbrazura.

Si të jesh i kamur apo dëshpërimisht i varfër, mund të kesh problemin e një shtëpie mbushur me sende të bukura por të papërdorura ose një gjendje shpirtore mjeranesh sa herë duam diçka që nuk e zotëron dot.

Do t’ju zbuloj një sekret timin.

Më ka ndodhur jo rrallë, të kem shije të hollë. Se si nuk e di, po më shkon syri tek gjëra të bukura e të shtrenjta. Ato këpucë, ajo pallto ma bëjnë me sy, fjala “jo” e arsyes ndizet dhe më fik pak.

Mendova pse ka kaq shumë rëndësi për mua ti kem pikërisht ato, pse i dua kaq shumë?

Pasja është më e fuqishmja se qënia? Shpika një lojë që çmend shitësit dhe më kënaq mua. Futem në dyqanin ku do të gjej më të mirën. Në fund të fundit qëllimi është të ndihesh mirë. Në fund të fundit e meritoj të ndihem mirë.

Vesh pallton e bukur, këpucët. Shihem në pasqyrë. Shitësja tek sa më ndihmon më thotë: Sikur është prerë për ju. Sa ju shkon. – Në moment bëj një lojë psikologjike dhe përqëndrohem tek ndjesia që më japin. Pyes veten, si ndihem brenda palltos, po me këto këpucë?

Oh si ndihem?! Jam e fuqishme! Tigër! Po me këpucët? Oh ndjej gjithë feminilitetin që shpërthen nga takat. Jam version tjetër. Pra të kesh të bënka të jesh ndryshe? Eh jo, nuk e pranoj. Unë dua të Jem e fortë dhe femërore e jo ti kem këto cilësi varur në dollap.

Të jesh është më e rëndësishme se sa të kesh.

Me krenari i them se nuk do t’i blej. Të paktën jo për momentin. Shkoj në shtëpi dhe provoj ato që kam, dhe e di? Unë jam tiger dhe femërore. Nuk kam nevojë ta blej atë lirë apo shtrenjtë qoftë.

Një ditë ndoshta do ti kem, dëshirat janë të bukura, por ndërkohë nuk do Jem më pak.

Ka raste që provon atë kolltukun e bukur e ndihesh si në paqe, apo ndoshta ti djal provon atë makinë që të bën të ndihesh si boss. Nuk i ke dhe pra nuk je? Provoje lojën! Është më mirë të Jesh se sa të Kesh!

Zejtarët e Tiranës II

Para ca kohësh gjeta këtë oaz bukurie në Tiranë. Gjeta se disa kanë aftësinë për të punuar me fijet ëndrrave.

Foto nga profili Emanuelatelier

Atelieri që mu desh ta kërkoja me ngulm pasi isha shumë kurioze ta shihja, kishte ngjyrat e ëndrrave të mia.

Foto nga profili Emanuelatelier

Një vend krijimtarie dhe ndjenjash të mira ku çdo gjë është e tjerrur me fillin e dashurisë. Një derë që të çon jashtë dhe brenda në të njëjtën kohë. Jashtë realitetit dhe brenda shpirtit.

Quhet Emanuelatelier

Foto nga profili Emanuelatelier

Atje qepen dëshirat, dhe mund të veshesh përrallën dhe të ndihesh zanë, najadë, shtojzovalle zgjidhe vet!

Atje ti bëhesh kanavacë artisti.

Hapa sirtarin

Jam e kënaqur që di të ëndërroj kaq bukur sa realiteti bëhet gati i pabesueshëm…

Jam e kënaqur që sirtari i mbyllur prej kohësh u hap dhe çelësin lumturisht e humba. Kështu që tani ëndrrat janë kështu, të gjitha të hapura. Të shpalosura. Duhet të duket si një libër përrallash ma do mendja.

Jam e kënaqur se po shndërroj ëndrrat në synime. Po marr secilën dëshirë në shqyrtim dhe për çudi shoh se asgjë nuk është tërësisht e pamundur.

Nxorra ëndrrat një nga një. Ato që ishin venitur i pikturova sërish. Të rejave u dhashë përparësi … hartova një plan.

Në sirtar nuk ka më asnjë ëndërr … Kam vetëm plane, nëse nuk funksionojnë… kam planin B.

Ndërkohë, këtu dua t’ju tregoj se si një tabelë vizive mund t’ju ndihmojë të shndërroni ëndrrat në synime. Ky është thjesht një shembull. E kam bërë me Canva, nga celulari apo pc. Por mund ta bësh edhe me letra, të shkruara dhe kolazhe. Rëndësi ka që ta mbash para syve me synimet e tua. Mjafton të kërkosh në Google për #visionboards!

Mund ta bësh për çdo gjë që dëshiron të arrish në jetë, arritjet shpirtërore, profesionale, shkollore, udhëtimet. Mjafton të shkruash dëshirën dhe si do punosh që ta arrish. Unë mbaj timen në celular dhe herë pas here e shoh që të frymëzohem të bëj hapat drejt “ëndrrës”.

Nëse doni të dini më shumë më shkruani!

Më gjeni edhe në Instagram Hajdeseflasim

Unë po shkoj të jetoj

Sa kostume kanë ngelur pa u veshur, sa gjerdane pa u vënë. Sa gjëra kanë ngelur pa bërë se presim çastin e duhur. Do ta ruaj për raste, e rastet nuk vijnë kurrë. Në dollap shumë shpejt do gjejmë rroba të reja dhe ëndrra të vjetra.

Mos prit që të vij rasti. Konsumoje jetën! Vish këpucët e reja, se ndryshe do të vrasin deri në varr. Mos prit një djalë që të jesh e bukur. Mos prit një punë që të ndihesh i arrirë. Krihu, vishu, dil, bëj ç’ke për të bërë. Prodho diçka, prodho një ndjenjë, bëj një vepër të mirë. Krijo veten tënde mbitëgjitha!

Mos prit rastin e duhur, sepse rastin e krijojmë vet. Nuk ka ditë që nuk duhet të jetë kremtim, qoftë edhe më e trishtuara.

Mos e shtyj jetën për më vonë – hë sa të gjej punë – hë sa të fejohem – hë sa të shërohem. Bo-bo, ç’bën ashtu nuk e sheh? Jeta është aty … në ajër. Është në një pëqafim, në një lule që këput, është në duart e nënës, është në sytë e një fëmijë. Jeta është brenda teje e ti e kërkon jashtë? Ajo ka ardhur me kohë, dhe ti e pret ende?

Eh po njerëzit do të çuditen kur të të shohin zbukuruar, do pyesin duke u tallur: Ej ti ku po shkon, ke sebep?

E ti përgjigju seriozisht: Unë, po. Po shkoj të jetoj!

Zejtarët e Tiranës

Kujt nuk i pëlqejnë gjërat e bukura, të mira dhe cilësore. Mua më pëlqen shumë të gjej njerëz në gjendje ta shndërrojnë zanatin në art. Fjala e bukur artizanat ose më shqip zejtari, e përcjell bukur lidhjen midis punës së rëndërëndë dhe artt. Ka shumë zejtarë Shqipëria por pak marrin vëmendjen e duhur. Disa mbeten në hije. Një faktor është fiksimi i madh të blesh gjëra të lira ose të shtrenjta veç për tangërllëk. Arsye këto që e lënë zejtarin e vërtetë shpesh të lodhur dhe të zhgënjyer. Ka shumë zejtarë por pak blerës që e çmojnë punën. Disa justifikohen me faktin se nuk kemi dhe jemi njerëz të varfër. Në disa raste qëndron. Por shpesh njerëzit shpenzojnë pa kursim për lloj-lloj gjërash të pavlera vetëm të shtyrë nga sindroma e vjetër: e ka ai duhet ta kem dhe unë. Kjo ia pret krahët fantazisë. Dhe preferohen sendet në seri pa personalitet dhe histori.

Lule prej lëkure


Ka njerëz që e duan zanatin e tyre. Që nuk punojnë vetëm për të fituar por edhe për kënaqësinë e klientit. Ata krijojnë duke u vënë në kontakt me dëshirën tënde dhe nxjerrin në dritë diçka të veçantë.

Sot dua t’ju prezantoj Punime Lekure Seas, një punishte e vogël dhe modeste ku çdo ditë punohet me pasion. Prodhojnë këpucë, aksesorë burrash si dhe një koleksion të veçantë çantash dhe aksesorë femrash. Ju këshilloj të vizitoni faqen e tyre të instagramit ku mund të pyesni vetë për hollësitë.

Byzylukë lëkure


Nëse doni të bëni një dhuratë me cilësi dhe shije jam e sigurt se do të gjeni diçka ashtu sikur e kam gjetur unë.

Lule dhe çantë


Mos harroni se gjërat e bëra më dorë janë qoftë me vlerë por edhe cilësore. Kanë një karakteristikë të veçantë që është dashuria.

Punime Seas Instagram

Çfarë mësova nga ” mikja ” ime.

Dashuri, shumë dashuri falin. Disa, si unë thonë se qeni është i veçantë. Të tjerë me të drejtë thonë se është macja apo cilado të jetë kafsha e tyre, ashtu është më e mira. Vet kam pasur mace, brejtës, breshka ujë, breshka toke. Kujtoj se e vogël mbaja zhapikë në kavanoz dhe në fantazinë time hapa një spital bletash kur isha me pushime në mal.

Dashuri falin pasi janë në gjendje të çkopsitin shpirtin tonë të mbyllur. Na bëjnë neve të ndihemi në gjendje të falim dashuri.

Tani kam një qenushe të dashur dhe çapkëne. Ajo është  një West Highland wheaten Terrier i përzier me Lushnjar…. po po!… Ah ah!

Duke e vezhguar nga afër mësoj shumë prej saj. Ja çfarë 4 gjëra që kam mësuar prej qenit:

Kujdesi për veten. Një qen harxhon shumë kohë duke u marr me pastrimin vetjak, lëpirje, heqjen e nyjeve dhe le të themi krehjes … Kjo veçantë asaj që i bëj unë. Nëse një qen e bën këtë çdo njeri duhet ti kushtojë vetes kohë çdo ditë!

Pushim. Kur ajo është e lodhur pushon. Pushon vërtet ama. Nganjëherë preferon të mos e prish gjumin as për të ngrënë. Ajo instinktivisht merr kohën e mjaftueshme për të marr veten. Oh sa duhet ta imitoj në këtë.

Nuk i beson çdo kujt. E dashur është por … ka një nuhatje të mirë për tipat të vështirë. Edhe nëse e qetësoj, ajo vazhdon të jetë në gjendje alarmi me atë njeri.

Dashuri pa kushte. Ajo më do kur jam mirë edhe keq. Ngre bishtin kur e përkdhel dhe qëndron afër kur jam indiferente. Qëndron afër gjithmonë, kur qesh e kur qaj. Prej saj kam mësuar çfarë është miqësia.